Pse përdhunojnë burrat?
Java e kaluar mbaroi me një ngjarje që shokoi gjithë vendin, ku në mbrëmjen e së shtunës, për rreth shtatë orë pesë persona përdhunuan një të mitur në Prishtinë.
Përdhunimi është akti më traumatik dhe poshtërues që mund ta përjetojë njeriu.
Përdhunimi i vajzës së mitur shkaktoi shumë reagime dhe protesta të mëdha në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Tetovë.

Përdhunimi është nga përvojat më të rënda dhe më poshtëruese që mund ta përjetojë një njëri. Të mbijetuarit e dhunës seksuale pothuajse gjithmonë përfundojnë duke e urryer veten, duke e fajësuar vetveten dhe mund të përballen me çrregullim të sindromit post-traumatik (PTSD). Por, pyetja që shtrohet me rrallë ose hiç është ajo se pse përdhunojnë burrat?
Çështja e dhunës seksuale determinohet nga shumë faktorë, por sipas studiuesve social, psikologëve dhe feministeve, kulturat që dehumanizojnë gratë duke i paraqitur si qenie më inferiore janë faktori kryesor. Kultura e përdhunimit nuk është një dëshirë seksuale por një akt dhune dhe armiqësie ndaj grave.
Gruaja si objekt dhe stereotipet
Psikologia nga Tirana, Lenida Halilaj thotë se në shoqëritë shqiptare me rëndësi është dominimi mashkullor se sa të drejtat e grave.
Në një përgjigje për Nacionalen Halilaj tha se kultura shqiptare u jep hapësirë përdhunimeve të grave.
“Shqipëria dhe Kosova janë shoqëri thellësisht patriarkale, ku dominimi mashkullor shpesh herë prevalon mbi të drejtat themelore të vajzave dhe grave, duke u dhënë kështu hapësirë fenomeneve negative si dhuna, abuzimi seksual, objektivizimi femëror, cënimi i të drejtave dhe lirive bazë të grave. Një kulturë e tillë që theksin e vë të liria absolute e burrave për të marrë vendime, duke përfshirë këtu edhe mbi gruan apo vajzën e vet, çon në abuzime si rrjedhojë e mungesës së përgjegjësisë dhe reflektimit për veprimet e bëra”, tha psikologia.
Ajo shton se edhe rolet sociale, steroripet gjinore, u japin burrave të drejta përtej lirive te grave.
“Normat sociale që fokusohen të dallimet gjinore, stereotipat, nderi i grave dhe forca e burrave, prodhon mendësi të prapambetura që burrat kanë të drejta përtej lirive të grave”, theksoi Halilaj.
Kultura e fajësimit të viktimës nxit dhunën
Ndërkaq, filozofi Sead Zimeri tha për gazetën Nacionale se përdhunimet shkaktohen nga mungesa e njohjes së autonomisë morale të grave.
Me tej, Zimeri tha se sipas tij arsyet e përdhunimeve ndahen në tre grupe.
“Mendoj se ka më shumë se një arsye pas këtyre akteve makabre. Por unë besoj se arsyet e përdhunimit mund t'i ndajmë në tre grupe: grupi i parë përfshin mungesën e njohjes së autonomisë morale të grave. Gruaja shihet thjesht si një qenie që nuk ka pavarësi dhe si e tillë është pre e grabitçarëve. Mirëpo, kjo nuk mund të jetë arsyeja e plotë, sepse edhe nëse gruaja nuk është person por vetëm pronë, ajo është pronë e dikujt, e dikujt tjetër. Prandaj, nevojitet një kusht tjetër, që është mungesa e ndërgjegjes morale që e pengon njeriun të kryejë veprime që dënohen nga shoqëria. Pra këta janë njerëz krejtësisht të shthurur, sepse jo vetëm që nuk respektojnë gruan, por nuk respektojnë as shoqërinë dhe rendin shoqëror. Një grup i tretë përdhunon, sepse kanë probleme mendore dhe disa të tjerë janë psikopatë”, tha Zimeri
Zimeri shton se edhe kultura patriarkale ka një ndikim të madh në aktet e përdhunimeve.
“Kultura ka një ndikim të madh në mënyrën se si i trajton gratë. Fatkeqësisht, në kulturën tonë, gruaja nuk respektohet si një personalitet i plotë. Kjo mungesë respekti u jep burrave guximin t'i trajtojnë gratë si të duan”, shtoi profesori.
Besimi fatalist mbi fuqinë dhe kontrollin daj grave
Aktivistja për të drejtat e grave, Rreze Abdullahu në një prononcim për gazetën Nacionale dha një përgjigje sipas teorive feministe. Ajo lidhi përdhunimet më pushtetin dhe kontrollin.
“Kur flasim për përdhunimet, së pari duhet ta qartësojmë se ata që përdhunojnë janë burrat, dhe se shpjegimi se përse ndodhë përdhunimi, domosdoshmërisht lidhet me natyrën e shpjegimeve që çojnë në besime patriarkale, fuqinë dhe kontrollin e burrave ndaj vajzave dhe grave”, tha ajo.
Njëjtë si psikologjia Halilaj, mendon edhe aktivistja Abdullahu, se në kulturën tonë burrat mund të bëjnë çfarë të duan me gratë.
“Kështu e shpjegojnë edhe shumica e teorive psikologjike. Burrat që përdhunojnë mbështetën në idene se një “JO” e grave nuk do të thotë asgjë për Ata, dhe se Ata e gëzojnë pushtetin absolut për të detyruar një grua në çfarëdo akti, apo edhe për ta vrarë; dhe sigurisht që besimi i tillë është i formësuar nga kultura në të cilën ai burrë lind, rritet, jeton dhe vepron”, shtoi aktivistja.
Gjithashtu, Abdullahu thotë se kultura e fajësimit të viktimave është një arsye tjetër që çon në aktet e dhunës seksuale.
Si mund të parandalohet dhuna seksuale?
Dhuna seksuale mund të parandalohet përmes edukimit dhe nëse institucionet shtetërore i trajtojnë më përgjegjësi këto akte të dhunës.
Sipas Rreze Abdullahut përmes sistemit të arsimit duhet ridefinuar vlerat e shoqërisë tone.
“Duhet të punojmë fort për ridefininin e vlerave dhe besimeve në shoqërinë tonë si një çështje emergjente, dhe kjo duhet të ndodhë nëpërmjet sistemit të arsimit, policisë e drejtësisë etj. Duhet të flasim sa më tepër; në sa me shumë situata, ambiente dhe kontekste rreth krimeve gjinore; duhet urgjentisht ta integrojmë edukimin gjinor në të gjitha situatat jetësore”, tha ajo.
Ndërsa, Sead Zimeri u fokusua të drejtësia dhe mbrojtja e grave përmes ligjit dhe zbatimit të tij.
“Shteti duhet ta marrë absolutisht seriozisht dhunën ndaj grave, në familje dhe në shoqëri, si dhe në vendet e punës ku ato ngacmohen më shumë seksualisht. Edhe nëpër institucionet më të larta shtetërore. Nuk mund të ketë tolerancë ndaj dhunës dhe duhet të respektohen dënimet maksimale të parashikuara në ligj, përveç rasteve kur dhunuesit kanë probleme serioze mendore”, potencoi Zimeri.
Pasojat e dhunës seksuale
Në Kosovë është rritur numri i dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Rasti i Prishtinës vjen pas tri rasteve tjera që tronditën Kosovën me t’u raportuar, përfshirë rastin e 16 vjeçares nga Drenasit, asaj 13 vjeçare të Vitisë dhe 13 vjeçarës së Janjevës.
Përdhunimi pengon zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik të fëmijëve
Psikologia Halilaj shpjegoi dëmët që shkakton dhuna seksuale të fëmijët.
“Dhuna seksuale të fëmijët mund të çojë në trauma të vështira për t’u kaluar, ankth, stres post-traumatik, mendime suicidale (dhe vetëdemtimi), depresion, vetë-fajësim të viktimës, mbyllje në vetvete, probleme me atashimin, mekanizma shmangës, problemative të zhvillimit fizik/emocional/psikologjik te fëmijës etj. është e rëndësishme që fëmijët të trajtohen nga specialistë të shendetit mendor në mënyrë që të menaxhohen pasojat e lartpërmendura”, tha ajo.



