“Pulat në grevë”: Sa është në të vërtetë çmimi i vezëve në Prishtinë dhe pse ka dallime aq të mëdha?
Shtrenjtimi i produkteve elementare në Kosovë nuk po ka të ndalur. Për çdo ditë vërehen rritje çmimesh që varfërojnë xhepat tanë. Por, së fundi bujë të madhe po bën rritja e çmimit të një produkti specifik: vezëve. Sa është kjo rritje dhe a do të mund t’i ‘mbijetojmë’ asaj?
Nga 3 euro sa kanë qenë vitin e kaluar, ato janë rritur në 5 euro e 15 centë në disa markete për një tablo e cila përbëhet prej 30 copë vezë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çmimi i vezëve aktualisht është 4 euro e 50 centë.
Gazeta Nacionale ka vizituar edhe Tregjet e Gjelbra në Prishtinë, dhe disa nga marketet për të parë se cili është çmimi konkret i vezëve.
Pazari i Gjelbër
Çmimet e vezëve në Tregun e madh të Gjelbër në Prishtinë, me tregun në Ulpianë dallojnë shumë. Ndonëse tregu i gjelbër në Prishtinë konsiderohet si një prej tregjeve më të lira, nuk doli të jetë ashtu sa i përket vezëve. Për 2 euro e 50 centë ishin çmimet e vezëve të fshatit më shtrenjtë në tregun e gjelbër se sa në atë të Ulpianës.
Në Tregun e madh të Gjelbër në Prishtinë 30 ve të fshatit kushtojnë 10 euro, ndërsa në Tregun e Ulpianës kushtojnë 7 euro e 50 centë. 4 copë të vezëve aty shiteshin për 1 euro.
Një nga shitësit në tregun e Ulpianës i tha Nacionales në kushte anonimiteti se çmimi i vezëve të fshatit nuk ka përjetuar ndonjë rritje, dhe se kërkesa është e njëjtë si në të kaluarën.
“Nuk ka pasur ndonjë rritje të çmimit të vezëve të fshatit, pasi ashtu siç i kemi blerë më herët, ashtu i blejmë dhe i marrim edhe tash. Edhe kërkesa e qytetarëve është e njëjtë sikur më herët. Edhe pse çmimet e tjera kanë përjetuar rritje ne akoma nuk kemi rezultuar të kemi ndonjë rritje eventuale, ndonëse nuk e di se a do të ketë në një të ardhme të afërt rritje edhe të tyre,” - ka thënë ai për Nacionale.
Vezët e qytetit, siç njihen edhe si vezë pak më të lira, po ashtu kanë përjetuar një rritje. Në të dyja tregjet që ka vizituar Nacionalja sot, ato janë tregtuar për 4 euro e diku diku edhe për 4 euro e 20 centë që janë më të mëdha, ndërsa ato që janë me sasi më të vogël janë shitur për 3 euro e 70 centë.
Njëri nga shitësit e pranishëm, tha për Nacionalen se ka pasur rritje të çmimit të vezëve të qytetit, pasi sipas tij, janë rritur edhe çmimet e ushqimit të pulave dhe pulat në përgjithësi.
“Pulat në ferma ushqehen me koncentrat, dhe kjo është njëra prej arsyejeve të rritjes së çmimit të tyre. Gjithashtu edhe vëtë pulat janë shtrenjtuar edhe kjo ka qenë një nga arsyejet e rritjës së çmimit të vezëve,” - ka thënë ndër të tjera ai.
Ai tutje tha se vezët e qytetit shiten më shumë për shkak të çmimit më të lirë që kanë, ndonëse shtoi se vezët e fshatit janë më të mira pasi janë më produktive dhe i konsideron si natyrale (se a është ky ‘mit’ apo jo, do ta merrni vesh në një artikull tjetër të Nacionales)
“Kërkesa për vezë të qytetit është më e madhe sesa atyre të fshatit pasi ato janë më të lira. Nuk mund të mohohet fakti që vezët e fshtait janë më produktive, pasi ato janë bio dhe ushqehen në mënyrë natyrale, ndërsa ato nëpër ferma ushqehen me pesticide,” - ka thënë shitësi.
Mirëpo vezët e qytetit nuk shiten me të njëjtin çmim edhe nëpër markete. Në disa nga marketet në vend, një tablo e vezëve, pra 30 copë shitën për 5 euro e 15 centë.
Cilat ishin reagimet për rritje të çmimit të vezëve?
Deputeti i VV-së, Dimal Basha ka reaguar për rritje të çmimit të vezëve. Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se çmimi i vezëve është rritur, sikur të ishin edhe pulat në grevë.
“Çmimi i vezëve qenka rritë si me pas hi pulat n’grevë!”, ka shkruar në Twitter Basha.
Në anën tjetër, për këtë ka reaguar aktori i njohur Fatmir Spahiu “Bufi”.
Bufi ka ironizuar në Facebook për shtrenjtimin e vezëve.
“Me tja nis me bo vo!”, ka shkruar ai.
Ndryshe qytetarët që nga fillimi i luftës në Ukrainë po ballafaqohen me rritje të çmimeve.
Qytetarët ankohen se shteti po bën pak që t’i mbrojë nga operatorët që manipulojnë me çmimet e produkteve bazike.
Kujtojmë, se në vitin 2019, çmimi i 30 vezëve ishte 2 euro e 57 centë, ndërsa në vitin 2020 ato u rritën në 3 euro e 01 centë, ndërkohë në janar të vitit 2021 ato kushtuan 3 euro e 06 centë. Aktualisht shihet se çmimi i vëzëve është rritur në 5 euro e 15 centë.

