Grevën e quajti luftë ndaj shtetit, e kosovarët analfabetë - opozita i reagon ashpër Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media të mbajtur të shtunën, ka folur për grevën në arsim. Ai ka konfirmuar se nuk e ka në plan që të takohet me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, derisa tha testet e PISA-s nxjerrin nxënësit kosovarë si analfabetë funksionalë.
Në këtë konferencë, Kurti sërish e përmendi fjalën “luftë”, por këtë herë, tha se kjo po i shpallet nga komunat, pikërisht për shkak të grevës.
“Është papërgjegjësi totale, për ta bojkotuar shtetin për ta shkatërruar shtetin. Ju bëj thirrje mësuesve të japin mësim. Ju bëj thirrje edhe komunave të Kosovës, ta lënë me një anë bojkotin ndaj Qeverisë e Ministrisë së Financave. Kjo që po bëjnë komunat është me i shpallë luftë shtetit. E përkundër kësaj ne jemi racional. Në njërën anë e kemi situatën kur instrumentalizohen sindikatat, e në anën tjetër kemi sjellje anti-shtetërore nga komunat. Shteti nuk ndërtohen me shantazhe.”, tha Kurti.
Deklaratat e kryeministrit, nxisin reagimin e opozitës
Një tjetër deklaratë që kryeministri e tha në këtë konferencë, për diasporën, duke vlerësuar se mungesa e kuadrove të mira arsimore ka prodhuar punëtorë krahu në Gjermani, nxiti reagimin e nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Kjo e fundit përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se Kurti ka parë sondazhet nga diaspora, duke lënë të kuptohet se ka rënë përkrahja për të.
“Vetë themeluesit e partisë sonë e kanë ngjizur aktivitetin e tyre për çlirimin e Kosovës në diasporë, në mesin e bashkatdhetarëve tonë. Prandaj, duke e respektuar diasporën, ne e kemi respektuar historinë tonë. Pavarësisht se si voton diaspora. Sepse ne diasporën nuk e shohim si votë, por si aset kombëtar. Albini e ka parë diasporën vetëm si votë që e përdor vetëm kur i nevojitet dhe pastaj e braktis”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i reagoi Kurtit pasi pretendoi se “komunat i kanë shpallur luftë”.
“Që të dy, komunat e mësimdhënësit, janë vet shteti”, ka thënë Abdixhiku.
“Sot, Kurti dështoi të kapërcej veten. Refuzoj dialogun dhe nuk arriti të trajtojë me respekt shtetari problemin e mësimdhënësve tanë - njerëzve të këtij vendi. Zgjidhjet e tij të njëanshme që nuk plotësojnë nevojat themelore të mësimdhënësve, janë veçse improvizim. Si i tillë, ky plan pa dialogim, thellon përçarjen e mbanë shkollat tona të mbyllura”, ka shkruar mes tjerash ai në Facebook.
Ndërsa anëtari i Lidhjës Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se mërgata kurrë nuk ka qenë më e ofenduar se sa nën qeverisjen e Albin Kurtit.
Sipas Hazirit, Kurti po i quan ata ‘analfabetë funksionalë’, dhe kjo përbën poshtërimin më të madhë që ua ka bërë dikush ndonjëherë.
“Diasporën që tash e 60 vjet e mban gjallë këtë vend, e 23 vjet pas luftës e ruan paqen sociale, kurrkush nuk e ka goditur e ofenduar në këtë masë sa Albin Kurti. Me i quajt 'alalfabetë funksionalë’ mërgatën tonë, është poshtërimi e lëndimi më i madh që ua ka bërë dikush ndonjëherë.” – shkroi Haziri në Facebook mes tjerash.
Çka tha Kurti sot në konferencë?
Fillimisht, shefi i ekzekutivit i la fajtor grevistët për rezultat e këqija në testin PISA dhhe konsideroi, se Qeveria po kërcënohet.
“Në një Kosovë ku testet e PISA-s po naj nxjerrin 3/4 e fëmijve si analfabetë funksionalë, ta shantazhosh, ta kërcënosh qeverinë, me rrënim të shtetit se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi.”, tha ai.
“Veç kërkesë për parë”, kjo është ajo që po ndodhë sipas kryeministrit, në krejt këtë situatë.
Shefi i Qeverisë dha edhe një arsyetim të zbehtë se pse nuk takohet me Rrahman Jasharajn, kreun e SBASHK-ut.
“Ne jemi me mësimdhënësit. Mësimdhënësit duhet të jenë me nxënësit. Ne kemi bërë shumë luftë për shkollë, që ta bojkotojmë me greva. Duhet të fillojë mësimi një orë e më parë. Ju bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve të hënën të jenë në mësim. Jemi me mësimdhënësit, e mësimdhënësi për nxënësit. Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, z.Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së. Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takojë liderë të degëve sindikale, sepse ashtu ska rregullsi.”, foli Kurti në konferencë.
Kurti shtoi se ai nuk shantazhohet, duke i vlerësuar kërkesat e SBASHK-ut si absurde e irracionale.
“Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara.”, theksoi tutje Kurti.
Madje Kurti tha se sistemi arsimor në Kosovë nxjerr kuadro jo të mira, duke shtuar se njerëzit ose bëhen për asistencë sociae ose punëtorë krahu në Gjermani.
“Të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit dhe ditë pa mësim për fëmijët është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është veç politike e shoqërore, është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksional e duke menduar veç për paga po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik mandej. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor”, ka thënë Kurti.
Gjatë përgjigjeve të tij, Kurti goditi edhe komunat e Kosovës, të cilat kanë kundërshtuar ndaljen e pagave për grevistët.
“Është papërgjegjësi totale, për ta bojkotuar shtetin për ta shkatërruar shtetin. Ju bëj thirrje mësuesve të japin mësim. Ju bëj thirrje edhe komunave të Kosovës, ta lënë me një anë bojkotin ndaj Qeverisë e Ministrisë së Financave. Kjo që po bëjnë komunat është me i shpallë luftë shtetit. E përkundër kësaj ne jemi racional. Në njërën anë e kemi situatën kur instrumentalizohen sindikatat, e në anën tjetër kemi sjellje anti-shtetërore nga komunat. Shteti nuk ndërtohen me shantazhe.”, përfundoi Kurti.
Në fund, Kurti tha se nga greva nuk përfiton askush.
I pyetur për sulmet e Elvis Hoxhës, aktivist i njohur i VV-së, Kurt tha se nuk mund të komentojë komentet e njerëzve, dhe se në objektin e Qeverisë nuk është në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.


