Intervistë | Hoti: Seanca ku Kurti refuzoi pyetjet e opozitës ishte maskaradë, kështu janë bërë diktaturat
Ish-kryeministrit Avdullah Hoti është shprehur i habitur me sjelljen e Qeverisë Kurti ndaj opozitës. Refuzimi i kryeministrit për të iu përgjigjur pyetjeve të opozitës, sipas tij, është maskaradë e turpit.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë ndaj opozitës. Ai ka vlerësuar se refuzimi i kryeministrit Kurti që të përgjigjet në pyetjet e deputetëve të opozitës ishte i paprecedent dhe jo kushtetues.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, deputeti i LDK-së ka thënë se ajo seancë ishte maskaradë e turpit.
Sipas tij, ajo ishte një tendencë e qartë për të mbivendosur autoritetit e Qeverisë mbi Kuvendin.
“Një sjellje e tillë edhe nëse i shkon mendja dikujt është problematike e lere më të marrë guximin dikush që ndërmarr veprime të tilla. Është tendencë e qartë për mbi vendosje të autoritetit të qeverisë mbi parlamentin. Në të kaluarën kështu janë bërë diktaturat. Nuk ka gjasa normalisht askush të veprojë në atë drejtim. Por, është shqetësuese kur një politikan, qoftë ai edhe një deputet i një partie të vogël opozitare, e lere më një kryeministër i vendit të mendoj në terma të tillë”, ka thënë Hoti.
Seanca e javës së kaluar, ka thënë Hoti, ishte një lojë.
“Maskarada që po e quaj unë si maskaradë tipike për turp të jetës parlamentare ishte kur deputetët e mazhorancës bënin diskutim, pyetje-përgjigje me ministrat, ndërkohë që opozita ishte përjashtuar nga ai lloj debati. Kjo ka ndodhur vetëm në vendet moniste. Praktikisht kanë bërë lojëra, sepse ju e dini në çfarë lloj pyetjesh bëhen nga deputetët e mazhorances”, ka thënë Hoti.
Zyrtari i LDK-së është habitur me rreshtimin e deputetëve të VV-së pas Kurtit.
“Ajo që me çuditë është rreshtimi i plotë i gjithë deputetëve të mazhorancës në këtë maskaradë politike në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.
Veprimet qeveritare të asaj seance, sipas Hotit, kanë qenë antikushtetuese.
“Kryeministri dhe qeveria nuk ka të drejtë ta kushtëzojë këtë, sepse është shkele kushtetuese. Është hierarkia e institucioneve. Qeveria i përgjigjet Kuvendit, jo Kuvendi Qeverisë”, është shprehur Hoti.
Qeveria po e përdor dialogun për politika të brendshme
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti edhe për qasjen në procesin e dialog.
Ai ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë përben një moment të ri në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
“Besoj se tani është një moment i ri në proces të dialogut dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me fqiun tonë veriore. Se dyti, unë pres nga lidershipi i Kosovës që të jetë i kujdesshëm, sepse në fund të fundit ne nuk kemi opsion tjetër, përveçse dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve. Dhe e treta, shpresoj që kësaj radhe janë mbushur mend, kanë reflektu mjaftueshëm që veprimet institucioneve të shtetit duhet të ndërmerren gjithmonë në koordinim me aleatët”, është shprehur ai.
Ish-kryeministri ka shprehur drojën e tij se institucionet e Kosovës nuk po e shfrytëzojnë sa duhet këtë moment të ri në proces.
Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti po vazhdon ta përdor këtë proces për politika të brendshme.
“Fatkeqësisht, kjo qeveri e ka përdorur procesin e dialogut për politika të brendshme, e kanë përdorur edhe 10 vite sa kanë qenë në opozitë, duke i sharë qeveritë paraprake edhe me mjete jo demokratike dhe jo kushtetuese për të penguat procesin e dialogut, i cili natyrshëm do të çonte tek marrëveshje finale për njohje”, ka thënë Hoti.
Duke e komentuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri, ai e ka dënuar atë, duke e bërë përgjegjës Serbinë.
Megjithatë, ai ka kërkuar disa sqarime nga institucionet e Kosovës.
Hoti ka thënë se Qeveria duhet të tregojë se si janë futur në Kosovë dhe si kanë dalë nga vendi gjithë terroristët.
Hoti s'e mohon mundësinë e kandidimit për kryetar të LDK-së
Deputeti i LDK-së ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme të LDK-së, të cilat tashmë kanë filluar.
Ai as nuk e ka pohuar e as mohuar kandidimin për kryetar të LDK-së.
“Kur të caktohet Kuvendi zgjedhor, sipas statutit, atëherë do të prezantohen kandidaturat. Pra, në këtë moment kohor ende nuk është momenti as për mua dhe për askënd tjetër që të prezantoj kandidaturën”, është shprehur Hoti.
Ai ka thënë se ka menduar mirë për këtë çështje, por vendimin do ta bëj publik në momentin e duhur.
“Besoj se do ta bëj të qartë për anëtarët e LDK-së dhe për publikun, por për anëtaret e LDK-së në veçanti vendimin tim”, ka thënë ai.
Ish-kryeministri Hoti është shprehur optimist lidhur me rezultatin e LDK-së për zgjedhjet e ardhshme.
Ai ka thënë se për shkak të opozitarizimit të mirë dhe gabimeve të Qeverisë Kurti, LDK-ja do të jetë prapë në krye të institucioneve të Kosovës për t`i përmbyllur disa procese të rëndësishme.
“Jam i bindur se vitin tjetër, sepse tash jemi gati një vit në zgjedhje, do të marrin mbështetjen e nevojshme për të çuar proceset përpara, sepse është e qartë se LDK-ja do të jetë prapë në krye të institucioneve për të përmbyllur procesin e dialogut dhe procesin euro-integrues të Kosovës”, është shprehur Hoti.