“Ndëshkimi pastaj rikthimi”: A po e kushtëzon Kosova vazhdimin e dialogut me sanksionimin e Serbisë?
Institucionet e Kosovës po e kërkojnë me ngulm sanksionimin e Serbisë nga BE-ja për shkak të sulmit në Banjskë. Deri me tani në çdo takim dhe në çdo paraqitje në mediat e huaja liderët institucionalë kanë kërkuar nga BE-ja që hapin e parë që duhet të bëjnë është sanksioni i Serbisë për mbështetjen e këtij sulmi.
Pavarësisht kërkesës së BE-së për rikthim në tavolinën e dialogut, ata kanë bërë me dije se nuk ka kuptim vazhdimi i procesit të dialogut Kosovë – Serbi, pa ndëshkimin e kësaj të fundit.
Këto pretendime po konsiderohen si përpjekje e Kosovës për ta kushtëzuar rikthim në procesin e dialogut të Brukselit me sanksionimin e Serbisë.
Para fillimit të takimit të Komunitetit Politik Evropian, i cili është mbajtur javën e kaluar në Granada të Spanjës, presidentja e Kosovës kishte thënë se se pa sanksionimin e Serbisë nuk ka arsyeje të vazhdohet procesi i dialogut.
“Nuk ka arsye për tu takuar para se të vendosen sanksione kundër (Aleksandar) Vucic-it, sanksionet fillimisht e më pas mund të diskutojmë për të tjerat”, është shprehur Osmani.
Ajo kishte thënë se do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.
“Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e partnerëve dhe miqve evropian për ta sanksionuar Serbinë në mënyrë që ajo të mos nxitet për të kryer akte të tilla agresioni kundër Kosovës dhe vendeve të tjera fqinje sërish”, ka thënë Osmani.
Edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë me dije se dialogu nuk mund të vazhdoj me avazin e vjetër.
Gjatë Samitit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit në Tiranë, ku kanë marrë pjesë komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, Gërvalla ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) që t’ia ngrijë Serbisë statusin e vendit kandidat.
"Në këtë situatë që është krijuar pas 24 shtatorit asgjë nuk mund të vijojë me avazin e vjetër. Është e pamundur sepse ne duhet të sigurojmë sigurinë e qytetarëve. Duhet të shohim si do të sillet bashkësia ndërkombëtare në raport me Serbinë. A do ta marrë përgjigjen e merituar për agresion apo jo. Pastaj mund të vijë koha e të ulemi e të diskutojmë me qetësi. Nuk është momenti të diskutojmë sot për asociacion", ka thënë Gërvalla.
Kurse, kryetare e Komisionit për punë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se fillimisht BE-ja duhet ta sanksionojë Serbinë për 24 shtatorin.
“Para se t’i rikthehemi dialogut, është shumë e rëndësishme të qartësohen dy gjëra, që është të sigurohemi se s’ka ndonjë rrezik potencial për sulm potencial prej radhës së Serbisë. Këtë sigurisht mund të bëjmë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse brenda Republikës së Kosovës. Po kërkojmë siguri për Kosovën dhe në anën tjetër po kërkojmë sanksione për Serbinë. Besojmë fuqishëm që sidomos pas këtij akti terrorist të 24 shtatorit, Serbia duhet të sanksionohet për atë çka ka bërë në Banjskë të Zveçanit. Në fakt është dashur të sanksionohet në vazhdimësi për të gjithë qasjen që e ka treguar karshi marrëveshjes për normalizim”, ka thënë ajo për Kosovapress”.
BE-ja kërkon rikthimin e palëve në dialog
Bashkimit Evropian nuk po i intereson për kushtet e palave.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka ftuar edhe sot Kosovën dhe Serbinë që të kthehen në procesin e dialogut.
Sipas tij, ky proces nuk ka alternativë tjetër, andaj edhe Prishtina edhe Beogradi duhet kthyer në tavolinën e bisedimeve.
“Nuk ka rrugë tjetër pos dialogut. BE është ndërmjetësues dhe palët duhet të kthehen në dialog për të gjetur koncensus. Rruga e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe aty nuk ka bajpas”, është shprehur Stano në konferencë.
Ai ka vlerësuar se palët me patjetër duhet të rikthen në procesin e dialogut.
“Të dyja palët duhet ta kuptojnë se dialogu duhet të rikthehet. Duhet të provohet për të gjetur zgjidhje për normalizim të marrëdhënieve. Këta janë hapat: shtensionim, kthim në dialog dhe hetim i ngjarjeve të 24 shtatorit. Dialogu duhet të rikthehet, palët të kthehen në tavolinë. Pikë”, ka thënë ai.
Drejtor i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka thënë se Kosova duhet të angazhohet në procesin e dialogut.
Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se Kosova duhet të tregojë gatishmëri për t`i zbatuar obligimet që ka marrë në këtë proces.
“Kosova duhet pa asnjë hamendje të angazhohet në dialog dhe të merr edhe hapa drejt zbatimit të saj, sidomos përmes përgatitjes sa më të shpejtë të draftit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin me çdo gjasë është zotuar Presidentja Osmani në SHBA”, ka thënë Peci.
Mediumi “EuroActiv” sot ka raportuar se Bashkimi Evropian tashmë ka hartuar masa kundër Serbisë, pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës.
Sipas këtij mediumi, këto masa do të kenë ndikim politik dhe ekonomik.
Një ditë më parë, edhe eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramo, ka thënë se BE-ja i ka gati masat për Serbinë.

