“Situata është serioze”: Kryetarët e komunave flasin për gjendjen e rënduar nga vërshimet - NACIONALE

“Situata është serioze”: Kryetarët e komunave flasin për gjendjen e rënduar nga vërshimet

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Shumë nga komunat e Kosovës mëngjesin e sotëm janë zgjuar me vërshime, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut që kanë rënë ditëve të fundit. Reshje të dendura ka pasur sidomos gjatë 24 orëve të fundit, që ka shkaktuar vërshime nëpër disa komuna.

Komunat më të prekura për momentin janë Peja, Istogu, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaj, por edhe komuna të tjera kryesisht në rajonin e Dukagjinit.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me kryetarët e komunave që kanë më shumë probleme, dhe ata kanë paralajmëruar se nëse reshjet e shiut nuk ndalen, situata do të përkeqësohet.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë për Nacionalen se situata është serioze. Ai ka bërë të ditur se po tentojnë të kontaktojnë edhe me institucionet qendrore për të kërkuar ndihmë, pasi disa nga lumenjtë veç se kanë dalur nga shtrati.

“Gjendja është bukur e vështirësuar pasi që Mitrovica ka 4 lumenjë, reshjet e shiut janë të vazhdueshme. Niveli i ujit është ngritur, brenda kapaciteteve jemi duke marrë të gjitha masat, mirëpo realisht siç po shihet reshjet do të vazhdojnë dhe situata është serioze. Me institucionet qendrore po tentojmë me pas kontakt, por nuk kemi diçka konkrete. Situata mundet me u përkeqësu, në disa vende pasi lumenjtë veç kanë dalë prej shtratit”, ka deklaruar Hamza.

May be an image of body of water, nature and tree

E kolegu i Hamzës nga partia dhe komuna e afërt me Mitrovicën, Ferit Idrizi që është kryetar i Vushtrrisë, ka deklaruar se për momentin nuk ka rrezik, por që nëse reshjet vazhdojnë, situata mund të vështirësohet.

“Jam në terren me kompani. Gjendja është nën kontroll, të shpresojmë që edhe të ndalet shiut. Kapak dikund ka pasur vërshime, por kemi mobilizuar kompanitë, dhe janë duke punuar. Njëherë nuk ka ndonjë rrezik, me bo mos me u ndalë shiu, nuk i ndihet”, deklaroi Idrizi për gazetën Nacionale.

Vërshime në komunat e Dukagjinit

Sa herë që ka reshje më të dendura të shiut, komunat që shtrihen në zonën e Dukagjinit janë më të prekurat. Njëjtë ka ndodhur edhe sot ku në Pejë, Istog e Junik, janë raportuar vërshime. Madje në disa zona, uji ka depërtuar edhe në shtëpitë e banorëve.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë për Nacionalen se për momentin nuk ka rrezik.

“Shumë mirë, jam duke i vizituar me inxhinierë krejt kanalet. Jemi duke e përballuar mirë, ka ndonjë vend ku ndonjë qytetar ka bërë ndonjë punim dhe ka vërshime, mirëpo për momentin nuk ka rrezik. Për momentin, jo”, theksoi Muhaxheri.

E situatën po thonë se e kanë nën kontroll edhe në Istog. Kështu ka deklaruar për Nacionalen drejtori i Emergjenca në Istog, Xhevat Demaj.

“Gjendja nën kontroll, ka dëme, uji ka dalur në qendër. Të gjitha ujërat përrockat kanë vërshuar, mirëpo janë nën kontroll. Jemi duke intervenuar. Janë dalë bagerat në terren, ka dëme, mirëpo për momentin gjendjen e kemi nën kontroll”, theksoi Demaj.

Në komunat që edhe në të kaluarën kanë qenë të prekura nga vërshimet janë edhe Rahoveci, Malisheva dhe komuna të tjera.

Situatë pak më e qetë raportohet të jetë në Malishevë. Drejtori për Mbrojtje atje, Shqipron Shala, ka thënë për Nacionalen se probleme ka pasur vetëm në një rrugë.

“Për Momentin është vetëm rruga e Tranzitit në Malishevë rrugë që ka vështërësi në kalueshmeri, ndonëse është e kalueshme. Ekipet kanë intervenuar që nga mëngjesi dhe është gjithçka nën kontroll. Kjo rrugë është më e frekuentuar prej veturave dhe e bënë kalueshmërinë më të vështirë. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të ndërtimeve që janë duke u bërë në atë pjesë dhe se edhe reshjet më pas e kanë vëshirësuar kalueshmërinë. Mirëpo meqenëse është rruga tjetër alternative për qytetarët që munden me kalu, pra rruga përreth Qendrës së Kompetencës nuk besoj që kaq ndonjë vështirësi në kalim”, ka thënë Shala.

Paralajmërimi i Institutit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar qysh dje mundësinë për vërshime, sidomos në rajonin e Dukagjinit.

“Reshjet e shiut të cilat kanë filluar nga sot datë 18/11/2022, pritet që të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, të cilat do të shtohen gjatë pasdites së shtune datë 19/11/2022 deri të hënën me datë 21/11/2022 me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale. Më të theksuara do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec), pastaj pjesa Veriore, qendrore, jugore edhe ajo lindore e vendit. Këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, (efekti flash flood), të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim”, thuhej në njoftim.

Tashmë disa nga komunat ashtu siç u bë e ditur, po kontaktojnë me institucionet qendrore për të kërkuar ndihmë.

May be an image of road
May be an image of road, sky and body of water

Lajme të ngjashme