Të mësojmë nga gabimet e kryeministrit Kurti në shkrimin e tij për Kongresin e Drejtshkrimit - NACIONALE

Të mësojmë nga gabimet e kryeministrit Kurti në shkrimin e tij për Kongresin e Drejtshkrimit

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar me një shkrim të gjatë udhëheqësve të Shqipërisë dhe disa profesorëve e akademikëve me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. Sidoqoftë, në shkrimin e Kurtit vërejmë të paktën shtatë gabime drejtshkrimore.

Kurti e ka përdorur në vend të gabuar trajtën e shkurtër të bashkuar “iu”, në vend se ta përdorte trajtën e shkurtër “ju”, në fjalinë:

Ndihem me fat dhe jam fort i nderuar që mund t’iu drejtohem në këtë Konferencë Jubilare të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Shkruesi i drejtohet vetës së dytë të numrit shumës [juve ju drejtohem], por e përdor trajtën e shkurtër për vetëm e tretë [atyre iu drejtohem].

Në fjalinë pasuese, Kurti e shkruan gabimisht përemrin “ju”, duke shkruar:

Dhe më vjen keq që m’u desh të udhëtoj për Paris e nuk mund të jem me juve fizikisht në Tiranë.

Në fjalinë e mësipërme, përemri është përdorur në rasën kallëzore dhe duhet të shkruhet “me ju”, jo “me juve”.

Shkrimin e plotë, të publikuar në uebfaqen e Zyrës së Kryeministrit, mund ta lexoni KËTU.

Më poshtë, në një paragraf tjetër, Kurti ka filluar një fjali me lidhëzën kundërshtore, “por”, dhe ka përdorur presje pas saj. Fjalia është kjo:

Por, rruga drejt sendërtimit të këtij synimi nuk ishte e lehtë.

Presja nuk përdoret pas kësaj lidhëze, kur nuk ka ndonjë ndajshtim të veçuar pas saj. Presja do të përdorej para lidhëzës kundërshtore “por”, nëse fjalia e varur do të ishte pjesë e një fjalie të përbërë me nënrenditje.

I njëjti gabim është bërë edhe në një fjali tjetër:

Por, puna e mirëfilltë e planifikimit të një gjuhe standarde shqipe nisi me themelimin e Komisisë Letrare Shqipe, në Shkodër e cila punoi gjatë viteve 1916-18, e udhëhequr nga Gjergj Pekmezi dhe Luigj Gurakuqi.

Kurti e ka përdorur në mënyrë të gabuar pjesëzën “i” para një grupi emëror në numrin shumës, në një fjali në kohën e kryer të thjeshtë:

Sepse, ashtu si shumë herë në historinë tonë, veprimet dhe vendimet rreth gjuhës shqipe i paraprinë veprimeve dhe vendimeve politike.

Trajta e shkurtër e bashkuar “iu” duhet të përdoret në këtë fjali.

Në një paragraf tjetër, e ka shkruar në mënyrë të gabuar emrin “lëmë” në numrin shumës. Kurti ka shkruar “lëmi të ndryshme”, por duhet të shkruhet “lëmenj të ndryshëm”.

E ka shkruar gabimisht edhe mbiemrin “letrar” pas një emri në numrin shumës: “korrektues letrar”. Numri shumës i emrit “korrektues” nënkuptohet nga vargu i gjymtyrëve homogjene në shkrimin e Kurtit:

“p.sh. fjalorë onlajn për gjuhën letrare, apo për lëmi të ndryshme, korrektues letrar etj.”

Lajme të ngjashme