“Zvarritjen e do Serbia”, “Kosova t’i përmbush obligimet”: Opozita kërkon që Kosova të kthehet në dialog pa kushte
Në prag të vizitës së pesë emisarëve të dialogut, Kosovës po i kërkohet që të jetë konstruktive në procesin e dialogut. Derisa institucionet e Kosovës po hezitojnë të kthehen në tavolinën e bisedimeve pa sanksionimin e Serbisë, opozita i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të mos e kushtëzojë rikthimin e dialogut me Serbinë.
Ata kanë bërë me dije se kushtëzimi do të jetë i dëmshëm për Kosovën. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka thënë se Kosova duhet t`i përmbush obligimet e saj në mënyrë të njëanshme.
Ish-kryeministrat e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti kanë bërë me dije se pavarësisht sulmit të 24 shtatorit në veri, Kosova duhet të kthehet në tavolinën e dialogut.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Serbia dëshiron që Kosova ta kushtëzojë procesin e dialogut.
“Kosova nuk duhet me shku në dialog për shkak të Serbisë. Por, për shkak të vetit dhe të aleatëve, më të cilët ne e kemi një plan për më tutje. Është ngjashëm si plani i Ahtisarit, Serbia nuk e aprovoi, por rezultoi shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe ecja me tutje në perspektivë”, ka thënë Haradinaj.
Kushtëzimet e Kosovës për rikthim në dialog, ka thënë Haradinaj, i do vetëm Serbia dhe Rusia.
“Serbia ka dëshirë që ne me qit kushte, me e vonu dialogun, mos me ndodh implementimi, mos me ndodh marrëveshjet dhe me na mbajt kështu siç do Serbia dhe Rusia, çështje e sigurisë. Ndërsa, Kosova dhe Perëndimi kanë interes me na hjek prej çështje së sigurisë e me na kthyer në çështje të zhvillimit, të perspektivave ekonomike, të integrimit euroatlantik dhe mos e mbet me tutje vatër e krizës që është interes i Rusisë”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Kosova njëanshëm duhet t`i zbatojë obligimet e marra në dialog.
“Pra, është gabim kushtëzimi i dialogut sot, është gabim mosimplemtimi, qoftë edhe i njëanshëm i obligimeve që ka marrë Kosova. Kosova duhet njëanshëm, pa marrë parasysh çfarë bënë Serbia, ne duhet me i kry detyrat tona”, është shprehur Haradinaj.
Njëjtë mendon edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti. Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se lidershipi kosovarë duhet të reflektojë ndaj procesit të dialogut.
“Besoj se tani është një moment i ri në proces të dialogut dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me fqiun tonë veriore. Se dyti, unë pres nga lidershipi i Kosovës që të jetë i kujdesshëm, sepse në fund të fundit ne nuk kemi opsion tjetër, përveçse dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve. Dhe e treta, shpresoj që kësaj radhe janë mbushur mend, kanë reflektu mjaftueshëm që veprimet institucioneve të shtetit duhet të ndërmerren gjithmonë në koordinim me aleatët”, është shprehur ai.
Deputeti i LDK-së ka shprehur drojën e tij se institucionet e Kosovës nuk po e shfrytëzojnë sa duhet këtë moment të ri në proces.
Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti po vazhdon ta përdor këtë proces për politika të brendshme.
“Fatkeqësisht, kjo qeveri e ka përdorur procesin e dialogut për politika të brendshme, e kanë përdorur edhe 10 vite sa kanë qenë në opozitë, duke i sharë qeveritë paraprake edhe me mjete jo demokratike dhe jo kushtetuese për të penguat procesin e dialogut, i cili natyrshëm do të çonte tek marrëveshje finale për njohje”, ka thënë Hoti.
Kurse, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se vonesat janë në shërbim të Serbisë.
Në emisionin "60 Minuta" në KTV, ai ka vlerësuar se Kosova duhet të jetë e kujdesshme me procesin e dialogut.
“Sa më shumë që Kosova vonohet në dialog, aq më keq. Dialogu nuk bëhet në Kralevë, por në Bruksel, pra në qendër të Evropës. Po pati vullnet të mirë të BE-së dhe SHBA-së do të mund të vazhdohej me implementimin e marrëveshjes mes dy vendeve. Vendimmarrja në Evropë nuk është e shpejtë. Çështja e sanksioneve, fatkeqësisht janë marrë kundër Kosovës pa ndodhur ngjarja në veri”, ka thënë ai.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ftuar institucionet e Kosovës për rikthim në dialog.
Në emisionin “Opinion”, ai ka theksuar se vetëm Serbia dëshiron që procesi të zvarritet.
“Serbia mund të mos jetë fare e interesuar që ky problem të zgjidhte, mund të jetë e interesuar që ta zvarrisë në pamundësi. Dhe për sa kohë ata i kanë venë në tavolinë Kosovë një plan, i cili është njohje de facto e Kosovës nga Serbia. Mbi të gjitha arsyeja se pse ata janë kaq kërkues ndaj Kosovës, është sepse ata mendojnë, sipas meje me shumë të drejtë, Kosova duhet të bëj pjesën e saj dhe të ua lerë atyre pastaj të merren me Serbinë. Kjo është shumë e thjeshtë”, ka thënë Rama.
Sipas tij, Kosova në mënyrë të njëanshme duhet t`i përmbush obligimet që ka nga dialogu.
“Sipas meje, meqë po me kërkoni opinion, Kosova duhet ta bëj unilateralisht pjesën e vet. As mos të pyes fare a e bënë a nuk e bën Serbia. Kosova duhet të ulet dhe të thotë 1,2, 3,4, 5. Ja, kjo, kjo tani merreni”, është shprehur Rama.


