Prokuroria për 16 vjeçarin e rrembyer në Pejë: Janë arrestuar dy persona
Është raportuar se dje është rrëmbyer një 16 vjeçar në Pejë.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë se në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona, të cilët gjënden në stacionin Policor duke u intervistuar.
Ai në një prononcim për Gazeten Nacionale ka thënë se të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, duke treguar se rastin e kanë cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”
“Aktualisht jemi në fazën e veprimeve intensive hetimore për këtë çështje penale. Policia e Kosovës me herët ka arrestuar dy persona për ketë rast, të cilët momentalisht gjenden në Stacion Policor duke u marrë në pyetje. Dy të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit. Po ashtu, janë autorizuar Policia e Kosovës për arrestimin edhe dy personave tjerë të implikuar në ketë këtë vepër penale. Prokurori i shtetit këtë rast e ka cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”. Kaq mund të ndajmë informata për momentin”, ka thënë Nikçi për Nacionale.
Ndryshe, Nacionale ka raportuar se gjatë ditës së djeshme në ora 12:30, nën kërcënimin e armës është rrëmbyer në Pejë, një 16-vjeçar më inicialet E.N.
Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh, rastin e ka cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”.
“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se tre të dyshuar meshkuj e kanë marrë me forcë dhe e kanë dërguar në një lokacion tjetër e më pas e kanë rrahur, me ç’rast si pasojë i njëjti ka pësuar lëndime trupore, për çka ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i Shtetit, rasti vazhdon të hetohet”, thuhej në raportin e policisë.
