Kurti harron dialogun social: Takohet me Vuçiqin, por jo me punëtorët, veteranët dhe komunat - NACIONALE

Kurti harron dialogun social: Takohet me Vuçiqin, por jo me punëtorët, veteranët dhe komunat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Prej ardhjes në pushtet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar dialogun social me kategori të ndryshme të shoqërisë kosovare. I pari i qeverisë vazhdimisht ka hezituar të merret me kërkesat dhe takimet me veteranët e UÇK-së, përfaqësuesit e sindikatave dhe kryetarët e komunave.

Kjo ka nxitur që këto kategori të organizojnë protesta dhe greva, duke synuar realizimin e kërkesave të tyre.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga 25 gushti ka filluar grevën e përgjithshme, e cila ka bllokuar shumë sektorë nga sfera publike, ndërsa qeveria ka refuzuar të takohet me sindikatat për t’i dëgjuar kërkesat e tyre.

Përfaqësuesit e këtyre kategorive kanë akuzuar kryeministrin se po gjen kohë të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut të Brukselit, e jo me ta.

Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se kërkesat e tyre vazhdimisht janë refuzuar nga Qeveria e Kosovës.

Përfaqësuesi i Shoqatës sindikale të shërbyesve civilë të nivelit qendror, Ali Sefaj, ka thënë se nga qeveria kanë marrë vetëm përbuzje dhe përçmim.

“Nuk ka asnjë reflektim të qeverisë, ka vetëm shpërfaqje të arrogancës dhe ka presion të vazhdueshëm ndaj grevistëve. Ne u kemi kërkuar grevistëve të mos deklarohen dhe të mos plotësojnë lista, ose nëse dikujt i ka ardhur emaili që mos ta konfirmojnë. Sepse ne dëshirojmë që të mos dëmtohet askush, edhe pse ligjërisht nuk lejohet kjo mundësi. Nganjëherë pushteti mund të përdorë veprime arbitrare, mirëpo ne zotohemi se sot ose nesër do të ballafaqohemi me kallëzime penale”, ka deklaruar Sefaj për gazetën Nacionale.

Ai ka treguar edhe për mënyrat e presionit që po bëhet ndaj punëtorëve grevistë.

“Në secilën ministri, zyrtarëve u është kërkuar të deklarohen se a është pjesë e grevës apo jo, në mënyrë që t’ia ndalin pagën. Ne u kemi thënë të mos deklarohen, sepse kjo i bie sikur t’ia japësh shtagën dhe pastaj ta rrahim me të”, ka thënë Sefaj.

Ai ka thënë se qeveria e ka obligim ligjor që t’i takojë përfaqësuesit e sindikatave.

“Për mua është e habitshme qysh një kryeministër i rrymës së majtë që e ka përkrahur për 10 vjet organizimin sindikal ka këso qasje. Shpresoj se do të reflektojë. Nëse nuk reflekton do ta ketë përgjegjësi për mbajtjen e grevave dhe në rrethana të tjera për dëmtimin e punëtorëve. Sepse do të krijohet një praktikë e keqe ku pushteti në mënyrë arbitrare të abuzojë me ligjin. Sepse nuk besoj që kryeministri është në një linjë me ministrat që kanë orientim të qendrës së djathtë, apo të së djathës ekstreme”, ka thënë ai.

Injorimi i komunave

Në të njëjtën mënyrë, Qeveria ka injoruar edhe kërkesat e komunave të Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën se qeveria asnjëherë deri më tani nuk ka reaguar ndaj kërkesave që ka pasur asociacioni.

“Ende është duke vazhduar format e mos-komunikimit të qeverisë me asociacionin e komunave. Ne në vazhdimësi dërgojmë kërkesa e njoftime, por nuk kemi përgjigje prej anës se tyre, sa u përket takimeve dhe problemeve me të cilat po ballafaqohen komunat dhe që po i ngrisin te na. Mungesa e komunikimit po vërehet edhe në rastin kur komunat është dashur të ngrisin padi ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë për rimbursimin e mjeteve. Po të kishte dialog nuk do të vinte deri në këtë stad”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.

Ai ka treguar se mungesa e këtij dialogu ka nxitur fillimin e grevave.

“Tash edhe puna e grevave është duke i dëmtuar qytetarët, sepse shumica e komunave janë në grevë e dhe ato nuk po mund t’u ofrojnë shërbime qytetarëve. Edhe kjo është mungesë e dialogut. Se po të kishte dialog të mirëfilltë, unë besoj se do të vinim deri te një zgjidhje e problemit. Ne kërkojmë që qeveria me ndërmarrë hapa që me e zhblloku situatën, sepse nuk është mirë. Sepse është paralizuara jeta, më shërbimet nuk po mund të ofrohen nga komunat, për shkak se administrata komunale është në grevë dhe ne po kërkojmë që të ketë një dialog në nivelin nacional”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, këto probleme janë nacionale dhe nuk mund të zgjidhen nga komunat.

“Ky problem nuk është lokal, këtij problemi nuk bën me iu qasë komunë pas komune. Dialogu duhet të ndodhë në nivel nacional, sepse ky problem është nacional e jo lokal. Shumica e komunave janë në grevë, nuk po dua të flas në aspektin politik se cilat komuna janë në grevë. Mirëpo problemi si i tillë është problem nacional”, ka thënë ai.

Për kohë të gjatë kryeministri kishte refuzuar të takonte edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Vetëm pas presionit të opozitës dhe disa protestave, ai ka pranuar takimin me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së, të cilët kërkonin përfshirjen e tyre në ligjin për rritjen e pagës minimale. Megjithatë, takimi nuk kishte sjellë ndonjë rezultat.

Pas takimi, në mënyrë të shkruar, kryeministri u kishte propozuar veteranëve një Projektligj për Verfikimin e Pjesëmarrësve në Luftë.

Mirëpo, në fillim të gushtit, veteranët ia kishin kthyer letrën kryeministrit, duke bërë me dije se nuk e pranojnë kërkesën e kryeministrit.

“Propozimi juaj që të fillojmë hartimin e një ligji të ri i cili nis një proces vlerësimi dhe verifikimi për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare, konsiderojmë se është ndërhyrje në procesin gjyqësor”, është thënë në letrën e veteranëve.

Opozita thotë se Kurti ka hequr dorë nga qeverisja

Edhe partitë opozitare i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të nisë dialogun social me sindikatat dhe të gjejë zgjidhje për grevat.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se ka hequr dorë nga qeverisja.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se Kurti nuk po merret me asnjë problem real.

“Kryeministri fatkeqësisht është duke abstenuar në përgjithësi nga qeverisja. Nuk merret me asnjë problem real dhe serioz, nuk merret as me krizën e energjisë elektrike, nuk merret as me grevat, as me sindikatat. Ai nuk merret me asgjë reale dhe serioze në vend. Këto spektakle që po prodhon në raport me dialogun me Serbinë po mundohet t’i përdorë si një perde për t’i mbuluar dështimet e qeverisë së tij”, ka thënë Çitaku.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të heqë dorë nga konfrontimi me sindikatat.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se partia në pushtet e ka për obligim të ulet me sindikalistët, të nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës.

“Partia në pushtet, Qeveria dhe Kurti duhet të gjejnë zgjidhje e jo të konfrontohen me grevistë. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dikur përkrahëse e secilës grevë në sektor publik e privat, duhet të gjejë zgjidhje shpejt për grevën e nisur sot, sepse dëmi nga zgjatja e grevës mund të jetë i parikuperueshëm. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka për obligim të ulet me sindikalistët, të nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës. Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror, në nivel mbarëkombëtar e ndërkombëtar”, ka shkruar ajo.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar se nga 25 gushti kanë hyrë në grevë të përgjithshme.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Grevës i janë përgjigjur sindikatat e mësimdhënësve, edukatorëve të kopshtet publike, punëtorëve të administratës publike në nivel qendror dhe lokal janë të drejta.

Deri më tani, Qeveria nuk ka dhënë ndonjë shenjë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Lajme të ngjashme