Kurti për diasporën: Duke nxjerr analfabetë funksionalë, Kosova prodhon punëtorë krahu për Gjermaninë
Kryeministri Albin Kurti gjatë konferencës për media sot, duket se i ka rrëshqitur nga goja një ofendim për diasporën kosovare, e cila me shumicë e votojnë partinë e tij.
Kurti teksa tentoi t’i akuzojë mësimdhënësit, tha se po nxirën analfabetë funksionalë të cilët më pas po shndërrohen në punëtorë krahu në Gjermani.
Pastaj, Kurti tha se 3/4 e fëmijëve në Kosovë janë analfabetë funksionalë që sipas tij kanë potencial për t’u bërë punëtorë krahu jashtë Kosovës.
“Të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit dhe ditë pa mësim për fëmijët është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është veç politike e shoqërore, është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksionalë e duke menduar veç për paga po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik mandej. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor”, ka thënë Kurti.
“Në një Kosovë ku testet e PISA-s po na i nxjerrin 3/4 e fëmijëve si analfabetë funksionalë, ta shantazhosh, ta kërcënosh qeverinë, me rrënim të shtetit se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi.”, tha fillimisht Kurti.