Bajrami: Kushtetuta nuk është fajtore për krizat politike
Arsim Bajrami, njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, ka vlerësuar se Kushtetuta nuk është fajtore për krizat që shkaktojnë partitë politike.
Ai ka bërë me dije sa gjatë këtyre 14 viteve partitë politike në luftën e tyre për pushtet nuk e kanë respektuar sa duhet aktin më të lartë juridik dhe politik në vend. Sipas Bajramit, Kushtetuta edhe mund të ndryshohet ku ka paqartësi.
Ai ka hedhur poshtë çdo mundësi që ky akt të ndryshohet për shkak të formimit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.
Në një interviste të gjatë për gazetën Nacionale, për nder të 14-vjetorit të hartimit të Kushtetutës, akademiku Bajrami ka thënë se institucionet e Kosovës mund të japin garanci shtesë për të drejtat e serbëve, por jo kompetenca ekzekutive për Asociacinin.
Sipas tij, Kosova duhet të mësohet të funksionojë edhe pa njohje nga Serbia.
Nacionale:
Kosova po shënon 14-vjetorin e hartimit të Kushtetutës. Çka do të thotë kjo datë për Kosovën?
Bajrami:
Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është një festë atipike në BE. Me përjashtim të Kosovës nuk e ka asnjë shtet. Arsyeja e vendosjes së kësaj dite si festë shtetërore është që qytetarët e Kosovës të kuptojnë historinë e shtet-ndërtimit të Kosovës. Dita e Kushtetutës është një ditë ku qytetarët te Kosovës duhet ta kuptojnë rrugën që ka kaluar Kosova drejt pavarësisë.
Mund të thuhet se Kushtetuat e Kosovës e ka realizuar misionin për të cilin është sjell, pra krijimin e shtetit të Kosovës. Kjo kushtetutë ka karakter shtet-formuese, sepse për herë të parë Kosova lind si shtet i pavarur dhe sovran.
Nacionale:
Sa është sfiduar Kushtetuta e Kosovës gjatë kësaj kohe?
Bajrami:
Unë do të dalloja tri te meta që ka pasur zbatimi i kësaj kushtetute. Së pari, kjo Kushtetutë është sfiduar në pjesën veriore të vendit, ku nuk ka arritur të shtrihet për shkak të dekonstruksionit të Serbisë. Së dyti, kushtetuta është ballafaquar me shkelje brutale, kryesisht nga institucionet shtetërore.
Pra, në vend së institucionet të jenë shembull për qytetarë, ato kanë bërë shkelje më së shumti. Shkelje kanë bërë tëgjitha pushtetet dhe të gjitha institucionet. Kemi dy presidentë që kanë dhënë dorëheqje për shkelje të Kushtetutës, pastaj Kuvendi ka shkelur atë me miratimin e dhjetëra ligjeve antikushtetuese dhe qeveria ka bërë të njëjtën gjë.
Gjithashtu, gjyqësori ka shkelur Kushtetutën, Gjykata Supreme, por Gjykata Kushtetuese ka rivendosur kushtetutshmërinë.
Së treti, partitë politike ende nuk janë edukuar në frymën kushtetutës. Në luftën e tyre të ashpër për pushtet abuzojnë me kushtetutën, duke bërë shkelje kushtetuese dhe kjo ka pa mundësuar një funksionalitet normal të institucioneve të Kosovës. Pra, nuk kemi konsistencë institucionale, të gjitha qeveritë bien para kohe.
Nacionale:
Shkelja e kushtetutës nga institucionet ka ndodhur shpeshherë për shkak të paqartësisë së kompetencave të tyre. A duhet të qartësohen këto kompetenca, duke ndryshuar aktin më të lartë juridik dhe politik në vend?
Bajrami:
Fillimisht, Kushtetuta nuk është fajtore për krizat që kanë krijuar partitë politike në luftën e tyre të egër për pushtet. Kushtetuta bëhet për qeverisje të mirë, për njerëz të arsyeshëm, për liderë burrështetas dhe jo për liderë që krijojnë kriza.
Meqenëse ka pasur abuzime masive për çdo cikël të zgjedhjeve, atëherë nëse ndërtohet konsensusi politik mund të bëhen disa precizime në kushtetutë. Unë i quaj të panevojshme, por meqenëse ne i kemi krijuar këto situata, ndryshimet mund të bëhen duke e amandamentuar Kushtetutën .
Nacionale:
Në cilat pjesë mendoni se duhet të amandamentohet Kushtetuta?
Bajrami:
Mendoj se komplet duhet të ndërrohet kaptina për zgjedhjen e presidentit. Pra, presidenti duhet të zgjidhet nga populli.
Nacionale:
Mendoni se duhet të bëhet ajo reforma të cilën e keni bërë para disa viteve?
Bajrami:
Komisioni ka punuar, të gjitha materialet janë në zyrën e kryetarit të Kuvendit dhe tani Kuvendi duhet të procedojë. Unë uroj që presidentja e Republikës, e cila është juriste dhe që bashkë me mua ka punuar në ndryshimet kushtetuese t’i shtyjë përpara amandamentet në mënyrë që presidenti i ardhshëm të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë ne do ta avanconim demokracinë, do ta rrisim besimin të presidenti dhe do të mënjanojmë shumë kriza politike.
Ka edhe segmente tjera, që vijnë si pasoj e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me mundësinë e zgjedhjes së një qeverie të re pa shkuar në zgjedhje. Tani Kushtetuesja ka ndërtuar një standard të ri të rasti i qeverisë Hoti, i cili është i pari kryeministër që merr këtë post pa zgjedhje, pas mocionit të mos besimit ndaj qeverisë Kurti 1. Dhe nëse këtë duam ta ngrisim në kategori kushtetuese duhet ta bëjmë një amandament kushtetues dhe me e përpunuar këtë çështje. Sepse kjo çështje bije pak ndesh edhe me nenin 3 të Kushtetutës, ku thotë se sovraniteti buron nga populli. Personalisht unë kam shumë vërejtje në këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese dhe mendoj se do ta prishë republikën parlamentare, sepse tani gjithmonë ka mundësi që qeverinë ta formoj humbësi i zgjedhjeve. Kjo demotivon qytetarët që të dalin në zgjedhje, sepse në këtë mënyrë me një marrëveshje politike mund të përmbyset ai që është legjitimuar nga populli dhe mund të inaugurohet dikush që i ka humbur zgjedhjet. Por, meqenëse u krijua ky standard të qeveria Hoti, mendoj se kjo duhet të përpunohet me detajshëm me një amandament kushtetues.
Nacionale:
Edhe në vitin 2014, në kohën e VLAN-it ju keni mbrojtur qëndrimin se vetëm partia e parë duhet ta formojë qeverinë. Pse jeni të bindur në këtë?
Bajrami:
Unë jam kundër këtij standardi të ri. Si njeri prej hartuesve kryesor të Kushtetutës dhe pikërisht nenit për të cilin po e citojmë, mendoj se ne si shtet i ri me një mungesë të përvojës shtetërore kemi menduar se vetëm sovrani është i thirrur dhe i mandatuar që të zgjedh qeveritë përmes zgjedhjeve. Mirëpo, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti 1, Gjykata Kushtetuese ka hapur një rrugë, që për mua është e rrezikshme. Dhe akoma jam kundër kësaj çështje, por vendimi i gjykatës është definitiv dhe i zbatueshëm. Meqenëse është vendosur ky standard, tani duhet që ndoshta me një amandament të përpunohet komplet se si presidenti pa shkuar në zgjedhje mund ta mandatojë një person të dytë për ta bërë qeverinë. Kjo është diçka krejtësisht e re, që nuk ka qenë në frymën e Kushtetutës kur është hartuar.
Nacionale:
Deri me tani kemi parë se procesi i ndryshimit të Kushtetutës është bukur i vështir. Ndonëse disa herë janë bërë ndryshme kushtetuese, kemi rastin e transformimit të FSK-së në ushtri ku Lista Serbe nuk lejojë ndryshimin e Kushtetutës?
Bajrami:
Kushtetuta e jonë është e ngurtë, pra është Kushtetutë që vështirë ndryshohet. Ndoshta është Kushtetuta më e ngurtë në rajon dhe në Evropë. Kjo për faktin se përveç dy të tetave të deputetëve shumicë, kërkon edhe dy të tretat e pakicave. Ky ka qenë ai kompromisi i Ahtisarit. Kjo do të thotë se për çfarëdo ndryshimesh substancioanle do të duhet edhe pëlqimi i pakicave. Duke pas parasysh dekonstruksionin e komunitetit serb, është pak e mundshme që të bëhen ndryshime esenciale. Mirëpo aty ku ndërtohet një konsensus, besoj se mund të bëhet, ashtu siç është bërë me 27 amandamentet. Sepse Kushtetuta është ndryshuar disa herë. Fillimisht, me 23 amandamentet, ku është përfunduar mbikëqyrja ndërkombëtare, pastaj amandamenti për futjen e amnistisë dhe amandameti 24 që ka hapur rrugën për themelimin e Dhomave të Specializuar.
Nacionale:
Ministria e Drejtësisë po flet për procesin e vetingut. Ky proces duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese?
Bajrami:
Ne duhet me i ikë praktikës së keqe që e ka pasur Republika e Shqipërisë që sa herë i ka ndryshuar qeveritë e ka ndryshuar edhe Kushtetutën. Kushtetuta nuk bëhen për një qeveri, për një parti, por bëhet për një epokë qeverisëse. Nuk duhet lejuar ndryshimet për qëllime politike.
Natyrisht procesi i vetingut, nëse shkon sipas konceptit që është paramenduar, sigurisht që kërkon ndryshime kushtetuese, sepse prek pushtetin gjyqësor, prek disa garancione kushtetuese, prek mandatet e gjyqtarëve, prek parimet e organizmit të gjyqësorit dhe kjo patjetër që kërkon ndryshme kushtetuese.
Nacionale:
Një fushë tjetër ku po pretendohet ndryshimi i Kushtetutës është procesi i dialogut me Serbinë. Sa e rrezikshëm është prekja e Kushtetutës në këtë proces?
Bajrami:
Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë ndryshimet kushtetuese për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin po bëhet një presion i jashtëzakonshëm. Formimi i këtij asociacioni sipas pretendimeve të Serbisë do ta rrezikonte esencialisht shtetësinë e Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë, karakterin unitar të shtetit dhe do të rivendos nivelin e tret të pushtetit. Asociacioni mund të themelohet pa ndryshime kushtetuese, në kuadër të Ligjit për Qeverisje Lokale, sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Mendoj se BE-ja është jo korrekt me Kosovën, me presionin që po bën për asociacionin dhe rreth ndryshimeve kushtetuese. Këtë presion ajo duhet ta orientoj tek Serbia dhe ta pastroj Kushtetutën e saj prej pretendimeve ndaj territorit të Kosovës. Nuk duhet lejuar një asociacion që do të jetë një rrezik permanent për Kosovën.
Nacionale:
Nëse ShBA-ja dhe BE-ja kërkojnë ndryshimet kushtetuese, çka duhet të bëj Kosova?
Bajrami:
Ka pasur deklarata të pamatur të përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili ka ironizua kushtetutën tonë, duke thënë se ajo nuk është ndonjë libër i shenjt dhe ajo mund të ndryshohet.
Çfarëdo hapje e Kushtetues për asociacionin është vendosje e një autonomia politiko-territoriale për serbët, që në të ardhmen do të mund të jetë një bazë e fort kushtetuese që ata të marrin veprime dekonstrukive përfshirë referendumin për shkëputje.
Kosova ka qenë mjaft gjeneroze në Kushtetutë, ne kemi një kapitull për të drejtat e pakicave, kemi qasje afirmative dhe kemi dhënë maksimumin që një shtet mund të jap për pakicat.

Nacionale:
A mund të bëj Kosova edhe ndonjë kompromis, nëse aleatët e saj strategjik kërkojnë një gjë të tillë?
Bajrami:
Nëse duhet që ne te japim edhe ndonjë garancion, atëherë garancioni mund të jetë premtimi i institucioneve të Kosovës që me një amandament kushtetues të garantojnë komunitetin serb se të drejtat e fituara që i kanë në kushtetutë nuk do të preken edhe për një periudhë kohore 10 vjeçare. Pra, të gjitha të drejtat që i kanë me pakon e Ahtisarit nuk do të zvogëlohen nga asnjë qeveri e Kosovës për një periudhë 10-vjeçare. Në këtë mënyrë do të sigurohen serbët se nuk kemi asnjë tendencë për t'u zvogëluar të drejta që i kanë. Kjo është një fushë e gjerë që delegacioni i Kosovës do të mund të manovrojë në dialog, duke thënë se ne mund të japin garancione ndërkombëtare dhe kushtetuese që të drejtat e fituar të serbëve do të vlejnë.
Nacionale:
Si mundësi është përmendur që nëse insistohet në formimin e asociacionit sipas palës serbe, atëherë të iu largohen të drejtat që kanë në Kuvend. Sa është e mundshme kjo?
Bajrami:
Edhe këtë e shoh si alternativë të rrezikshme. Ani pse as kjo nuk është reale, sepse ata po duan që në të dy anët të fitojnë. Pra, ata dëshirojnë të drejtat e avancuara në pakon e Ahtisarit, dhe autonominë politike-territoriale. Nuk mund të bëjmë tregti, po ta jap asociacionin e po t’i marrë të drejtat. Kjo është një lojë e rrezikshme.
Nacionale:
Do të ishte më mirë formimi i asociacionit siç kërkon Serbia, apo të kthehemi tek ideja shkëmbimit të territoreve?
Bajrami:
Të dy këto ide janë të rrezikshme për Kosovën. Ideja e ndryshimit të kufjeve është e konsumuar, është e rrezikshme edhe për rajonin. Në një kohë është provuar ky eksperiment, por nuk besoj së do të provohet sërish.
Nacionale:
Në anën tjetër, status quo-ja nuk po shkon në favor të Kosovës?
Bajrami:
Kosova është në gjendje jo të mirë. Status quo-ja nuk na konvenon, por më mirë një status quo se sa një shtet jo funksional. Nga përvoja ime në shtete-ndërtim mendoj se ne duhet të përgatitemi të funksionojmë si shtet pa njohje nga Serbia. Duhet ta përgatisim popullin se ne mund të funksionojmë edhe pa njohje nga Serbia. Sepse edhe nëse e formojnë asociacionin, Serbi prapë nuk do ta njeh Kosovën. Kosova duhet të jetë konstruktive në procesin e dialogut, nuk duhet të marrë përgjegjësinë për dështimin e dialogut. Nuk guxon që asnjë proces të dialogut ta bojkotojë, por duhet të shkoj e fuqishme dhe e vendosur në këtë proces.