Pakoja 150 milionëshe e Kurtit diskriminon punëtorët e sektorit privat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për shtyp në emër të Qeverisë së Kosovës, me 3 shtator të këtij muaji, njoftoi një ‘paketë ndihme financiare’ për grupe të ndryshme për t'i ndihmuar ata, siç ka thënë ai, të përballen me inflacionin.
Në Pakon për Përballjen me Inflacion u prezantuan 8 pika për përmbushjen e së cilës do të ndahen rreth 150 milionë euro, ka njoftuar kryeministri Kurti.
“Në përkrahje të qytetarëve tanë, në muajt në vijim, do të ndajmë rreth 150 milionë euro për Pakon për Përballjen me Inflacion. Përmes subvencionimit të atyre që kursejnë energjinë do të përfitojnë të gjitha familjet e Republikës sonë, rreth 300 mijë sosh, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë” – ka shkruar Kurti në Facebook.
Në këtë skemë të Qeverisë, më të diskriminuarit po dalin të jenë punëtorët e sektorit privat, të cilit ndonëse janë përfshirë në fund të listës, ku mundësitë që punëtorët e këtij sektori të përfitojnë nga kjo pako janë të varuara nga pronarët e kompanive.
"Skema që nuk do të realizohet as 1 për qind"
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një prononcim për Gazetën Nacionale, ka treguar të jetë i bindur që kjo skemë nuk do të realizohet, qoftë edhe 1 për qind.
“Në bazë të llogarive që i kemi bërë, diku për 3 muaj nëse të gjithë punëtorët e sektorit privat do të ndaheshin nga 50 euro, atëherë kjo do të kushtonte rreth 30 milionë euro. Në vendimin që e ka marrë Qeveria, jam i bindur që nuk do të realizohet as 1 për qind e asaj çfarë këta po pretendojnë dhe nuk e di a është bërë nga mosnjohja e realitetit apo është bërë qëllimisht,” ka thënë Azemi për Nacionalen.
Tutje, Azemi shtoi se me këtë masë, punëtori vendoset në kuadër të kategorive të lëmoshës gjë që përbën diskriminim të madh.
“Vetë fakti kur Qeveria e Kosovës i’a imponon njëfarë formë pronarit të kompanisë që t’i rrisë pagën punëtorit për 50 euro në mënyrë që të ndihmojë edhe unë, punëtorin e vendos në një kategori të lëmoshës. Kjo, faktikisht përbën diskriminim shumë të madh,” pohoi Azemi.
Ai potencoi për Nacionalen së pas masave të prezantuara nga Qeveria, Sindikata i ka shkruar kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati që kjo skemë të rimodelohet dhe të largohet kushtëzimi i rritjes së pagave.
“Ne sot i kemi shkruar Kryeministrit dhe ministrit të Financave që të hiqet kushtëzimi me kompani private pasi që me këtë vendim të marrë nuk e obligon pronarin e kompanisë sepse është çështje vullnetare. Për çështje vullnetare ne e dimë se sa janë dorëlirë pronarët e kompanive. Pronarët e kompanive, disa, jo të gjithë, edhe atë që e fiton me djersë punëtori nuk ja paguan e lërë më ta stimulojë,” tha ai.

Më tej, kryetari i kësaj sindikate ka akuzuar qeverinë se e gjithë kjo skemë është bërë me qëllim që të dështojë, duke ditur mundësitë e pakta të realizimit si rezultat i mosgatishmërisë se kompanive private për të rritur pagat përderisa subvencionimi mundësohet vetëm për 3 muajt e parë.
“Qeveria e Kosovës nuk dëmtohet nëse e jep pjesën e vetë pa pasur nevojë për kushtëzime të tilla. Nëse Qeveria nuk e bën këtë, atëherë mendoj që kjo është bërë qëllimisht që ky program, kjo pako sociale për sektorin privat të dështoj. Nëse kryeministri Kurti nuk e ndryshon këtë skemë, atëherë kjo përben vetëm një farë mashtrimi sepse kemi kompani që mund të mos e përballojnë një rritje të tillë dhe ne nuk mund të ia imponojmë. Nëse janë ndarë 30 milionë euro për sektorin privat, atëherë të hiqen këto kushtëzime sepse ne nuk mund të kërkojmë lëshmoshë nga kompanitë,” ka vazhduar ai.
Diskriminimi i punëtorëve të sektorit privat
Të njëjtat kritika ndaj pushtetit i kishte edhe analisti Imer Mushkolaj, i cili tha se qeveria do të duhej që t’i mbështes punëtorët e sektorit privat me 50 euro, më të njëjtën skemë si për punëtorët e sektorit publik. Ai ka thënë se në këtë sektor punëtorët ballafaqohen me shumë më shumë probleme se ata që punojnë në sektorin publik.
“Nëse qeveria paska vendosë t'i ndihmojë me 50 euro çdo muaj zyrtarët publikë, pse nuk po vepron njësoj edhe me punëtorët e sektorit privat, pra t'i mbështesë edhe ata direkt me 50 euro në muaj? Mijëra punëtorë në këtë sektor ballafaqohen me shumë më shumë probleme se ata që punojnë në shtet. Ata nuk meritojnë të diskriminohen nga qeveria,” ka thënë Mushkolaj.
Kujtojmë që qeveria ka ofruar 50 për qind subvencionim në rast të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat në 3 muajt e parë.
“Subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat, për 3 muajt e parë.” – thuhet në Pakon për Përballjen me Inflacion.
Ndërsa opozita thekson se Kurti po përpiqet të blejë paqen sociale, ekonomistët besojnë se një paketë e tillë nuk sjell asgjë për të luftuar inflacionin, i cili arriti në 14.2% në korrik.
Punonjësit e sektorit publik do të përfitojnë një pagesë mujore prej 50 eurosh nga kjo paketë, në shumën totale prej 150 milionë eurosh, ndërsa pensionistët, studentët dhe punonjësit e bizneseve publike do të përfitojnë ndihmë mujore prej 100 euro.
Po ashtu nëpërmjet projektligjit për punë publike, Qeveria synon të kompensojë inflacionin në çmimet e materialit ndërtimor.



