E vërteta që s'e dinit: Të gjithë keni menduar se vezët e katundit janë më të shëndetshme, pritni pak
Krejt vezët janë të njëjta, apo jo? Epo, jo edhe bash, bash ashtu, duke nisur edhe nga "miti" potencialisht i vërtetë apo i pavërtetë se vezët e fshatit janë më të shëndetshme se sa ato të fermës/qytetit. Cila është e vërteta? Ka gjëra që kurrë s’i keni ditur, e që do t’i mësoni përmes këtij artikulli.
Atëherë, puna qëndron kështu...
Meqë pulat e fshatit ushqehen në ambiente të hapura, me ato që forcat e natyrës na kanë ofruar, logjikshëm dhe arsyeshëm supozojmë se janë më të shëndetshme - me raste, edhe nëse nuk kemi ndonjë argument kredibil për t'iu referuar.
Liridon Geci, nga ferma "Golden Eggs ShPK", thotë se vezët e fshatit dhe të qytetit "nuk kanë asnjë dallim në vlera ushqyese, për mendimin tim."
Geci po më tregonte se vezët e pulave që rriten në "fermë të veçantë për rritje", futen në kafaz në javën e 19 dhe aty qëndrojnë deri në javën e 80.
Pra, pulat e fermës qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe në praninë e plot motrave tjera, fati i keq i të cilave është të prodhojnë vezë dhe të flijohen për njerëzit.
Geci tutje më tha se ushqimi për pulat e fermës dallon gjatë rritjes dhe gjatë procesit kur fillojnë të prodhojnë vezë. Misri, soja, luledielli dhe premiksat e ndryshme ishin disa nga ushqimet që ai i përmendi.
Me çmime prej 4 eurosh e deri në 4 euro e gjysmë (30 copë), këto të fermës ishin dukshëm më të lira se ato të katundit që kishin vlerë prej 10 eurove në Tregun e Gjelbër dhe 7.50 eurove në Tregun e Ulpianës.
Kur jemi te tregu, Bajrami tha se pulat që prodhonin vezët që po i shiste për të katundit, rriteshin krejtësisht me ushqim bio; bari gjatë verës dhe bari të këputur gjatë dimrit, lihen të lira të qarkullojnë nëpër hapësira të ndryshme sipas dëshirës dhe se këto vezë “janë shumë më të shëndetshme”.
Njëjtë po mendonte edhe nutricistja, Vala Pupovci, të cilën e pyeta për vlerat ushqyese të vezëve të katundit dhe atyre të fermës.
"Vezët e fshatit janë vezë nga pulat që ushqehen me ushqim natyral, prandaj konsiderohen më të shëndetshme, për shkak se kanë përmbajtje më të lartë të antioksidantëve, mineraleve dhe përmbajtje më të lartë të yndyrërave të shëndetshme," - u shpreh ajo fillimisht.
Megjithatë, sipas Pupovcit edhe vezët e fermës kanë vlerat e veta ushqyese.
"Kur është mundësia, i rekomandoj më shumë (të katundit), megjithatë duhet pasur parasysh koston më të lartë. Pra, është më e shëndetshme nëse konsumohen të katundit, por nuk e kisha konsideru jo të shëndetshme konsumimin e vezëve tjera (të fermës)."
Studimet zbulojnë rezultate shqetësuese për vezët e katundit
Eh, këtu ju pritëm!
Atëherë, në pjesën e parë të artikullit deri tash, hodhëm dritë mbi ndjesinë gjenerale në popull se vezët e katundit janë më të shëndetshme se ato të fermës, duke përforcuar "mitin" e kahmotshëm me bazë të njëjtë.
Fatkeqësisht, po del se freskia, vlerat ushqyese dhe shija nuk janë gjithmonë ato që bëjnë dallimin mes vezëve të katundit dhe atyre të marketeve (fermave).
Hulumtimi i publikuar nga "arstechnicha" më 2022, zbuloi se vezët e pulave të fshatit përmbajnë mesatarisht 40 herë më shumë nivele të plumbit se ato të vezëve të prodhuara komercialisht. Pothuajse një në dy pula në studimin që zuri vend në Sidnej të Australisë, kishte nivele të konsiderueshme plumbi në gjakun e tyre. Në mënyrë të ngjashme, rreth gjysma e vezëve të analizuara përmbanin plumb në nivele që mund të përbëjnë shqetësim shëndetësor për konsumatorët.
Pjesa më e madhe e plumbit futet në pula ndërsa ato ndërveprojnë në papastërti dhe heqin ushqimin nga toka.
Madje edhe nivelet e ulëta të ekspozimit ndaj plumbit konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut, dhe përfshijnë mes tjerash efekte në sëmundje kardiovaskulare – dhe hej mblidhni mendjen – edhe në ulje të nivelit të inteligjencës.
Studiuesit gjetën gjurmë metalike në pulat e oborrit të shtëpisë dhe vezët e tyre nga tokat e kopshtit në 55 shtëpi në Sidnej.
Sasia e plumbit në tokë lidhej ndjeshëm me përqendrimin e plumbit në gjakun e pulës dhe vezët.
Pra, ja ku e keni... herën tjetër kur flisni me bindje për vlerat e shtuara të vezëve të katundit, krahasuar me ato të fermës, jepni rastin trurit të rikujtojë studimin në fjalë, i cili nuk dha një verdikt shumë të favorshëm për vezët e bëra nga pulat që rriten në katund dhe ushqehen me të gjetura nëpër tokë.
