Ukraina i tërheq nga fronti tanket amerikane “Abrams”, rrezik nga dronët rusë - NACIONALE

Ukraina i tërheq nga fronti tanket amerikane “Abrams”, rrezik nga dronët rusë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina i ka lënë anash tash për tash tanket “Abrams M1A1” të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara në luftën e saj kundër Rusisë, pjesërisht për shkak se lufta e rusëve me dronë e ka bërë të vështirë përdorimin e këtyre mjeteve të rënda pa u vërejtur ose pa u ballafaquar me zjarr, i kanë thënë dy zyrtarë amerikanë agjencisë “Associated Press”.

Shtetet e Bashkuara ishin pajtuar që t’ia dërgonin Ukrainës 31 tanke “Abrams” në janar të vitit 2023 pas një fushate agresive e të gjatë me muaj nga Kievi që argumentonte se këto mjete, që kushtojnë rreth dhjetë milionë dollarë secila, ishin jetike për aftësinë e Ukrainës për t’i thyer vijat ruse.

Sidoqoftë, fusha e betejës ka ndryshuar në mënyrë thelbësore nga ajo kohë, veçanërisht nga përdorimi dronëve vëzhgues dhe gjah-vrasës të Rusisë. Këto armë ia kanë bërë të vështirë Ukrainës mbrojtjen e tankeve, kur ato vërehen dhe ndiqen shpejt nga dronët ose predhat ruse.

Pesë nga 31 tanket e dhuruara tashmë janë humbur gjatë sulmeve ruse.

Përhapja e dronëve në fushën e betejës në Ukrainë nënkupton që “nuk ka terren të hapur nëpër të cilin thjesht mund të vozitësh pa frika për t’u vërejtur” – iu tha të enjten gazetarëve një zyrtar i lartë i mbrojtjes.

Zyrtari foli në kushte anonimiteti për të ofruar të dhëna të reja rreth mbështetjes së ShBA-së me armë për Ukrainën para një takimi të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të premten.

Tash për tash, tanket janë tërhequr nga vija e frontit dhe ShBA-ja do të punojë me ukrainasit për t’i rivendosur taktikat, thanë nënkomandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Admiral Christopher Grady, dhe një zyrtar i tretë i mbrojtjes, i cili e konfirmoi këtë lëvizje në kushte anonimiteti.

“Kur mendoni për mënyrën se si lufta ka evoluuar, mjetet e blinduara masive në një mjedis ku sistemet ajrore pa pilot janë të kudondodhura mund të jenë në rrezik” – tha Grady këtë javë në një intervistë me agjencinë “Associated Press”, duke shtuar se tanket ende janë të rëndësishme.

“Tani, është një mënyrë për ta bërë këtë. Ne do të punojmë me partnerët tanë ukrainas dhe me partnerë të tjerë në terren, për t’u ndihmuar atyre që të mendojnë se si mund ta përdorin këtë, në atë lloj të mjedisit të ndryshuar tash, ku gjithçka shihet menjëherë” – shtoi oficeri i lartë amerikan./Nacionale

Lajme të ngjashme