Gashi pas thirrjes së ministres për izolim të shtëpive: "Është ofendim për familjet, nëse Qeveria nuk u jep para"
Gazetari Astrit Gashi ka komentuar deklarimet e ministres Artane Rizvanollit e cila edhe njëherë paralajmëroi qytetarët se vendin pritet ta presë një dimër i vështirë si pasojë e reduktimeve me energji elektrike.
E ministrja, zgjidhje, qytetarëve u ofroi në cilësinë e ekspertes duke u rekomanduar që t’i izolojnë shtëpitë.
“Pritjet për dimrin janë plotësisht të paqarta. Çka mund të bëj secili e secila nga pjesën e tij të vogël është kursimi brenda mundësive çdo ditë. Çka mund të bëjnë familjet është të marrin masat për izolimin e shtëpive para se të vijnë temperaturat e ulëta”, rekomandoi ajo.
Për këtë rekomandim, reagoi gazetari Astrit Gashi. Ai tha se thirrja e tillë e ministres është kuptimplotë në momentin kur ekonomitë familjare subvencionohen nga Qeveria.
“Kjo thirrje e drejtë ka kuptim vetëm kur qeveria të krijon sistemin për subvencionimin e ekonomive familjare, jo vetëm përmes bankave. Ndryshe është thirrje e drejtë, por e kotë dhe deri diku ofenduese për familjet. Procesi është shumëvjeçar dhe si i tillë pa efekt të menjëhershëm për krizën e sotme”, sqaroi Gashi.
“Izolimi i shtëpive është mjet efikas për ruajtjen e energjisë, por edhe i kushtueshëm për ekonomitë familjare, posaqerisht në vendin me të varfër në Evropë, andaj ai ka kuptim vetëm kur përkrahet financiarisht nga shteti”, thotë Gashi.