Kryeopozitari izraelit thotë se pakti në ardhje ShBA - Iran është i keq për Izraelin dhe rajonin - NACIONALE

Kryeopozitari izraelit thotë se pakti në ardhje ShBA - Iran është i keq për Izraelin dhe rajonin

1 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Marrëveshja që po diskutohet mes Shteteve të Bashkuara he Iranit nuk e siguron arritjen e ndonjërit prej qëllimeve të luftës të Izraelit, tha të hënën kryeopozitari izraelit, Yair Lapid, duke e akuzuar kryeministrin Benjamin Netanyahu se ka dështuar që të ndikojë për të siguruar një marrëveshje më të mirë.

Lapidi, i cili është pjesë e një aleance që po përpiqet ta rrëzojë Netanyahun nga pushteti në zgjedhjet e këtij viti, tha se hollësitë e marrëveshjes në ardhje janë “shqetësuese”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Marrëveshja është e keqe për Izraelin, e keqe për rajonin, e keqe për qytetarët e Iranit” – tha opozitari izraelit para gazetarëve në Jerusalem.

Izraeli dhe ShBA-ja e nisën luftën më 28 shkurt me zotimin se do ta shkatërronin programin iranian të raketave balistike, se do t’i jepnin fund mbështetjes që ky shtet ua ofron grupeve militante prokura në mbarë rajonin dhe do t’i jepnin fund aftësisë së Iranit për ta ndjekur prodhimin e një bombe bërthamore. Netanyahu dhe presidenti amerikan, Donald Trump, gjithashtu kanë thënë se shpresonin se do t’i krijonin kushtet për rrëzimin e pushtetit aktual në Iran.

Sipas zyrtarëve rajonalë, në bazë të marrëveshjes që është aktualisht duke u diskutuar, Irani do hiqte dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë dhe do ta rihapte Ngushticën strategjike të Hormuzit në këmbim të përfundimit të bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe heqjes së sanksioneve ndaj Teheranit. Hollësi kyçe rreth programit bërthamor iranian do të negocioheshin më pas gjatë një periudhe 60-ditore. Është e paqartë nëse marrëveshja do t’i adresojë raketat iraniane ose mbështetjen për grupet militante rajonale.

Lapidi shprehu mirënjohje për Trumpin për nisjen e luftës bashkë me Izraelin, por e kritikoi Netanyahun se e ka lejuar Uashingtonin që të negociojë një marrëveshje të mundshme me pak bashkërendim me Izraelin.

“Qeveria izraelite është në pikën më të ulët të të gjitha kohërave në aftësinë e saj për të ndikuar në vendimet në Uashington” – tha ai, duke theksuar se Trumpi javën e kaluar kishte thënë: “Netanyahu do të bëjë çfarëdo që unë dua që ai të bëjë.”

Netanyahu në mënyrë të përsëritur i ka bërë të ditur Trumpit se Izraeli e mban “lirinë e veprimit” kundër kërcënimeve në cilëndo fushë, sipas një zyrtari të afërt me bisedat e kryeministrit izraelit me Trumpin, duke folur në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar që të fliste me media.

“Izraeli është shtet sovran, ne s’jemi shtet vasal dhe nuk jemi protektorat” – tha Lapidi, i cili për një kohë të shkurtër më 2022 kishte shërbyer si kryeministër i vendit, si pjesë e një marrëveshjeje rotacioni me Naftali Bennett-in, udhëheqës i një partie të vogël konservatore. Koalicioni i tyre u kishte dhënë fund 12 viteve të Netanyahut në pushtet.

Lapidi ka shërbyer si udhëheqës i opozitës izraelite që nga rikthimi i Netanyahut në pushtet në fund të vitit 2022, ndërsa Bennett-i ishte tërhequr përkohësisht nga politika.

Lapidi është njëri nga politikanët izraelitë që e mbështesin idenë e pavarësisë palestineze. Megjithatë, ai tha se kjo çështje nuk do të jetë në agjendën e qeverisë së re, sepse, sipas tij, nuk ekzistojnë kushtet e duhura pas traumës së shkaktuar nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 dhe luftërave që pasuan.

“Nuk do të ketë zgjidhje me dy shtete në vitet në vijim, sepse izraelitët tani kuptojnë se ky do të bëhet vetëm një shtet tjetër terrorist në dështim pranë kufirit tonë” – tha Lapidi, duke shtuar se Autoriteti Palestinez nuk e ka aftësinë që në mënyrë efikase t’i parandalojë sulmet kundër Izraelit./Nacionale

Lajme të ngjashme