Certifikata që ia pamundësoi ëndrrën Shpendit – të riut që sot punon në Kroaci - NACIONALE

Certifikata që ia pamundësoi ëndrrën Shpendit – të riut që sot punon në Kroaci

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ëndrra e Shpend Rashitit, një i ri nga qyteti i Gjilanit, ishte të bëhet polic. Shpallja e konkursit për zyrtarët të rinj policorë nga Policia e Kosovës në vitin 2015, ishte lajm i mirë për Shpendin. Megjithatë, aty dështoi në testin fizik.

Unë që i vogël kam ëndërruar të bëhem polic. Në konkursin që kishte shpallur policia, në vitin 2015 ose 16, nuk më kujtohet saktë, pata aplikuar, por dështova në testin fizik. Unë që aty i vura qëllim vetes - të përgatitem fizikisht në maksimum, që herën tjetër kur të aplikoj, t’i kryej të gjitha testet. Për këtë unë u regjistrova në një qendër fitnesi të qytetit, e u përgatita aq sa munda, për një test të tillë”, e nis rrëfimin e tij Rashiti për gazetën Nacionale.

Një konkurs tjetër për polic, ishte një tjetër shpresë për të. Megjithatë, tash problemi doli diku tjetër. I mungonte certifikata që nuk është nën hetime, e cila nxirret në Gjykatë. Arsye për këtë ishte një rrahje që kishte ndodhur vite më parë, në të cilën ai thotë se nuk ishte i përfshirë.

Megjithatë, Shpend Rashitit të gjitha përgatitjet i shkuan huç. Problemi doli me certifikatën që nuk është nën hetime nga ndonjë institucion i drejtësisë.

“Kur policia shpalli konkurs për policë të rinj, vitin e kaluar, unë me plotë besim fillova t’i kompletoja dokumetet që kërkoheshin për me apliku. Kur shkova në gjykatë, në Gjilan, për ta nxjerrë certifikatën që nuk jam nën hetime, aty më thanë që të vija e ta merrja certifikatën pas 24 orësh. Shkova, po çka me pa! Unë isha nën hetime, për një rrahje që kishte ndodhur në një kafene, ku unë pata qenë prezent me disa shokë. Anipse unë nuk kisha lidhje me atë rrahje”, tregon Shpendi.

Procesi gjyqësor u përmbyll, e Shpend Rashiti doli i pafajshëm. Megjithatë, kjo për të më ishte e parëndësishme. Kjo pasi, konkursin për tu bërë policë e humbi. Ai tash jetën e vazhdon duke punuar në ndërtimtari në shtetin e Kroacisë.

“Ky rast në gjykatë përfundoi, para pak muajsh, e ku unë u shpalla i pafajshëm, sepse në fakt ai djali që ishte përfshirë në rrahje, ishte në tavolinë me mua, por unë as nuk e njihja. Ishte si me thënë, shok i shokut. Unë s’kisha fare të bëja me atë rast. Sidoqoftë, mua për shkak të mos pajisjes me këtë certifikatë, mu shua ëndrra që të bëhem polic. Mendoj se një gjë e tillë është e padrejtë, sepse unë isha i sigurt që nuk jam fajtor për rastin. Por, çka t’i bësh. Këto janë ligjet tona”, përfundon rrëfimin Shpend Rashiti.

JE APO S’JE NËN HETIME?

Kompletimi i dokumentacionit është puna e parë që duhet të bëni, para se të aplikoni, jo vetëm në Policinë e Kosovës, por në secilin institucion, organizatë apo kompani. Deri këtu, gjithçka është në rregull.

Në mesin e dokumentave të domosdoshme që duhet t’ia bashkangjitni aplikacionit për punë, është edhe certifikata për dosjen penale, apo siç njihet gjerësisht, certifikata që nuk je nën hetime.

Kjo lloj certifikate nxirret nëpër Gjykata Themelore, ku paraprakisht aplikanti duhet ta dorëzojë një kopje të letërnjoftimit në formatin A4, të kopjuar në dy anët e tij. E nëse del se ju jeni nën hetime, qoftë edhe nga dyshime fillestare që ju lidhin juve me ndonjë vepër penale që nuk e keni kryer kurrë, aplikimi për punë do t’ju pamundësohet, për shkak të moskompletimit të dokumentacionit.

Çka thonë juristët?

Për këtë çështje, Gazeta Nacionale ka kontaktuar juristin Burim Tahiri, i cili mban titullin doktor i shkencave juridike.

Tahiri, këtë e sheh si anomali juridike, dhe shkelje të të drejtave të njeriut, duke dhënë sqarime:

Kërkesa e certifikatës e cila vërteton se ndaj subjektit të caktuar nuk është duke u zhvilluar procedurë penale, apo se ndaj subjetit të tillë nuk është shqiptuar ndonjë sanksion penal, në parim përben shkelje të lirive dhe të drejtave të Njeriut. E them këtë duke pasur parasysh garancitë kushtetuese dhe ligjore që kanë të bëjnë me prezumimin e pafajësisë. Si Kushtetuta, po ashtu edhe Kodi i Procedurës Penale përcaktojnë qartë se subjekti ndaj të cilit zhvillohet procedura penale konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin përfundimtar nga gjykata”, thotë Tahiri.

Ai tutje tregon se një “rregull e tillë” përmban edhe shkelje të kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Prandaj, duke pasur parasysh përcaktimet e mësipërme, kërkesa e certifikatës e cila dëshmon se ndaj subjektit të caktuar nuk është duke u zhvilluar procedurë penale bie në kundërshtim direkt me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Kodin e Procedurës Penale. Eliminimi i kandidatëve (për shkak të kësaj certifikate), në procedura të ndryshme rekrutimi, apo procedura për poste të tjera që në një mënyrë kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës, ia cenon edhe të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutën e vendit tonë”, vazhdon shpjegimin e tij Tahiri.

Ai tutje, u bën thirrje organeve përgjegjëse ta rregullojnë këtë çështje, sepse sipas tij, pa një vendim përfundimtar të gjykatës askujt nuk mund t’i mohohet pjesëmarrja në procedurat e rekrutimit.

Duke pasur parasysh faktin se ndaj atyre subjekteve nuk ekziston ndonjë vendim përfundimtar i cili do ta dënonte për ndonjë vepër penale sipas së cilës do t’i ndalohej ushtrimi i profesionit, eliminimi me këtë certifikatë bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Kodin e Procedurës Penale, prandaj konsideroj se praktika e tillë është e dëmshme dhe duhet sa më parë të ndalohet nga institucionet e Republikës së Kosovës. Pa ekzistencën e një dënimi penal, sipas të cilit të pandehurit do t’i ndalohej ushtrimi i profesionit, kandidati nuk mund të eliminohet nga procedurat e rekrutimit, sepse një eliminim i tillë nuk ka mbështetje në asnjë normë juridike në Republikën e Kosovës”, thotë juristi Tahiri.

Burim Tahiri

PREZUMIMI I PAFAJËSISË

Një person është i pafajshëm deri sa të mos vërtetohet e kundërta nga Gjykata. Ky nuk është term që mund ta lexoni vetëm nëpër disa emisione televizive apo tekste të gazetarisë. Është prezumim i pafajësisë për secilin person, që për një arsye ose tjetrën, ka probleme me ligjin.

Prezumimi i pafajësisë: “Kuptimi i parimit të pafajësisë sipas Kodit të Procedurës Penale është se i pandehuri ose personi i dyshuar prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. Çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit. Ky parim është i ngurtësuar si një nga parimet më të rëndësishmë në Kushtetutë dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Çdo dyshim duhet të shkojë në favor të të pandehurit, dhe ky parim do të konsiderohej i cenuar, nëse barra e provës do të kalonte nga akuza tek i pandehuri.”

Pra, nëse organet e drejtësisë dyshojnë se ju keni kryer një vepër penale, barra e përgjegjësisë për ta vertetuar një gjë të tillë bie mbi organet përgjegjegjëse, e jo tek ju.

Pavarësisht kësaj, e drejta për të punuar mund të ju cenohet për shkak të rregullës se ju nuk duhet të jeni nën hetime fare, për të aplikuar për punë. Ani pse me hetim nuk nënkuptohet fajësi. Edhe nëse shumë herë del e kundërta, vendi i punës që keni synuar, tash mund të jetë i dikujt tjetër.

Lajme të ngjashme