Krasniqi: Vendimi për targa i ngjanë vendimit të tarifës 100 për qind për produktet serbe
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thotë se vendimi për targat ngjanë me vendiit e tarifës 100% për produktet nga Serbia, vendim të cilin e kishte marrur Qeveria Haradinaj.
Sipas Krasniqit, kryeministrat e Kosovës marrin të tilla vendime sa herë që gjinden “në qoshe” nga propozimet për dialog.
“Vendimi për targat po i ngjanë atij vendimit për tarifën 100% në produktet e importit nga Serbia. Sa herë që kryeministrat gjenden në një qoshe nga propozimet që u hedhën në tavolinën e dialogut, në mungesë të guximit për t’u përballur me to, rrugën e shpëtimit e gjejnë përmes vendimeve kryeneçe si këto” ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas tij, sovraniteti i Kosovës nuk mund të shtrihet nga vendimet nga zyra në Prishtinë, aq më pak që sipas tij nuk gjejnë mbështetje ndërkombëtare dhe as mundësi së zbatuari.
“Po flasim për komuna ku qytetarët nuk e paguajnë as energjinë elektrike të shpenzuar, e lëre më të pritet bindje për shkak të fletë-qortimeve e shqiptimit të gjobave. Konfiskimi i veturave duket edhe më pak i mundshëm, kur kujtojmë pamundësinë për të larguar dy kamionë që bllokonin rrugët në herën e parë”, mendon Krasniqi, që sipas tij shtrirja e sovranitetit në veri të vendit është proces politik që zgjidhet përmes dialogut.