Intervistë | Bajrami: Rritja e çmimit të energjisë dhe reduktimet do të jenë fatale - NACIONALE

Intervistë | Bajrami: Rritja e çmimit të energjisë dhe reduktimet do të jenë fatale

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar se paralajmërimet për reduktime dhe shtrenjtim të sërishëm të energjisë elektrike do të jenë fatale për ekonominë dhe qytetarët. Deputetja e LDK-së, ka deklaruar se kjo po bëhet për shkak të mospunës, mosdijes dhe keqmenaxhimit të Qeverisë. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Bajrami ka thënë se qeveria nuk po e përmbush asnjë premtim të saj.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe reduktimet do të jenë katastrofale për ekonominë e vendit.

Ajo ka deklaruar se një rritje tjetër e faturave nuk do të mund të përballohet nga qytetarët e Kosovës.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Bajrami ka thënë se kjo është mosdije dhe keqmenaxhim i qeverisë.

Sipas saj, reduktimet e energjisë elektrike do të ndikojnë edhe në ngritjen e çmimeve tjera.
Ish-ministrja e Financave, ka kritikuar qeverinë edhe për mungesën e investimeve kapitale. Sipas saj, 704 milionë euro janë të parapara për investime kapitale, dhe për gjashtë muajt e parë, janë shpenzuar vetëm 79.3 milionë.

Ajo ka thënë se qeveria nuk po e realizojnë asnjë pretim që e kanë bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Nacionale: Znj. Bajrami, pas një kohe të gjatë, janë rikthyer reduktimet e rrymës në vend. Cili është vlerësimi juaj për këto reduktime në pikun e verës?

Bajrami: Në seancën e 4 gushtit, mazhoranca miratoi vendimin e Qeverisë për masat e emergjencës në furnizimin me energji, duke i mundësuar kështu KEDS-it/KESCO-s që të na kthejë një dekadë mbrapa. Në gusht me reduktime, kjo s’ka si të cilësohet ndryshe pos mospunë, mosdije, keqmenaxhim dhe pasojat për ekonominë janë fatale. Reduktimet e energjisë ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kostos së prodhimit dhe kjo më pas ndikon në rritjen e çmimeve, rritja e çmimeve i bën prodhuesit tonë jokonkurrentë me produktet e importit e disa biznese edhe mund të mbyllen ose të pauzojnë për një kohë, vende pune humben, dhe jeta e qytetarëve në vendin tonë bëhet në përgjithësi edhe më e vështirë.

Ndikimi i reduktimeve 6 me 2, nuk mund të reduktohet në dy numra “6 me 2”, duhet parë prej shumë këndvështrimeve; një ndërrim në fabrikë i ka 8 orë dhe dy orë pa energji d.m.th. 25% prodhim me pak, të tjerat llogarisni vetë.

Nacionale: Përveç reduktimeve është paralajmëruar përsëri rritja e çmimit të rrymës. A mund ta përballojnë qytetarët edhe një ngritje të çmimit?

Bajrami: Në fillim të këtij viti është ngritë çmimi i rrymës, 104% tarifa e ulët dhe 85% tarifa e lartë, për më tepër inflacioni në korrik shënoi 14.2%. Një rritje tjetër e faturave të energjisë do të jetë me pasoja katastrofale, për një numër të madh të qytetarëve dhe bizneseve në vendin tonë, thjesht ka me qenë situatë e papërballueshme.

Nacionale: Qeveria vetëm ka paralajmëruar një dimër të vështirë në aspektin energjetik. Cila është përgjegjësia e Qeverisë për këtë krizë. Si duhet të veprojë?

Bajrami: Po bëhen gati dy vite të Qeverisë Kurti II, fatkeqësisht ende nuk po e dinë përgjegjësinë e vet. Krejt çka mbajmë mend janë paralajmërimet për kriza, luftë dhe referimi te 20 vitet e kaluara, a për fatin e keq të vendit janë shumë larg me secilën qeverisje të 20 viteve të kaluara.
Qeveria edhe kur nuk i shkakton krizat duhet të merret seriozisht me menaxhimin e tyre. Ka dy vite që ne nuk kemi pa asnjë veprim konkret të Qeverisë në funksion të menaxhimit të krizës, as krizës energjetike as krizës së shkaktuar nga inflacioni.

Reduktimet e energjisë elektrike, ushqejnë ngritjen e çmimeve sepse ngrisin kostot dhe drejtpërdrejt kjo ndikon në ngritjen e secilit produkt final.
LDK-ja ka dhënë sugjerimet për secilën krizë, ato janë publike dhe asnjë nga propozimet tona nuk është marrë parasysh.

Nacionale: Para lajmit për reduktime të rrymës, është bërë publik raporti Financiar i Thesarit për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, i cili tregon se investimet kapitale kanë qenë vetëm 9%. Çfarë tregon për qeverinë ky raport?

Bajrami: Është viti i dytë i qeverisjes dhe është buxheti i dytë që kjo Qeveri e ka planifikuar vetë dhe po realizmi i investimeve kapitale është më i ulëti ndonjëherë në historinë e vendit. Janë 704 milionë euro të parapara për investime kapitale dhe për gjashtë muajt e parë janë shpenzuar vetëm 79.3 milionë apo vetëm 11% e shumës totale. Nuk po realizohet asnjë investim kapital, nuk po realizohet asnjë nga premtimet e LLV-së, premtime të cilat ia kanë siguruar 51% të votave. Ku janë çerdhet, banim i përballueshëm, rrugët, kanalet e ujitjes, etj.

Nacionale: Gjithashtu raporti tregon se disa ministri nuk kanë shpenzuar asnjë cent në investime kapitale. Sa mund të ndikojë kjo në ekonominë e vendit, në këtë krizë?

Bajrami: Mungesa e realizimit të investimeve kapitale ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve, paratë në llogari të Qeverisë nuk kanë asnjë efekt, e vetmja gjë që është e sigurt është se ato po devalvohen duke qëndruar në llogari derisa kemi rritje enorme të çmimeve.

Nacionale: Pse mendoni se po ndodh kjo, znj. Bajrami. Nuk po di Qeveria, apo nuk po do të investojë?

Bajrami: T’ju them të vërtetën, nuk e di. Nëse nuk dinë nuk është turp të kërkojnë ndihmë. Nëpër ministri ka profesionistë, andaj duhet të punohet së bashku me ta, profesionistë ka edhe jashtë institucioneve, andaj është mirë që njerëzit vullnetmirë t’i thërrasin në ekip sepse nga ajo çfarë shohim, Qeveria po punon vetëm me militantë partiakë dhe me familjarë, e siç duket, ekspertiza e tyre nuk po mjafton. Nëse nuk duan, atëherë kjo prapë çon të mosdija sepse mos me dashtë me i realizu premtimet që i ke bërë 15 vite rresht për me ardhë në pushtet është vështirë me u arsyetu.

Nacionale: Në anën tjetër, norma e inflacionit vazhdon të rritet. Çfarë masash duhet të ndërmarrë qeveria për t’u dalë në ndihmë qytetarëve?

Bajrami: Të menaxhojë krizën me energjinë dhe të mos e konsiderojë asesi edhe një ngritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike.
Të largojë akcizën në karburante dhe të shqyrtojë uljen e normës së TVSH-së fillimisht për tre muaj mundësi të vazhdimit, si dhe të ulë normën e TVSH-së për artikujt e domosdoshëm për konsumatorin, për tre muaj mundësi të vazhdimit.

Lajme të ngjashme