Albin Kurti apo Rrahman Jasharaj, cili është fajtori për mosmbajtjen e mësimit? Qe çka mendojnë qytetarët - NACIONALE

Albin Kurti apo Rrahman Jasharaj, cili është fajtori për mosmbajtjen e mësimit? Qe çka mendojnë qytetarët

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Albin Kurti dhe Rrahman Jasharaj, ky i fundit pak më shumë ndoshta, kanë qenë në gojën e popullatës kohëve të fundit - emrat e tyre, kuptohet - pas zhvillimeve me grevën dhe mungesën e marrëveshjes mes SBASHK-ut dhe qeverisë Kurti.

Por, cili ka faj më shumë se tjetri për situatën e krijuar? Mendimet janë dhe duhet të jenë të ndryshme, varësisht nga qëndrimet dhe këndvështrimet, andaj dola në shesh për të parë çka mendon populli.

Zyra e Nacionales gjendet në Pejton, andaj fillova nga pjesa e nënkalimit, tre sheshirat, Grandi e kuptohet... te sheshi i famshëm, epiqendër e hapësirë fokusi e çdo mediumi në Kosovë.

Ndaloja çdo qytetar që më kalonte pranë, e më jepte një shikim - disa ndryshonin kahjen e rrugës si më vërenin me mikrofon e kameraman, e të tjerë ulnin kokën dhe refuzonin të qitnin fjalë prej gojës kur i pyesja "a bon një pyetje?"

Natyrisht, pati edhe të tillë që ishin të lumtur të ndërvepronin.

Dy burra i ndala te "Tre Seshirat".

"Albini... qeveria", më tha Agroni kur i bëra pyetjen se kush është fajtori i situatës me grevën.

"Ky po thotë qeveria, unë po thom mirë e ka SBASHK-u. Se ky o pa punë, unë jom me punë, e qata," ndërhyri Qazimi, miku i Agronit, para se të largoheshin të dy pasi ishin "përngutë se në pauzë të punës"

Disa metra më larg, një grua me emrin Bukurie e kishte të vështirë të vendoste për fajtorin e vërtetë të situatës.

"Realisht, nuk e di. Edhe këta nuk kanë faj, po është situatë pak e komplikume me të thonë të drejtën. Nuk muj me dhonë përgjigje të saktë", u shpreh fillimisht ajo.

"Nuk muj me i lonë fajtorë as mësimdhënësit, as këta. Se këta kanë nevojë për rroga, ju po e shihni që gjithçka është shtrejtë. Këndej, në anën tjetër... është problem pak ma madhor", përfundoi Bukuria.

Kishte edhe të tillë që ishin të bindur në atë se kush është personi të cilit duhet t'i drejtohet gishti i fajit pse "fëmijët i kanë ndalë prej shkollës".

"Albin Kurti ka pak ma t'drejtë (se Rrahman Jasharaj). Se, për shembull, shkaku i fëmijëve duhet me bo që me fillu mësimi", më tha Binaku në ecje e sipër.

Se faji është i Rrahman Jasharajt dhe institucionit që ai drejton u pajtua edhe Rrahmani, të cilin e ndala te stacioni përballë Katedrales së "Tre Sheshirave".

"Jo valla, këta të sindikatës (kanë faj)", më tha zoti Rrahman.

"Pse mendon?", ishte pyetja pasuese e imja.

"S'pe i çelë shkollat, qysh pse?", u përgjigj tutje i njëjti.

Një zotëri tjetër me emrin Çerkin, - nuk e di a e kishte me "q" të butë apo me të fortë, por po i them me të fortë meqë dukej trupmadh e i fuqishëm - foli pak, por tha shumë.

"Te dytë (Albin Kurti dhe Rrahman Jashari janë fajtorë)", u shpreh ai, për ngazëllimin tim që po kërkoja përgjigja direkte nga secili qytetar që po takoja. Natyrisht, edhe ata që nuk mund të vendosnin ishin të pafajshëm, pasi situata nuk mund të jetë për secilin bardh e zi,

"Unë ju dëshiroj shëndet së pari dhe gjithë të mirat", më tha një zotëri i respektuar, po ashtu në lagjen "Tre Sheshirat".

"Po nuk jom i gatshëm. Nuk kom përgjigje. Është situatë shumë... mirëpo, është edhe gjynah prej nxënësve, prej fëmijëve. S'po dimë çka me ju bo fëmijëve", ishte komenti përmbyllës i tij.

Tutje ai, megjithatë, u tregua "i gatshëm" të fliste e të jepte përgjigje, teksa elaboroi:

"Mirëpo, edhe nuk jon rrogat e vogla (të punonjësve arsimorë). E dëgjojsha, në Hungari 500 euro (paga e punonjësve të arsimit). Shteti hungarez, arsimtarët... edhe ata ishin çue, e kishin 500 euro. Ku është ajo (Hungaria), ku jem na?" - potencoi burri në fjalë, duke më bindur se po anonte pak nga Albin Kurti në këtë temë.

Direkt, mprehtë dhe shkurt u përgjigj Abazi, derisa po ecte në drejtim të "Hotel Grandit".

"Rrahman Jasharaj (ka faj)".

"Pse?" (pyetja ime)

"Pse... i kanë rrogat boll të mëdha", u shpreh Abazi.

Problemi është më delikat dhe se dialogu është i nevojshëm mendon edhe qytetari me emrin Ramadan.

"Këtu ma s'pari ka faj, që s'ka dialog. Dialogu u duftë me konë para të 25-tit. Derisa nuk ka dialog... kokëfortësia e qeverisë. Ma s'pari qeveria duhet me thirrë, me bisedue, me..."

Ferati, në anën tjetër, ishte i bindur se pala e pafajshme nga krejt situata me arsimin në Kosovë është kryeministri i Kosovës.

"Po e sulmojnë këta Albin Kurtin... Albin Kurti nuk ka kurrfarë faji", tha Ferati.

Ajo që tha tutje i njëjti është paksa e guximshme të thuhet edhe nga personi më optimist në Kosovë.

"Sa herë të teket nuk mund ta rritë rrogën... Se ai (Kurti) vitin e ardhshëm, në 2023-n, ka me ia ba ka 1000 euro minimale rrogën n'mujtë. Minimale rroga ka me konë 1000 euro n'mujtë", u shpreh ai tutje.

Në rregull, Ferat, vështirë ta besojmë, por e pamundur të mos e pranojmë si përgjigje.

Sidoqoftë, nga gjithë ata njerëz që arrita t’i intervistoja e t’i pyesja për fajtorin e situatës në arsim, mora përgjigje mikse e nganjëherë edhe delikate, siç është realisht edhe situata. Klishe dhe e konsumuar, por njëmend dialogu i zhveshur nga egocentriciteti duket të jetë rruga e vetme drejt zgjidhjes së situatës. Meqë mu ofrua mundësia edhe mua të jap një mendim në fund.

Lajme të ngjashme