Dhuna ndaj grave – A duhet të legalizohet spreji për vetëmbrojtje? - NACIONALE

Dhuna ndaj grave – A duhet të legalizohet spreji për vetëmbrojtje?

4 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Dhunimi i një vajze 11 vjeçare nga 5 persona shkaktoi një debat të madh publik në lidhje me sigurinë e vajzave dhe grave kosovare. Tashmë problemi i dhunës në baza gjinore ka marrë përmasa jashtëzakonisht shqetësuese, me potencimin e vazhdueshëm të pasigurisë në rrugët publike. Një kërkesë konkrete është ngritur: lejimi i përdorimit të sprejit lotsjellës?

Mijëra protestues morën pjesë, në protestën e 8 gushtit, kundër dhunës ndaj gruas. Ndër kërkesat më të zëshme e shprehur edhe në pankarta, ishte lejimi i përdorimit të sprejit për vetëmbrojtje nga dhunimi. Kjo kërkesë, ishte njëra nga kryesoret të grupit protestues, në mbrojtje të grave dhe vajzave nga dhunimet potenciale.

Spreji është një mjet i cili e zmbraps sulmuesin. Në Kosovë ky sprej llogaritet si armë. Është në regjistrin e armëve dhe dënohesh për vepër penale nëse e posedon.

Por prej ShBA-ve e në shumë vende evropiane në rrethana të caktuara lejohet. Duhet të rregullohen specifikat se si dhe kur të lejohet, por duhet ta dini se prej tij askush nuk lëndohet përfundimisht por zmbrapset aty për aty.

Njohësi i sigurisë dhe i armëve Fadil Kajtazi i ka thënë gazetës Nacionale se e drejta për mbrojtje fizike dhe e dinjitetit janë të shenjta dhe se kur shteti dështon t’i përmbushë këto dy premisa me ligjet aktuale, duhet të mendoj për alternativa.

Mbrojtja fizike e vetevetes është e shenjtë, e dinjitetit edhe kategori kushtetuese. Ne kuadër të këtyre dy premisave, kjo çështje duhet te rregullohet edhe tek ne. Garant duhet të jetë shteti, por nëse shteti nuk permbushë ose nuk ka kapacitete t’i permbushë keto premisa, duhet të mendoj alternativa (kuptohet ligjore) se si qytetarët ta mbrojnë veten fizikisht dhe dinjitetin e tyre.” tha Kajtazi.

Tutje Kajtazi ka shpjeguar se sipas Direktivave Evropiane dhe legjislacionit në fuqi, sprei llogaritet armë kimike e cila futet në kategorinë “A” të armëve, mirëpo ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të ligjit, në rrethana kur kriminaliteti rritet në përmasat të cilat nuk mund të kontrollohen ndryshe.

“Ligji per armët në Kosovë është i hartuar sipas Direktivave Evropiane të cilat e rregullojnë pajisjen, bartjen dhe përdorimin e armëve. Armët kimike, apo “spreji” në këtë rast, janë armë të kategorisë “A” të cilat ndalohen të barten nga civilët. Mirepo, nëse ligji është një balancë në mes të drejtave dhe kufizimeve - ndalesave, kjo varet nga rrethanat që të përcaktohet diçka e lejuar apo ndalesë”, deklaroi Kajtazi për Nacionalen.

Kujtojmë se sipas statistikave të Institutit të Mjeksisë Ligjore 85% e viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 kanë qenë vajza të mitura. Ndërsa të gjithë kryesit e dhunës ishin burra ose djem.

Pse u kërkua të legalizohet spreji?

Gjithçka nis me pankarta e thirrje në protestën që u mbajt kundër dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Teutë Rrusta, sekretare e përgjithshme e Partisë Social-Demokrate, e cila është mjaft e zëshme në mbrojtje dhe avancim të të drejtave të gruas, në një emision televiziv, e bëri të qartë kërkesën për lejimin e sprejit, në mënyrë që gratë të mbrohen nga dhunuesit.

“Pabarazia shoqërore është e ndërlidhur me shumë faktorë, shtypja e grave dhe minoriteteve është shumë e shprehur, në ndërkohë që mekanizmat e shtetit nuk janë as efikas e as të drejt, përveq deklaratave, në të njejtën kohë ne kemi nevojë për mbrojtje të menjëhershme. Unë nuk muj me prit, që qeveria me u perfeksionu që me ma garantu drejtësinë, sepse unë vi nga një pozicion që dua të fuqizohem. Një kerkesë që jemi duke e bë në vazhdimësi, e që ishte edhe kërkesë gjatë protestës është me e legalizu “Pepper Spray” , që është një sprej i cili shërben për vetëmbrojtje”, deklaroi Rrusta.

Duke mbajtur sprejin në dorë Rrusta, shpjegon funksionin e tij, duke e dhënë argumente për legalizimin e tij.

“Kjo nuk është realisht armë. Është mjet më të cilin shoqet e mia feministe në ShBA, Francë, Gjermani e Spanjë mbrohen, anipse ato i kanë kushtet shumë më të mira të jetesës, por prapë iu duhet. Gruaja është kategoria më e nëpërkëmbur botërisht dhe nuk ka diqka inherente në kulturën shqiptare, por është e shtrirë më gjerë, pra në kontekst global. Dua të them se është duke ndodhë një “hallakamë” e madhe, por ne në Kosovë nuk guxojmë me prit që shteti të forcohet, e në anën tjetër shumë gra e vajza, e kategori të tjera që ndihen të rrezikuar, t’a kenë këtë sprej të legalizuar”, tha ajo.

Edhe organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” e radhiti si kërkesë numër një, legalizimin gazit irritues apo sprejit.

Komunikata e Kolektivit:

NËSE SHTETI NUK PËRGJIGJET, NE DO RADIKALIZOJMË REZISTENCËN

Dje, pas më shumë se shtatë orë protestë, përfaqësues/e të zyrës së Kryeministrit dolën për të dëgjuar kërkesat tona. Të pranishme/ëm ishin: Luan Dalipi, Rozafa Kelmendi, Përparim Kryeziu dhe Arta Berisha. Ne e dhamë fjalën e fundit që kjo Qeveri ka kohë deri të premten të zotohet se do të nisë punën për kërkesat tona ose ne do të thërrasim prapë protestë gjithëpopullore.

Kërkesat tona mbesin këto:

1. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray);

2. Shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj dhe që kanë zbutur dënimet nën minimumin kohëzgjatjes së dënimit për dhuniminpër rastet e dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave;

3. Shkarkim të zyrtarëve policorë dhe prokurorëve për neglizhimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore ndaj grave;

4. Krijimin e mekanizmave efektivë të cilat e trajtojnë me dinjitet të mbijetuarave të dhunës seksuale;

5. Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla

Nëse Qeveria nuk na përgjigjet dhe ne nuk marrim garancion për sigurinë tonë, rezistenca jonë veç sa do të radikalizohet. Ne nuk do të lejojmë që asnjë vajzë e grua të jetojë nën dhunë e frikë.”

Lajme të ngjashme