Me çka të ngrohemi në dimër? Rritja e çmimit të peletit shqetëson qytetarët në Kosovë - NACIONALE

Me çka të ngrohemi në dimër? Rritja e çmimit të peletit shqetëson qytetarët në Kosovë

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Rritjes së çmimeve nuk i ka shpëtuar as lënda djegëse e quajtur pelet. Peleti pra, që përdoret për ngrohje nga kosovarët është shtrenjtuar. Tash, në pikun e verës një ton pelet po kushton deri në 400 euro e para një viti për sasinë e njejtë ka kushtuar 179 euro.

Tash e sa kohë rritja e çmimeve është bërë temë aktuale dhe e diskutueshme në familjet kosovare. Thuajse të gjithë artikujt kanë pësuar rritje, si produktet ushqimore edhe ato të tjera.

Edhe peleti, që përdoret si masë për ngrohje në familjet në Kosovë, është shtrenjtuar duke i detyruar ata që të mendojnë opsione tjera për ngrohje gjatë dimrit.

Kështu na tha një qytetar nga Prishtina, Besnik A. i cili ka të instaluar në shtëpinë e tij, ngrohjen me pelet.

Ai tha se po e shqyrton mundësinë që të ngrohet me energjie elektrike, ose duhet të gjejë një zgjidhje tjetër.

Me këtë çmim aktualisht të pelet, unë nuk mundem me ia dalë me u ngrohë gjatë dimrit. Shumë shtrenjtë plus tash nuk është hala sezona e dimrit e që çmimi pritet me u rrit hala ma shumë. Nuk e di ndoshta me energji elektrike”, na tha ai.

Tutje ai theksoi se shpenzon më shumë se një ton pelet, e që atij do t’i kushtojë afro 800 euro duke u bazuar në çmimin aktual të peletit në treg.

Ndërsa për rritjen e çmimit të peletit, edhe më shumë na konfirmoi edhe Besarta Tushi nga kompania “EuroCoop” që merret me shit-blerjen e peletit.

Tushi për Nacionalen tregoi se çmimi i peletit aktualisht për produktin më të mirë është 480 euro një ton, teksa pritet që çmimi të mbërrijë 500 euro. Ndërsa për llojin tjetër është 380.

Ajo gjithashtu tha se furnizimin e bëjnë nga Bullgaria dhe Serbia e këtë vit çmimet janë tjera.

"Janë dy lloje të peletit a1 edhe a2. a1 për momentin është 480 e po pritet pritet me shku deri 5oo euro toni. a2 për momentin me marrë në Serbi e ki 340 tonin, transporti e këto mandej normal që e bëjnë ma shtrejtë, del diku 380 euro. Na furnizohemi pre Bullgarisë edhe Serbisë. Po deri në dimër ka me u rritë ma shumë se 500 euro, se tash dmth s'është sezona e tij edhe po shihen çmimet që janë dukshëm ma ndryshe se vitin e kalum", ka thënë ajo.

Sipas ASK-së, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj, janë rritur 33.6 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2021.

Pëveç rritje së çmimit të peletit, rritje ka pësuar edhe metra e drunjëve. Këtë viti një metër e drunjëve pritet të kushtojë 50 euro nga 45 sa ishte vitin e kaluar.

Ndërkohë ky çmimi sipas tregtarëve me të cilët ka biseduar Nacionale, pritet të shkojë deri në 60 euro gjatë kohës të sezonit dimëror.

Rritja e çmimeve

Inflacioni sipas Agjencisë së Statistikave (ASK) ka shkuar në 14.1 për qind, shifër rekorde për Kosovën dhe kjo shpjegohet me rritje të çmimeve si buka dhe drithërat, qumështi, djathi, vezët, vajrat dhe yndyrat ushqimorë, primet, sheqeri etj.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022.

Ndërkohë, Qeveria e ka kaluar në Kuvend Ligjin për Pagën Minimale e cila do të rritet nga 130 dhe 170 sa ishte më herët në 250 euro. Por, ka shumë skepticizëm se numri i qytetarëve që do të përfitojnë nga një gjë e tillë, do të jetë i lartë.

Ndryshe, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka vendosur çmime tavan për derivatet e naftës, teksa ka paralajmëruar vendosje të çmimit tavan edhe për produkte të tjera bazike, mirëpo kjo deri më tani nuk ka ndodhur.

Lajme të ngjashme