Mbi një milion njerëz u futën në Kosovë për një muaj, rritje drastike e numrit të mërgimtarëve - NACIONALE

Mbi një milion njerëz u futën në Kosovë për një muaj, rritje drastike e numrit të mërgimtarëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Hyrjet në Kosovë përmes pikave kufitare janë ndjeshëm më të shpeshta me nisjen e stinës së verës. E gjithë kjo, për shkak të mërgatës që shfrytëzon pushimin vjetor për të vizituar familjet por edhe vendlindjen. Megjithëse në qershor përshtypja ishte se mërgimtarët erdhën më pak, statistikat japin shifra tjera.

Në muajin e gjashtë të këtij viti, në të gjitha pikat kufitare të vendit – përfshirë edhe aeroportin “Adem Jashari” – në Kosovë kanë hyrë mbi një milion persona. Që të jemi krejtësisht të saktë, numri është një milion e 124 mijë e 753 persona.

Natyrisht, jo të gjithë janë mërgimtarë sepse në statistikë janë të përfshirë gjithsej 14 pikë-kalime, ndërkohë që nuk ka asnjë filter për të reduktuar të ardhurit sa i përket etnisë së tyre apo edhe vendbanimit.

Kjo nënkupton se në statistikë përveç diasporës janë përfshirë edhe banorët serbë, por edhe të etnive tjera, sikurse janë përfshirë edhe banorët shqiptarë të Kosovës me vendbanim në Kosovë dhe jo në shtetet perëndimore.

Pika kufitare me më së paku hyrje gjatë këtij viti, isthe ajo e Mutivodës me 5224 qytetarë. Ndërkohë që pika me më së shumti hyrje është ajo e Vërmicës, me 438 mijë qytetarë.

Gjatë vitit të kaluar, hyrjet nga këto pikëkalime ishin ndjeshëm më pak. Numri i qytetarëve që u futën në Kosovë gjatë qershorit 2020 ishte 953 mijë e 167 persona.

Në qershorin e vitit 2021, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë futur në Kosovë 94 mijë e 404 persona, ndërsa në qershorin e këtij viti numri është rritur ndjeshëm në 138 mijë e 47 persona.

Pikërisht Aeroporti mund të konsiderohet si një matës më real i rritjes së numrit të mërgimtarëve që janë kthyer në Kosovë.

Megjithatë, duhet përmendur se shumë shtete perëndimore në verën e vitit të kaluar kishin vënë masa kufizuese për parandalimin e përhapjes së pandemisë, e të cilat afektonin shumë mërgimtarë gjatë kthimit në vend.

Kosova kishte hequr në majin e vitit 2021 shumë prej masave restriktive, çka kishte çuar në një valë shumë vdekjeprurëse gjatë muajit gusht dhe shtator për shkak të pandemisë Covid-19.

Vlen të theksohet që përsëri numri i rasteve të reja në Kosovë është rritur në numra tre-shifrorë, por deri më tash nuk ka masa të reja kufizuese.

Tabela e plotë e policisë së Kosovës për hyrjet gjatë muajve qershor të vitit 2021 dhe 2022:

Lajme të ngjashme