Paguaj dënimin 50% më lirë, por s’ke të drejtë ankese - a po e shkel ATK-ja kushtetutën?
Faik Bajrami nga Prishtina, tash e 10 vjet e ka nën udhëheqje një kafeteri. Ditë më parë, Faikut iu shqiptua një gjobë nga shteti me 500 euro.
Administrata Tatimore e Kosovës e dënoi pronarin e kësaj kafeterie me arsyetimin se biznesi i tij, nuk lëshonte kupona fiskalë.
Atë e dënoi Zgjona – që është një njësit i veçantë brenda Administratës Tatimore të Kosovës e cila merret me gjobat dhe ndëshkimet kryesisht të kundërvajtjeve që kanë të bëjnë me fushën e tatimeve.
Duke synuar që ta paguajë dënimin 50% më lirë brenda afatit të përcaktuar, Bajrami u detyrua ta paguante gjobën. Kjo edhe pse ishte i bindur që dënimi iu shqiptua pa të drejtë.
“E pagova gjobën për çdo rast. Thash më mirë 250 se sa 500, ama nijet e pata të ankohem, se s’ish problemi që unë nuk lëshoj kupona fiskalë. Veç atë ditë, e kam lënë kafiqin vet dhe kjo më ndodhi.” thotë Faik Bajrami për gazetën Nacionale.
Se a kishte të drejtë Faiku apo jo, nuk dihet, pa u vërtetuar rrethanat faktike.
Por për të zbardhur një rast të tillë, eksizton një mjet juridik i garantuar me Kushtetutë dhe me Ligj, i cili quhet “ankesë”.
E kjo e drejtë e ankesës z.Faikut, e të gjithë qytetarëve të tjerë, është duke iu mohuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, qysh nga 27 janar i këtij viti.

Avokati Florin Lata, ka “denoncuar” publikisht këtë problematikë, duke e quajtur shkelje kushtetuese e ligjore, mos-lejimin e ankesave nga ATK, për gjobat që paguhen 50% më lirë.
“ATK përmes një njoftimi publik të datës 27.01.2022 me titull “Njoftim për tatimpagues – Gjobat mund të paguhen vetëm 50%, nëse paguhen brenda 15 ditëve” kishte vendosur që pas 5 vitesh të fillonte me zbatimin e nenit 30 par. 3 të Ligjit për Kundërvajtje edhe pse këtë ligj nuk e citon fare në njoftimin publik dhe e ka pasur obligim zbatimin e tij nga data 01.01.2017. Si duket, ATK ka nxjerr edhe një rregullore për Gjoba të cilën nuk e ka publikuar ende”, ka shkruar Lata.
“ATK pa asnjë bazë ligjore është duke i hedhur poshtë të gjitha ankesat ndaj gjobave të cilat tatimpaguesi i paguan me 50 % të shumës me arsyetimin se në rastet e tilla nuk është e lejuar ankesa. Pra, sipas ATK nëse tatimpaguesi e paguan gjobën me 50 % i humbet e drejta e ankesës me arsyetimin se kështu është përcaktuar me njoftimin publik dhe me rregulloren e brendshme të pa publikuar”, ka thënë më tutje ai.
E në një prononcim për gazetën Nacionale, avokati Lata ka sqaruar pse kjo është një shkelje kushtetuese.
“Asnjë ligj nuk e parasheh që nëse e paguan denimin nuk ke të drejt ankese. As ATK nuk thirret në ligj por në rregulloret e veta. Rregulloren e kanë nxjerrë në kundërshtim me ligjin. Nëse dikush paguan gjobën 50 % më lirë, ky nuk është mjet juridik. Mjet juridik është ankesa, dhe e drejta e ankesës nuk mund t’i mirret askujt. Jam i bindur se ATK-ja po e shkelë kushtetutën, po e shkelin ligjin.” thotë avokati Lata.

Njoftimi i Administratës Tatimore të Kosovës
ATK në një njoftim publik me titull “Gjobat mund të paguhën vetëm 50% nëse paguen brenda 15 ditëve”, që mbanë datën 27 janar të vitit 2022 në rreshtat e parë të tij përmbanë informacione mbi lehtësimin e pagesës së gjobave.
“Bazuar në këtë Rregullore, tatimpaguesit ndaj të cilëve ZGjoNA shqipton gjoba fikse për shkelje të legjislacioit tatimor, kanë mundësinë që të përfitojnë zbritje nga pagesa e tërësishme e shumës së gjobës” thuhet aty.
Rreshtat problematik e anti-kushtetues, siç i quajti avokati Lata, vijnë menjëherë pas këtij lajmi të mirë.
“Në rast se tatim paguesi paguan gjobën e shqiptuar brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga data e hyrjes në fuqi të Vendimit nga ZgjoNA, tatimpaguesi lirohet nga pagesa e pesëdhjetë përqind (50%) të shumës së gjobës së shqiptuar dhe në këtë rast procedura e ankimit suprimohet dhe rasti konsiderohet i mbyllur”
Pjesa problematike sipas avokatit Lata, ka të bëjë me fjalinë: “dhe në këtë rast procedura e ankimit suprimohet dhe rasti konsiderohet i mbyllur”
Pra, Administrata Tatimore e Kosovës e suprimon të drejtën e ankesës, me një rregullore të brendshme.
Rregullore e cila hyri në fuqi, nga data 1 shkurt e vitit 2022.
Çka thotë Kushtetuta e ligji?
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik i vendit, në nenin 32 të saj e rregullon çështjen për përdorimin e mjeteve juridike.
Në kapitullin “E drejta për Mjete Juridike” thuhet kështu: “Secili person ka të drejtë të përdorë mjete juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrë të përcaktuar me ligj”
Pra, kushtetuta për përdorimin e mjeteve juridike na dërgon te ligji dhe jo tek udhëzimet e brendshme administrative.
Ligji mbi Proceurën e Përgjithshme Administrative i cili u aktivizua në rastin e qytetarit të gjobitur, flet për kushtet e pranueshmërisë së ankesës, dhe në asnjërën prej pikave nuk, thuhet se ankesa nuk pranohet në rast se e paguan 50% më lirë.
Ligji për kundërvajtje gjithashtu në nenin 54 të tij e përcakton dyshkallshësinë e procedurës kundërvajtëse.
Në nenin e quajtur “Dyshkallësia e procedurës së kundërvajtjes” thuhet: “Kundër vendimit të nxjerrë në shkallën e parë mund të paraqitet ankesa, nëse me këtë ligj nuk është casktuar ndryshe.”
Pra edhe në ligj specifikohet se dyshkallësia në procedurë për kundërvajtje, e në këtë rast e drejta e ankesës, mund të përcaktohet ndryshe, vetëm me këtë ligj dhe jo me rregullore të brendshme.
Gazeta Nacionale i ka dërguar email Administratës Tatimore të Kosovës, duke kërkuar shpjegime shtesë në lidhje me këtë vendim të tyre, por deri në ditën e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë asnjë përgjigjje.
Sqarim: Emri i personazhit në këtë artikull është fiktiv, meqenëse qytetari na ka folur në kushte anonimiteti.

