Ndërpritet mësimi në disa shkolla - shkak gjendja e rrezikshme e krijuar pas vërshimeve - NACIONALE

Ndërpritet mësimi në disa shkolla - shkak gjendja e rrezikshme e krijuar pas vërshimeve

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Shiu i rrëmbyeshëm që ka rënë sot gjatë ditës në shumicën e komunave të vendit ka pamundësuar qarkullimin normal të veturave, dhe jo vetëm, në disa prej vendbanimeve.

Më i prekuri del të jetë rajoni i Dukagjinit. Madje, në Istog disa shkolla nesër nuk do të mbajnë mësim, pasi lëvizja në rrugët respektive nga ana e nxënësve përbën rrezik.

Këtë e konfirmoi vet komuna, përmes një komunikate të publikuar para pak çastesh.

Të nderuar mësimdhënës, nxënës dhe ju prindër pas reshjeve të mëdha të shiut në Komunën e Istogut, është vështirësuar qarkullimi dhe për shkak të rrezikut që paraqet kalimi i nxënësve në ato rrugë ndërprehet mësimi për ditën e nesërme me 21.11.2022 në këto shkolla: Gjimnazi "Haxhi Zeka" Istog, SHFMU "Bajram Curri" në Istog, Kopshti i Fëmijëve "Gëzimi Ynë" në Istog dhe SHFMU "Ndre Mjeda" në Rakosh. Në shkollat e tjera mësimi do të zhvillohet normalisht”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Autoritetet

Në anën tjetër, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes. Veç kësaj, bëhet e ditur se ekipet e menaxhimit janë në terren dhe se po shqyrtojnë të gjitha masat e nevojshme.

“Sapo kam pranuar raportin nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave rreth gjendjes së krijuar me ç’rast konfirmohet se në zonën e Dukagjinit kemi dëme të ndryshme nga vërshimet. Momentalisht, situata është duke u menaxhuar dhe është në monitorim të vazhdueshëm nga Qendrat Emergjente në të gjitha komunat”, ka shkruar ministri i punëve të brendshme.

Tutje, Sveçla shtoi se Qendrat Operative Emergjente janë në detyrë dhe në gjendje gatishmërie, andaj ka propozuar që të kontakohen për çdo vështirë eventuale me të cilën mund të përballen banorët e zonave.

“Përballë kësaj situate të krijuar, ju bëj thirrje të gjithëve për kujdes të shtuar. Qendrat Operative Emergjente janë në detyrë dhe në gjendje gatishmërie andaj ju lus të kontaktoni përmes numrit emergjent 112 rreth çdo vështirësie me të cilën mund të përballeni”.

Kryetarët

Lidhur me këtë, Gazeta Nacionale sot gjatë ditës kontaktoi me disa nga kryetarët, që veçse kishin dalur në vendngjarje, për t'i parë dëmet e shkaktuara.

Një nga ta ishte edhe ai i Mitrovicës Jugore, Bedri Hamza. Hamza, në një prononcim dhënë gazetarit Besian Beha, kishte shtuar se situata është serioze.

“Gjendja është bukur e vështirësuar pasi që Mitrovica ka 4 lumenjë, reshjet e shiut janë të vazhdueshme. Niveli i ujit është ngritur, brenda kapaciteteve jemi duke marrë të gjitha masat, mirëpo realisht siç po shihet reshjet do të vazhdojnë dhe situata është serioze. Me institucionet qendrore po tentojmë me pas kontakt, por nuk kemi diçka konkrete. Situata mundet me u përkeqësu, në disa vende pasi lumenjtë veç kanë dalë prej shtratit”, ka deklaruar Hamza.

Paralajmërimi i Institutit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar qysh dje mundësinë për vërshime, sidomos në rajonin e Dukagjinit.

“Reshjet e shiut të cilat kanë filluar nga sot datë 18/11/2022, pritet që të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, të cilat do të shtohen gjatë pasdites së shtune datë 19/11/2022 deri të hënën me datë 21/11/2022 me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale. Më të theksuara do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec), pastaj pjesa Veriore, qendrore, jugore edhe ajo lindore e vendit. Këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, (efekti flash flood), të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim”, thuhej në njoftim.

Më poshtë ndërkaq, gjeni pamjet pa koment të marra nga Nacionale gjatë orëve të mbrëmjes të së dielës.

Lajme të ngjashme