Përfundojnë hetimet për veprimet e policisë në rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, “procedurë disiplinore” ndaj një zyrtari - NACIONALE

Përfundojnë hetimet për veprimet e policisë në rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, “procedurë disiplinore” ndaj një zyrtari

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar konkluzat e hetimit pas vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë, duke e përmendur me theks të veçantë raportin 24 orësh mbi rastin.

Sipas IPK-së, hetimet janë lidhur me marrjes në pyetje të dëshmitarëve, analizimin e video-incizimeve nga vendi i ngjarjes, radiologun si dhe komunikimet mes Stacionit Policor të Podujevës, Drejtorisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtorisë së Përgjitshme si dhe kopjen e dosjes së kompletuar të dorëzuar në Prokurori.

“Nga shqyrtimi i dosjes së rastit, video incizimet e kamerave të sigurisë si dhe shkresat tjera të lëndës nga Stacioni Policor Podujevë, pasqyrohet se koha e reagimit të njësive policore dhe emergjencës së qytetit nga momenti i thirrjes deri në vendin e ngjarjes ka qenë i shpejtë (rreth 3 deri 4 minuta, nga pranimi i informatës deri në arritjen në vend të ngjarjes të njësisë policore, si dhe rreth 9 minuta i arritjes së ekipit të emergjencës mjekësore të qytetit).

Veprimet hetimore në teren, ruajtja e vendit të ngjarjes, trajtimi i viktimës, sigurimi i video incizimeve dhe njoftimi i njësive relevante dhe prokurorisë, është bërë në kohë dhe sipas Kodit të Procedurës Penale dhe procedurave parapara policore.” – thuhet fillimisht.

Arrestimi, intervistimi, dërgimi në qendrën e mbajtjes dhe sigurimi i Zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, sipas IPK-së, janë realizuar sipas procedurave të parapara.

“Përpilimi i dosjes së rastit nga zyrtarët e Stacionit Policor të Podujevës është i kompletuar dhe pa mangësi.

Nga analizimi dhe shqyrtimi i shkresave të lëndës që lidhen me aktivitetin hetimor të Sektorit Rajonal të Hetimeve (video incizimeve, raporteve për veprimet hetimore, raporteve forenzike, komunikimi me prokurorinë dhe shkresave tjera), IPK ka vlerësuar se të gjitha veprimet e lartcekura janë ndërmarrë sipas afateve procedurale dhe përmbajnë të gjitha elementet e kërkuara sipas Kodit të Procedurës Penale.” – thuhet tutje.

IPK ka verifikuar edhe nëse në vendin e ngjarjes ka pasur ndonjë zyrtar policor, por sipas tyre, dëshmitarët kanë identifikuar se përveç personave të tjerë, aty ka qenë një zyrtar i Shërbimit Korrektues.

“IPK ka krahasuar dhe analizuar raportet e shpejta që janë dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportin e shpejtë të cilin kjo Qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nga analiza dhe krahasimi rezulton se këto raporte nuk kanë përmbajtje të njëjtë. IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit 2024-AF-0039 përmban raportin e shpejt të përpiluar nga Stacioni Policor Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes.” – thuhet tutje.

Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikuese thueht se përmban informacionin që viktima është therrur me thikë, dhe ndryshimi, më pas është bazuar në komunikin e kësaj qendre me Stacionin Policor në Podujevë.

“Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikues se DPP, (raporti i cili përmban informacionin se viktima është i therur me thikë), është ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë. Ky ndryshim është bërë bazuar në komunikimin që zyrtari i kësaj Qendre ka pasur me Stacionin Policor në Podujevë, të cilët këto informacione i kanë dhënë bazuar në informatat e para nga zyrtarët policorë që kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është gjetur thika në afërsi të personit të lënduar.”

I njëjti raport është dorëzuar në ditën e njëjtë në Prokurori së bashku me Kallëzimin penal, ndërsa raporti i ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë është përcjellë vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë (dhe i njëjti raport është publikuar në raportin 24 orësh nga PK-ja më 15.01.2024).” – thuhet më pas.

Sipas IPK-së, përkundër këtij ndryshimi që sipas tyre “ka shkaktuar konfuzion në publik”, vlerësohet që ky “lëshim” nuk ka ndikuar në integritetin e hetimit dhe kualifikimit fillestar të rastit.

Por sipas tyre, duke parë ndjeshmërinë e rastit dhe raportit 24 orësh të publikuar, IPK ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës.

Lajme të ngjashme