Fiton Rrahman Jasharaj, Qeveria Kurti lëshon pagat e gushtit - NACIONALE

Fiton Rrahman Jasharaj, Qeveria Kurti lëshon pagat e gushtit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një lajm i mirë për punëtorët e sektorit publik. Rrogat e muajit gusht janë lëshuar, ndonëse greva ende vazhdon, ashtu siç edhe ka paralajmëruar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Pra Qeveria Kurti është dorëzuar karshi vendosmërisë së sindikalistëve për grevë.

Në një njoftim nga ana e Ministrisë së Financave, që udhëhiqet nga Hekuran Murati, thuhet se pagat janë lëshuar, përkundër mos përditësimit të listave së grevistëve nga ana e komunave.

Ministria e Muratit fajin për vonesën e pagave ia ka hedhur komunave, të cilët sipas Ministrisë nuk kanë përditësuar listën për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton opinionin publik se sot ka ekzekutuar pagat edhe për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore. Përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara, gjë që ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar, gjë për të cilën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve shpreh keqardhje të thellë.”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Ministrisë theksohet se kushdo që grevon, bazuar në Ligjin për Greva, kontratat e tyre duhet të pezullohen, përfshirë edhe të drejtën e pagesës.

Bazuar në Ligjin për Greva, kontratat e punonjësve që janë në grevë duhet të pezullohen, përfshirë edhe të drejtën e pagesës për aq kohë sa punonjësi qëndron në grevë. Ky pezullim duhet të bëhet nga punëdhënësi, gjegjësisht përfaqësuesi i punëdhënësit apo Zyrtari Kryesor Administrativ i secilës organizatë buxhetore. Andaj, i takon secilës nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e pagave dhe t’i dërgojnë në Thesar ashtu që të reflektohet saktë kompensimi për punën e secilit.”, theksohet tutje në njoftim.

Ministria e Financave ka paralajmëruar auditim ndaj komunave të cilat nuk kanë përditësuar listat dhe në të cilat ka pasur indikacione për greva.

Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për Greva. Për këtë, Ministria do të njoftojë organet përkatëse, përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit që të kryejë një auditim të veçantë për këtë çështje, ku përgjegjësia e çdo shkeljeje ligjore bie mbi Zyrtarët Kryesor Administrativ të organizatave buxhetore dhe stafin përkatës.”, përfundon njoftimi.

Rrahmani fitues

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka këmbëngulur në vazhdimin e grevave përkundër një pakoje 150 milionëshe të Qeverisë Kurti, e cila parasheh 50 euro shtesa për mësimdhënësit për katër muajt e ardhshëm.

Megjithatë, z.Jasharaj ishte i qartë në qëndrimin e tij: greva vazhdon.

Në takim me presidenten paraqitëm kërkesat tona, të cilat edhe ajo tha se janë legjitime. Ne e lutem presidenten që ta shfrytëzojë autoritetin e saj në mënyrë që të ndikojë që të ulemi për të diskutuar me përfaqësuesit e Qeverisë për realizimin e kërkesave tona. Qeveria mund të japë ndihma për punëtorët dhe ne i gëzohemi kësaj, por kërkesat tona janë tjera. E vlerësoj angazhimin e presidentes, por për fat të keq greva do të vazhdojë”, deklaroi Jasharaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

Lajme të ngjashme