Memli mundohet të bëhet poetik me Heminguejn për veriun, por “sharron” në shqipe - NACIONALE

Memli mundohet të bëhet poetik me Heminguejn për veriun, por “sharron” në shqipe

3 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Në një pasdite dhjetori si sot - e këndshme e me mot të ngrohtë si në pranverë -, njerëzve, duke qëndruar në ballkonet e banesave a në ndonjë park, mund t’u kujtohen ditët e rinisë, ndonjë përjetim a ndonjë titull libri që e kanë lexuar ose vetëm ia kanë dëgjuar titullin. Një titull libri, si duket, iu kujtua të shtunën edhe kryetarit të partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Memli Krasniqi.

Ai e zgjodhi titullin e romanit të njohur, “Për kë bie këmbana”, të shkrimtarit gjithashtu shumë të njohur amerikan, Ernest Heminguej, kur vendosi të shkruante për situatën në pjesën veriore të Kosovës.

Edhe pse titulli i shkrimit të kryeopozitarit Krasniqi në “Facebook” mund ta krijojë përshtypjen se rreshtat e mëposhtëm do të jenë në frymë poetike, mund të zhgënjeheni. Fjalitë, përpos që nuk janë aq poetike, kanë edhe disa gabime themelore drejtshkrimore.

Krasniqi e shkroi gabimisht foljen “ndodh” në fjalinë: “Në pjesën veriore të Kosovës po ndodhë pikërisht ajo që kemi paralajmëruar ditë më parë dhe, e cila, në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë.”

Në këtë rast, folja “ndodh” është në mënyrën dëftore, në vetën e tretë dhe në numrin njëjës, prandaj nuk shkruhet “po ndodhë”, por “po ndodh”.

Gabimin e njëjtë e bëri edhe në fjalinë e tretë: “Vetëm pse Qeveria po heshtë dhe po e injoron si fakt, kjo nuk do të thotë se në pjesën veriore nuk po krijohet një realitet i ri.”

As në këtë rast, nuk shkruhet “po heshtë”, por “po hesht”.

Krasniqi e përdori gabimisht si ndajfolje mbiemrin “i zëshëm”, duke shkruar “Zëshëm.”

Gjithashtu, ai e shkroi gabimisht foljen “cenohet”, duke e shkruar “cënohet”.

Kryetari i Partisë Demokratike ka shkruar gabimisht edhe disa trajta të shkurtra, por ato nuk po i shtjellojmë sot - për ta kursyer kohën.

Lajme të ngjashme