Po hamë si në kohë të luftës: Familjet kosovare që po e vuajnë rëndë rritjen e çmimeve - NACIONALE

Po hamë si në kohë të luftës: Familjet kosovare që po e vuajnë rëndë rritjen e çmimeve

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Rritja e çmimeve të produkteve bazë po varfëron përditë e më shumë qytetarët e vendit. Nacionale sjell rrëfimin e rëndimit të jetës për një familje që jeton me një rrogë prej 300 eurove, dhe pensione prej 170 eurove – por edhe rrëfimin e një familjeje me zero centë të ardhura.

“170 euro pensione i kemi. 100 euro na shkojnë ilaçe, e me 70 euro mundohemi mu ba idare për një muj,”

“Ka do mujë që unë vaj e miell detyrona mos me i ble, krejt rrogë 300 euro ma"

Këto dy deklarata e tregojnë më së miri gjendjen e rënduar ekonomike të një pjese mjaft të madhe të familjeve në Kosovë, të cilët jetojnë me një rrogë prej 300 eurove, apo vetëm me pensione.

Gjendja e tyre ekonomike, është stër rënduar që nga rritja e çmimeve në ushqimet bazë, gjatë muajve të fundit.

Makfirete Veseli - e cila jeton në Fushë Kosovë me tre fëmijet e saj me një pagë 300 euro - të cilën e merr nga shteti për djalin e saj që e ka në karrocë, thotë se po detyrohet të kufizojë blerjen e ushqimeve bazë.

“Ka do mujë që unë senet esenciale detyrohna mos i ble, sepse 300 euro pare i kam krejt në muj. Çka me ba me këto hajt kallëzom? A me i shkollu fëmijët, a me hangër me pi, a ilaçe për djalin që e kam në karrocë,” thotë Makfiretja.

Halle të ngjashme të vështirësive për të dalë në fund të muajit, ka edhe Fahirje Mehmeti.

Fahrija bashkë me burrin e saj, jetojnë me pensione të përbashkëta që mbërrijnë vlerën e vetme prej 170 eurove. Por ajo tregon se krejt nga kjo shumë, i mbesin vetëm 70 euro për një muaj për shpenzime dhe ushqim.

“170 i kemi rrogë krejt, 100 euro burri i merr pension e unë 70 euro social. Ma vështirë nuk di, me këto pare ilaçet gjithë i blejmë pikë së pari, e qato pak pare që na mesin bahemi idare për me hangër e me pi. E tash merrne me mend me 70 euro për një mujë çka mundemi me ble e me hangër. Ka ditë që detyrohemi mos me ble vaj e miell se le ma sene të tjera. Krizë si kjo nuk e di une pos në luftë,” tha Fahrije Mehmeti.

E një rast edhe më i rëndë i mbijetesës është i një familjes në Fushë Kosovë, të cilët jetojnë në një barakë me zero cent të ardhura, të papunë.

Arbresha Bojaj bashkë me burrin e saj, tregojnë se në shumicën e kohës ushqehen si në kohë të luftës, mjerueshëm.

Kemi kërku që sa kohë social, nuk na kanë dhanë. Nuk punojmë kërkun as unë e as burri. Na jetojmë më paketat që na japin njerëzit. Ma shumë jemi pa hangër se sa me hangër. Çmimet kanë hypë shumë na edhe pare s’po kemi edhe kjo ngritje e çmimeve na ka paralizu në vend ma. A e din qysh na ndodhë me hangër bukën na në shumicën e rasteve?- Si në luftë më nje copë bukë e pak djathë nësë na qëllon najherë,” - thanë për gazetën familja Bojaj.

Rritja e kostos së jetës në vend

Edhe në muajin qershor është rritur kostoja e jetesës në Kosovë. Kosovarët tani paguajnë më shumë për shumicën e mallrave të konsumit ditor, me koston e benzinës për litër u shtrenjtua më së shumti.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë një shkallë të inflacionit që vazhdon të rritet çdo muaj tash e rreth një vit.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në qershorin që shkoi ishte 14.1%, në krahasim me muajin e njëjtë të 2021-tës.

Qeveria e Kosovës, respektivisht ministrja Rozeta Hajdari, ka thënë se po pritet të analizohet një masë që do të mund të frenonte rritjen e çmimeve. Si mundësi, ajo ka përmendur marzhën tregtare në fitime por edhe çmimin tavan siç është zbatuar në derivate të naftës.

Lajme të ngjashme