Kërcënimi për ndaljen e pagës kryen punë: Asnjë grevist në Ministrinë e Hekuran Muratit
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, tashmë e ka të qartë se si do të veprojë në lidhje me grevën në institucionin e tyre. Ata kanë kërkuar listën e nëpunësve grevistë, në mënyrë që të njëjtit të penalizohen në paga. Njëjtë ka vepruar edhe Ministria e Ekonomisë, teksa sindikalistët i kanë cilësuar këto veprime si skandaloze.
Enis Spahiu, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë që udhëhiqet nga ministri Hekuran Murati, e ka bërë publik qëndrimin se kushdo që i bashkohet grevës do të ndëshkohet në pagë për kohën sa ka qenë në grevë.
Paralajmërimet kryejnë punë
E gjithë kjo, sipas Spahiut, bazohet në ligjet në fuqi. Njoftimi për pezullim të pagës gjatë kohës sa janë në grevë, duket të ketë kryer punë, pasi që në Ministrinë e Muratit nuk ka asnjë punëtor në grevë.
“Pika 18,1 ka ndryshuar me plotësim-ndryshimin që e ka ndryshuar ligjin për greva, në legjislaturën e katërt. Kemi marrë në ministri njoftimin që asnjë zyrtar nuk është në grevë. Unë nuk përfaqësoj ndonjë vullnet politik, unë jam shërbyes civil”, tha ai.
Por, i njëjti ka tentuar të bëjë një sqarim në lidhje me listën e kërkuar.
“Lista nuk është kërku me ua ndalë pagën, lista është kërku me pa kush është në grevë, kë mos me ngarku në punë, kë mos me kërku në punë. Ligji është i zbatueshëm për krejt, unë po e zbatoj vetëm për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, tjerët kanë përgjegjësi, ne nuk i ndalim pagat për të tjerët”, tha ai për Nacionale.

Spahiu theksoi se një paralajmërim i tillë nuk është kërcënim, dhe se nuk duhet të merret si tendencë për të kontrolluar grevistët.
“Pse me u marrë si kërcënim? Nëse ligji ka garantu që kur je në grevë nuk zhvillohet procedurë disiplinore kundër teje, kur je në grevë nuk zëvendësohesh ti si punëtor, dhe kur je në grevë nuk je i obliguar me punu. Pse me u përceptu si kërcënim ndalja e pagës, nëse për 1 orë je në grevë me t’u ndalë paga për 1 orë”, tha ai.
Pas kërcënimeve në Ministrinë e Financave, një tjetër është bërë edhe në ministrinë e Ekonomisë.
Sekretarja e kësaj ministre, Leonita Shabani-Mullarama, ka kërkuar nga ana e grevistëve që t’i dorëzohet asaj lista e punëtorëve që janë në grevë.
Në email-in që ka siguruar Nacionale, Shabani ka thënë se lista nuk po bëhet për të penguar grevën, por vetëm si evidencë e zyrtarëve që janë në grevë.

Mirëpo për grevistët kërkesa e listës po shihet si kërcënim për ta.
Reagimi i sindikalistëve
Greva shkaktare edhe për përplasjet mes sindikatave të sektorit publik dhe Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri i majtë, Albin Kurti. Ekzekutivi madje po synon t’ua heqë pagat grevistëve, duke theksuar se gjatë grevës pezullohen edhe pagat, edhe përgjegjësia nga puna.
Por, një kërkesë të tillë e ka quajtur skandaloze Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.
Në një prononcim për media, ai ka theksuar se grevistët kanë respektuar të gjitha procedurat ligjore, dhe se greva e tyre bazohet në ligj.
“Është vendim skandaloz, sepse greva është e ligjshme dhe ne kemi respektuar të gjitha procedurat siç parasheh ligji për greva. Kemi filluar me procedura të përshkallëzuara, duke i dhënë hapësirë dialogut, kemi mbajtur protestën paralajmëruese të prillit, një grevë një-orëshe, pastaj protestën me pjesëmarrjen masive të sektorit publik, kemi dërguar edhe ndërmjetësuese, i kemi respektuar dhe harxhuar të gjitha gjitha mundësitë që na jep ligji”, tha ai në një prononcim për Nacionalen.
Ai tha se përkundër që grevistët dhanë hapësirë për dialog, Qeveria nuk bëri asnjë hap në këtë drejtim.
“Ne kemi njoftuar se greva do të fillojë me 25 gusht, i kemi dhënë hapësirë dialogut. Qeveria nuk e ka bërë asnjë hap që të ulet me sindikatat, uroj që të mos jetë kërcënues, sepse një vendim i tillë është cenim i të drejtave dhe shkelje drastike e ligjit për greva”, deklaroi z. Jashari.
Tutje, Jashari ka treguar se është në terren, duke përcjellë mbarëvajtjen e grevës.
“Greva ka rrjedhë të mbarë, është e qetë, në nivel. Tash po kthehemi në BSPK për të marrë raportet nga këshillat greviste, nga sindikatat pejsëmarrëse në grevë si e kemi gjendjen dhe pastaj të dalim me një komunikatë”, shtoi tutje.
Edhe partitë opozitare dhe analistë të shumtë politikë e kanë kundërshtuar një qasje të tillë të Qeverisë Kurti.




