Rasti i tmerrshëm në Shqipëri: 19-vjeçarja që e mbyti babain kthehet te vendi i ngjarjes, tregon ku e hodhi armën
Hygerta Meta, 19-vjeçarja e cila ekzekutoi me armë zjari të atin Pëllumb Meta, është rikthyer në vendin e krimit e shoqëruar nga oficerët e policisë.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania, 19-vjeçarja shihet me maskë përpara kasolles që groposi të atin.
Qëllimi i rikthimit në skenën e krimit është gjetja e armës, të cilën 19-vjeçarja pohon se e hodhi në kanalin pranë banesës.
Grupi hetimor po vijon punën me dedektorë për të gjetur armën e krimit.
Duke u nisur dhe nga përmasat fizike të vajzës, hetuesit kanë dyshime se ajo nuk mund ta ketë kryer e vetme krimin.
Hetuesit po punojnë për të zbuluar rolin e personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar, përfshirë nënën dhe 2 vëllezërit e 19-vjeçares.
Në dëshminë e saj në polici 19-vjeçarja ka deklaruar se e ka ekzekutuar të atin pas konflikteve të përditshme pasi donta ta fejonte pa dëshirë.