Edhe mësuesja që nisi mësimin në Kamenicë del e afërt me VV-në
Greva e përgjitshme në arsim po vazhdon, e njëjtë edhe përpjekja për të bindur mësuesit të kthehen në mësim nga ana e Qeverisë Kurti e komunave të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. E dy klasë në shkollën “Dëshmorët e Kombit”, në Kamenicë, që udhëhiqet nga LVV, nuk janë në grevë.
Që nga e hëna, Emine Mavriqi dhe Gyltene Jerliu, mësuese të klasës së 5-të dhe të 3-të, po mbajnë mësim për nxënësit e klasës së tyre.
Si zakonisht, mësueset që dalin kundër grevës janë militante ose të afërta me partinë në pushtet, Vetëvendosje. Njëjtë edhe në rastin e Kamenicës, megjithatë Mavriqi e ka cilësuar si jo relevante mbështetjen ndaj LVV-së.
Përgjigja e mësimdhënëses
Në një përgjigjë për gazetën Nacionale, Mavriqi theksoi se nuk e lejon ndërgjegja që nxënësit të humbin mësimin.
“Unë jam pjesë e sindikatës dhe i mbështes kërkesat për rritje pagash si dhe kërkesat tjera që ndërlidhen me kushtet në punë, e do të veçoja sigurimin shëndetësor! Por nuk mund të barti në ndërgjegjjen time që nxënësit e klasës time të vazhdojnë të humbin mësimin, aq më tepër kur dijmë që në vitet e fundit edhe Pandemia Covid-19 na ka detyruar që të bëjmë mësim nga distanca e kësisoj edhe janë dëmtuar fëmijët!”, tha ajo për gazetën Nacionale.

Tutje, Mavriqi deklaroi se kjo çështje duhet të zgjidhet me dialog social, por kursesi në kurriz të fëmijëve.
“Mendoj që kërkesat tona duhet të zgjidhen nga një dialog social në mes të qeverisë dhe sindikatave por kursesi në kurriz të fëmijëve. Prandaj unë dje i kam ftuar prindërit që t’i sjellin fëmijët dhe gjithashtu e kam njoftuar kolektivin që unë do të filloj me mësimin”, tha mësuesja Mavriqi.
Por, në rrjetin social të saj Facebook, Mavriqi shihet se është simpatizante e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo në pushtet, e cila ka bërë thirrje që greva të ndalet, e mësimi të fillojë.

Nësë kjo iniciativë e saj për të dalë në punë është si shkak i presionit politik, Mavriqi u përgjigj se kjo nuk është pyetje relevante.
“Nuk kam pasur dhe nuk kam presion për të filluar mësimin, me vetëdëshirë kam dalë në punë. Kjo pyetja partiake nuk është relevante, unë e bëj punë timë”, tha Mavriqi për gazetën.
Ndërsa mësuesja tjetër, Gyltene Jerliu nuk iu është përgjigjur thirrjeve të Nacionales.
Dy “musketeret” mësuese
Drejtori i kësaj shkollë në Kamenicë, Hazir Berisha thotë për Nacionalen se shkolla e tij është në grevë, përveç dy mësueseve të klasës se 3 dhe 5-të.
“Dy mësimdhënëse, klasa 5 edhe e 3 po mbajnë mësim që nga dje, e hënë. Mësuesit e tjerë janë në greva”, tha drejtori i shkollës “Dëshmorët e Kombit”, Hazir Berisha.
Nacionale ka kontaktuar me të gjithë drejtorët e shkollave në këtë komunë, të gjithë nga ta kanë mohuar se ndonjë nga klasat po mbajnë mësim.
Ngjashëm thotë edhe kryetari i Sindikatës në Kamenicë, Lulzim Thaçi, duke theksuar se presione për t’u ndalur greva ka gjithmonë, por grevistët janë të vendosur.
“Unë i kam informacionët veç për një shkollë, deri në këtë moment. Unë si kryetar nuk iu bëj presion as me vazhdu as me ndalë. Presione të tjera ka gjithmonë, por ata që janë të vendosun me qëndru në grevë po qëndrojnë”, tha Thaçi për Nacionalen.

Tutje, ai tha se janë të gatshëm për të gjetur një kompromis dhe për të fillura me mësimin.
Por, komuna e Kamenicës ka pasur fjalë të tjera. Zëdhënësja ka deklaruar se mësimi po mbahet në disa shkolla.
“Po, procesi i mësimit ka nisur në disa shkolla. Aktualisht jemi për vizitë nga afër në shkollën “Hasan Prishtina” në Busavatë. Por, ka edhe shkolla të tjera që e kanë nisur mësimin pjesërisht në disa paralele”, ka deklaruar Lidiona Marovca.
Komuna e VV-së bëjnë thirrje për të filluar mësimi
Kryetarët e komunave, të udhëhequra nga Vetëvendosje, gjatë tërë kohës po bëjnë thirrje për të filluar mësimi në shkollat e komunës ku e drejtojnë.

Të dielen kryetarët e këtyre komunave mbajtën konferencë për media ku u deklaruan publikisht se mësimi duhet të fillojë.
Gjatë ditës së djeshme Nacionale ka raportuar edhe për presionin që po bëjnë kryetarët e këtyre komunave për të filluar mësimin.
Madje, kryetari i Shtimes Qemajl Aliu gjatë ditës së hënë kishte qëndruar në shkollën “Hasan Prishtina”, në Godanc për 2 orë.
Sipas burimeve të gazetës, Aliu ka shkuar për t’i bindur mësimdhënësit që ta ndalojnë grevën, pasi sipas tij kjo grevë ka qëllim politik.


