Presidenca po ndërmjetëson negociatat mes grevistëve dhe Qeverisë, ka lëvizje pozitive drejt kompromisit - NACIONALE

Presidenca po ndërmjetëson negociatat mes grevistëve dhe Qeverisë, ka lëvizje pozitive drejt kompromisit

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

Greva e përgjithshme po përmbyll edhe javën e dytë të saj, por tashmë raportohet të ketë zhvillime matanë botës virtuale të platformave sociale të Internetit. Presidenca e vendit ka nisur ndërmjetësimin aktiv të negociatave mes SBAShK-ut dhe Qeverisë së Kosovës.

Sipas burimeve të gazetës Nacionale, Presidenca e vendit pas takimit që ka pasur me kryetarin e këshillit grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharajn, duket se ka marrë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e negociatave mes grevistëve dhe Qeverisë së Kosovës.

Nacionale ka kontaktuar me Presidencën por edhe me SBAShK-un për të konfirmuar këtë lajm, por deri në këtë moment nuk ka marrë përgjigje.

Sidoqoftë, Nacionale ka folur me disa mësimdhënës që janë të afërt të Sindikatës dhe të cilët i kanë thënë se “ka lëvizje”.

“Presidenca ka propozu që 50 euro të Qeverisë të vazhdojnë derisa të hyn në fuqi Ligji i Pagave,” – i kanë thënë burimet Nacionales.

Këto biseda mes Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Presidencës vijnë pas disa ditësh me tensione të shumta që kulmuan në fushata linçimesh ndaj Rrahman Jasharajt në Facebook e madje edhe në një tentim-sulm fizik ndaj tij nga një qytetar.

Sipas burimeve, sindikata aktualisht po zhvillon një dialog paralel “të brendshëm” me punëtorët që përfaqëson duke marrë qëndrimin e tyre për propozimet e ofruara nga Presidenca.

Njëri prej tyre i ka thënë gazetës Nacionale se sindikata tashmë është e gatshme që të zbres kërkesën e saj nga 100 në 80 euro vetëm që të arrihet një kompromis mes palëve.

Projektligji i Pagave pritet të marrë të paktën tetë muaj, dhe atë me frikën se mund të zvarritet edhe më shumë në rast se dërgohet nga ndonjë palë interesi apo institucion në Gjykatën Kushtetuese. Ka pasur disa individë që deri tash e kanë quajtur si “jokushtetues” draftin e hartuar nga Qeveria e Kosovës.

Por, Presidenca është zotuar se Projektligji i pagave do të hynte në fuqi në mënyrë të përshpejtuar, madje edhe para fazët tetë-mujore. Nuk dihet nëse Presidenca ka pasur autorizim për të bërë një premtim të tillë.

Në takimin që kishin pasur para tri ditësh në presidencë, Rrahman Jasharaj pretendoi se presidentja Osmani i kishte quajtur "legjitime" kërkesat e tyre sindikale.

100 euro

Kryeministri i Kosovës e kishte vlerësuar arbitrare kërkesën e sindikalistëve për 100 euro shtesë, duke thënë në mënyrë arrogante: “E pse veç 100 euro, e jo 300?”

Sidoqoftë, disa ditë më pas ai do të ndante një Pako të Rimëkëmbjes Ekonomike me vlerë prej 150 milionë eurove për të luftuar inflacionin. Nga ajo pako, nga 50 euro shtesë në muaj do t’ju ndaheshin të gjithë punëtorëve të sektorit publik.

Kjo pako është kritikuar nga eksponentë të opozitës dhe nga ekonomistë që e kanë quajtur si një ndihmë të vogël, e madje edhe “lëmoshë”, për qytetarët në momente krize.

Në anën tjetër, Rrahman Jasharaj nuk ka lëvizur – të paktën publikisht – nga kërkesat e tij të shtruara qysh para një viti. Ai ka deklaruar se greva do të vazhdonte deri në plotësimin e kërkesave të tyre, në ndërkohë që ka bërë thirrje për dialogun social të premtuar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Projektligji i pagave është premtuar se do të sillej në Kuvendin e Kosovës qysh në muajin mars të këtij viti, por ky premtim nuk është mbajtur nga ana e ministrisë së drejtuar nga Xhelal Sveçla.

Nuk dihet nëse Projektligji në fjalë do të adresojë të gjitha kërkesat e shtruara nga ana e sindikalistëve dhe punëtorëve të Kosovës.

Lajme të ngjashme