Maliqi: Në Kosovë, niveli i shtjellimit të temave ndërkombëtare është inferior, provincial, mediokër dhe folklorik
Analisti i politikës, Agon Maliqi, e ka kritikuar mungesën e ekspertëve që i analizojnë temat ndërkombëtare, e që, sipas tij, po na dëmton në raport me politikën e Jashtme.
Maliqi ka thënë se dështimi i Kosovës në këtë aspekt është për shkak të elitave që e kanë udhëhequr me vendin.
Ai thotë se në Kosovë, shtjellimi i temave ndërkombëtare është inferior, provincial, mediokër dhe folklorik.
“Mijëra bursa, studime dhe projekte të shoqërisë civile për integrime evropiane, ndërsa “poplli” hala me iluzione të tipit “Ballkani ka gjasa të futet në BE për pak vjet”. Qindra ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë, çdo i dyti emision në TV me tema politike, e “poplli” merr hyxhym në kurriz të Ukrainës me fushata “Kosova në NATO”, pa qenë Kosova e njohur prej katër shteteve anëtare”, ka shkruar ai në Facebook.
Shkrimi plotë:
Mijëra bursa, studime dhe projekte të shoqërisë civile për integrime evropiane, ndërsa “poplli” hala me iluzione të tipit “Ballkani ka gjasa të futet në BE për pak vjet”. Qindra ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë, çdo i dyti emision në TV me tema politike, e “poplli” merr hyxhym në kurriz të Ukrainës me fushata “Kosova në NATO”, pa qenë Kosova e njohur prej katër shteteve anëtare. Dështimi ynë më kolosal nuk është ai i njerëzve të thjeshtë, sepse ata kudo në botë nuk merren me këto tema. Dështimi është kryekëput i elitave. Në vitet 90 e kemi kuptuar më mirë botën sepse e këqyrshim “pa ndërmjetësues” përmes satelitave. Tash duke i pasur institucionet tona të dijes, mediat e lira - e sidomos mediat sociale që e fuqizojnë sharllatanizmin - tash na del cullak niveli i shtjellimit të temave ndërkombëtare. Ai mbetet pak a shumë aty ku e ka lënë Krahina Socialiste Autonome e Kosovës: inferior, provincial, mediokër, folklorik… veç pak ma fancy me anglisht.
