Mantelbardhët propozojnë që ministër i Shëndetësisë të bëhet dikush nga QKUK-ja - NACIONALE

Mantelbardhët propozojnë që ministër i Shëndetësisë të bëhet dikush nga QKUK-ja

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Ministër i Shëndetësisë duhet të jetë dikush që vjen nga oborri i QKUK-së. Kështu po deklarojnë mjekë e infermierë kosovarë. Këta të fundit, pas dorëheqjes së ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë thënë se në krye të shëndetësisë kosovare duhet të jetë një doktor ose një infermier i cili i njeh për së afërmi problemet e sistemit.

Nënkryetari i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve Shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku, thekson se ministri i ri i Shëndetësisë kësaj radhe duhet t’u takojë infermierëve.

Ai ka theksuar se shumica e ministrave të këtij dikasteri deri më tani ishin politikë ose komunitet jashtë funksionit të infermierëve.

Duhet të emërohet një infermier si ministër i Shëndetësisë, ndërsa të lejohet edhe kandidimi i infermierëve në konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të ShSKUK-së, ndërsa ju premtoj që nuk do zhgënjeheni nga rezultatet, pasi rezultatet pozitive deri më sot janë meritë e infermierëve”, thotë Duraku.

Ai i ka përmendur edhe arsyet përse një infermier duhet ta menaxhojë sistemin e shëndetësisë kosovare.

“Sa për informacion, po mos të ishte menaxhimi i Kryeinfermierëve të Klinikave të QKUK-së, sigurimi i mbarëvajtjes së punëve, menaxhimi i duhur i pandemisë COVID-19, sigurimi që secili qytetar të ketë në kohë shërbimin apo edhe nevojat e tjera, të cilat i përfshijnë edhe barërat dhe materialin tjetër, sistemi shëndetësor në Republikën tonë nuk do ishte as në këtë gjendje që është, mirëpo edhe më keq”, ka shkruar Duraku.

E se ministri duhet të jetë mantelbardhë e thonë edhe mjekët e QKUK-së.

Specialisti Dr. Florin Zejnullahu thekson se çdo ministër i shëndetësisë që vjen nga jashtë oborrit të QKUK-së, do të dështojë.

“Pse të nënçmohet një ushtri e tërë mjekësh në Kosovë me të tilla spektakle politike? Askush më mirë se ata që janë duke e bartur mbi supe tërë brishtësinë e sistemit dhe qëndrojnë në këmbë me kokë në Kosovë nuk do të mund ta udhëhiqte këtë sektor”, ka shkruar doktori Zejnullahu.

Oftamologu ka theksuar se mjekët kosovarë po nënçmohen nga politika.

Politika po i nënçmon ata qe po e mbajnë shtetin dhe po na bjen bedela nga jashtë dhe jashtprofesional nga politika vendore. Nuk është shëndetësia politikë o matrapaza, shëndetësia është ushtri e bardhë qe duhet të rregullohet urgjent dhe me prioritet, s’ka lidhje sistemi shëndetësor me politikeë dhe fushata elektorale”, shkruan tutje Zejnullahu.

Lista GUXO propozon një mjek për ministër të Shëndetësisë

Si emër i përfolur për ministër të Shëndetësisë është edhe specialisti i neurokirurgjisë, deputeti Haxhi Avdyli. Nga ky subjekt politik kanë theksuar se Kurtit do t’ia propozojnë emrin e Avdylit për ministër.

Unë mendoj që Partia Guxo ka një kandidat të shkëlqyer, mendoj që deputeti Haxhi Avdyli, jo vetëm që do t’i shërbente këtij institucioni… Nëse kryeministri Kurti do të jetë dakord, unë do t’ia bëj këtë propozim. Prandaj shprehjet e mendimit individual të deputetëve janë shumë të mirëseardhura. Unë mendoj që Burim Meta e ka pasur në mendje Haxhi Avdylin. Mua Haxhi Avdyli më duket se është kandidati më i mirë i mundshëm”, shtoi Donika Gërvalla mbrëmë në televizionin publik.

I përfolur për ministër edhe specialisti i mjekësisë interne

Pas dorëheqjes së Latifit, në publik filluan të qarkullonin emra të mundshëm të personave të cilët potencialisht do të mund ta zinin vendin e Latifit në MSh.

Sipas burimeve të Gazetës Nacionale, si kandidat potencial u përmend Driton Vela. Vela është asistent në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës si dhe specialist i mjekësisë interne.

Nacionale e kontaktoi të premten z.Velën. Ai ka thënë se deri në momentin kur e zhvilloi bisedën me Nacionalen, nuk ka marrë asnjë ofertë apo ftesë për takim nga krerët qeveritarë për të diskuar rreth pozitës së ministrit të Shëndetësisë.

Nuk mund të hamendësoj asgjë - të flas për një pozitë përderisa s'kam marrë ofertë ose diçka tjetër. Nuk merrem me spekulime. Unë jam shkencëtar, i dua gjërat konkrete", i tha Vela të premten Nacionales.

Vela në vitin 2018 e kishte fituar Çmimin “Shkencëtari i Vitit”. Ai ka botuar libër nga fusha e mjekësisë: “Fiziologjia e Sistemit Kardiovaskular”.

Kujtojmë se Driton Vela, vëllai i shefit të kabinetit të Presidentes Osmani, Blerimit, në vitin 2019 u bë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithëkëtë, emri i parë që diskutohej për ta pasuar Latifin e për t’u rikthyer si ministër, ishte Arben Vitia. Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e kishte lënë këtë detyrë që të kandidonte për kryetar të Prishtinës, në një deklaratë për Nacionalen e ka mohuar mundësinë e rikthimit në MSh.

“Jo, nuk kam asnjë interesim. Nuk kam qenë në dijeni më herët, është lajm ky që sapo ma thatë”, tha Vitia për Nacionalen. Vitia së fundi është emëruar në pozitën e menaxherit në klinikën private, “Olive”.

Rikthimin e Vitisë në krye të Shëndetësisë e ka kërkuar edhe Xhevdet Pozhari, analist i çështjeve politike. Ai e ka lavdëruar ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se shëndetësia nuk ka pasur kurrë ministër më të përkushtuar.

Puna e ish-ministrit Latifi

Synimet kryesore të z. Latifi ishin reforma në sektorin e shëndetësisë kosovare, kthimi i trurit në Kosovë si dhe projekti për telemjekësinë.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore si dhe kthimin e trurit të larguar tash e 20 vjet nga Kosova, do të parandalohet largimi i pacientëve tanë për në vendet në rajon dhe, kështu, këtë investim shtetëror dhe individual në spitalet e huaja e kthejmë në shtëpinë tonë dhe i modernizojmë spitalet tona”, kishte thënë Latifi pas marrjes se postit. Sidoqoftë, nuk kaloi kohë e gjatë dhe pritjet filluan të zbeheshin. Për një periudhë shumë të shkurtër, ai u bë ministri më i kritikuar në Qeverinë Kurti.

Kritikat kryesore ndaj Latifit kanë qenë për neglizhencë dhe për mungesë të përgjegjësisë. Të enjten e parë të tetorit, Latifi ia dorëzoi dorëheqjen kreut të ekzekutivit kosovar, Albin Kurti. Kurti dje e emëroi zëvendësministren Dafina Gexha – Bunjaku si ushtruese të detyrës së ministres në Ministri të Shëndetësisë./Nacionale/

Lajme të ngjashme