Qeveria u “hakmerret” grevistëve, s'dalin pagat e muajit gusht - NACIONALE

Qeveria u “hakmerret” grevistëve, s'dalin pagat e muajit gusht

1 vit më parë

nga NACIONALE

Grevat në sektorin publik të nisura nga 25 gusht të këtij muaji, i ka lënë punëtorët e arsimit dhe grevistët të tjerë pa paga në muajin gusht.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, duket se nuk e ka ndërmend të negocioj me grevistët për të ardhur deri tek një zgjidhje e kësaj bllokade.

Përkundrazi, me anë të një konference të jashtëzakonshme për medie, ai tha se grevistëve dhe mësimdhënësve nuk u janë ekzekutuar fare pagesat. Përveç kësaj, ministri ka bërë një mal akuzash në formë nënkuptimesh në drejtim të Sindikatës së Arsimit.

Ai i ka fajësuar organizatat buxhetore, siç janë komunat dhe disa të nivelit qendror, për këto vonesa.

“Por, meqenëse që përditësimi i tyre nuk është bërë me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur të procesohen pagat e tyre, Në ditën e sotme janë procesuar vetëm organizatat buxhetore që kanë arritur t’i kompletojnë listat e përditësuara”, ka deklaruar Murati.

Murati ka insistuar se ligjet aktuale e lejojnë pezullimin e pagave për grevistët.

“Sipas nenit 18 paragrafit 1, detyrimi i punëdhënësit për ta paguar punëtorin sa është në grevë pezullohet, ne kemi bërë kërkesë nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e tyre, të bëjnë përditësimet me kohë që të respektohet ligji për grevat”, ka thënë ministri Murati.

Ai ka pretenduar se nga komunat janë informuar që jo të gjithë mësimdhënësit janë në grevë, por sipas tij, një pjesë e tyre janë ende në pushim.

Thesari i Shtetit kishte bërë kërkesë tek komunat për t'i dorëzuar listat me emrat e punëtorëve grevistë, por komunat e PDK-së e LDK-së për Nacionalen kanë deklaruar se nuk do t'i dorëzojnë ato.

Murati poashtu, ka inkurajuar të gjithë prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla.

Megjithatë, Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari përsëriti paralajmërimin e tij se “nëse Qeveria nuk reflektonte ndaj kërkesave të grevistëve, 1 shtatori do t’i gjente nxënësit në shtëpi,” duke treguar se nuk ishte zmbrapsur nga kërcënimet e pushtetit me ndalje të pagave.

BSPK-ja paraljmëroi padi ndaj ministrit Murati

Këshilli Grevist i BSPK-së në një konferencë të djeshme ka paralajmëruar padi ndaj ministrit të Financave Hekuran Murati, pas paralajmërimeve të tij se do t’u ndalen pagat gjatë kohës së grevës.

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj, i cili deklaroi se kanë kërkuar që të jenë unik dhe të vazhdojnë grevën.

“Ne punojnë dhe do të zgjasë deri në momentin që qeveria Kurti ta ndryshojë qasjen. Greva do të duket edhe në opinion edhe më 1 shtator, të cilët po qëndrojnë edhe në punë, por më 1 shtator me këtë qasje, fëmijët do t’i gjejnë në shtëpi. Deklarata skandaloze e qeverisë e cila po mundohet të ndjellë frikë, është arsyeja që ne nuk dorëzohemi. Ligji për greva nuk ka dhënë asnjë mënyrë tjetër dhe qëndrimi i grevistëve është dinjitoz. Një deklaratë e sekretarit u bë për përkëdhelje nga ndokush prej Qeverisë”, thuhej në reagimin e BSPK-së.

Zërat opozitarë në mbështetje të grevistëve

Qasja e qeverisë së Kosovës në raport me sindikatat dhe grevistët nga shumë zëra opozitarë është lexuar si paradoks për shkak se Kosova qeveriset nga një subjekt i rreshtuar ideologjikisht si e majtë, ideologji e cila konceptualisht përkrah organizimin sindikal dhe të drejtat e punëtorëve.

Mirëpo, qeveria e Kurtit tash e disa kohë ka hapur një betëjë me sindikatat, sidomos asaj të arsimit, përkundër që si opozitë kishte thënë se do të angazhohet për të drejtat e tyre.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi situatën e krijuar mes Qeverisë e Sindikatave e quan situatën më të rëndë të Kosovës së pasluftës.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e politikave lehtësuese në këtë situatë. Sipas tij, qeveria në vend të kësaj, po zbaton masa hakmarrëse ndaj mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë, duke ua ndalur pagat për shkak të grevës.

Vendimin e Qeverisë, Krasniqi e ka krahasuar me veprimet e regjimit në kohën e okupimit serb gjatë masave të dhunshme të vitete të ’90-a.

“E përderisa qytetarët pyesin se ku është qeveria për të ndërmarrë veprime lehtësuese, qeveria vepron me masa hakmarrëse ndaj mësimdhënësve e shërbyesve civilë, duke ua ndalë pagat për shkak të grevës. Vetëm një qeveri e paaftë për të qeverisur dhe pa kurrfarë vizioni për të adresuar sfidat socio-ekonomike të qytetarëve mund të lëshohet në vendime të tilla arbitrare. Ky mentalitet sanksionues ndaj mësimdhënësve tanë nuk është parë e as dëgjuar në Kosovë që nga koha e okupimit serb dhe masave të dhunshme të viteve ’90”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ditë më parë kishte reaguar ndaj qasjes së pushtetit në raport me sindikatat, duke e quajtur “kërcënim” metodën që qeveria po përdorë në raport me grevistët.

“Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim. Kërkimi i listave të punonjësve në grevë nga ana e Qeverisë përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik”, kishte shkruar Abdixhiku në një shkrim të titulluar “Në vend të dinjitetit, kërcënim”.

Reagimi pati edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se mosprocedimi i pagave për grevistët është gabim shumë i madh.

Përmes një shkrimi në Facebook, Gjini e ka ftuar qeverinë që ta rishikojë këtë vendim, duke ua kujtuar atyre edhe grevën e minatorëve të vitit 1989.

Lajme të ngjashme