Kosova në ofensivë diplomatike, kërkon që BE-ja të vendos sanksione ndaj Serbisë
Institucionet e Kosovës janë në ofensivë diplomatike për t`i bindur aleatët perëndimorë që të ndëshkojnë Serbinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryediplomatja Donika Gërvalla kanë kërkuar nga ndërkombëtarët që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist, i cili la të vdekur një policë të Kosovës dhe një tjetër të plagosur.
Në çdo takim dhe paraqitje në mediat e huaja ata kanë kërkuar nga BE-ja që shtetit serb t`i vendosen sanksione për mbështetjen që i ka bërë atij sulmi.
Në një intervistë për “Sky News”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ketë një qëndrim më të ashpër me Serbinë.
“Po e mohojnë sepse janë duke luajtur me librin e Putinit në Donbas. Burrat e vegjël me të gjelbërt në pjesën veriore të Kosovës. Jo edhe aq të vegjël, port ë gjelbërt sigurisht, që dëshironin të fillonin një luftë dhe ta ndajnë Kosovën.”, ka deklaruar ai.
Të njëjtën gjë në samite të ndryshme po e kërkon edhe presidentja Vjosa Osmani.
Para fillimit të takimit të Komunitetit Politik Evropian, i cili është mbajtur në Granada të Spanjës, ajo ka thënë se do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.
“Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e partnerëve dhe miqve evropian për ta sanksionuar Serbinë në mënyrë që ajo të mos nxitet për të kryer akte të tilla agresioni kundër Kosovës dhe vendeve të tjera fqinje sërish”, ka thënë Osmani.
Madje, ajo ka bërë me dije se pa vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë nuk ka arsyeje të vazhdohet procesi i dialogut.
“Nuk ka arsye për tu takuar para se të vendosen sanksione kundër (Aleksandar) Vucic-it, sanksionet fillimisht e më pas mund të diskutojmë për të tjerat”, është shprehur Osmani.
Më këtë rast, ajo është shprehur optimiste që edhe Spanja do t'u bashkohej vendeve të tjera evropiane në miratimin e masave kundër Serbisë.
Ndërsa, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar të premten nga Bashkimi Evropian (BE) që t’ia ngrijë Serbisë statusin e vendit kandidat.
Këtë kërkesë ajo e ka bërë gjatë Samitit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit në Tiranë, ku kanë marrë pjesë komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
"Në këtë situatë që është krijuar pas 24 shtatorit asgjë nuk mund të vijojë me avazin e vjetër. Është e pamundur sepse ne duhet të sigurojmë sigurinë e qytetarëve. Duhet të shohim si do të sillet bashkësia ndërkombëtare në raport me Serbinë. A do ta marrë përgjigjen e merituar për agresion apo jo. Pastaj mund të vijë koha e të ulemi e të diskutojmë me qetësi. Nuk është momenti të diskutojmë sot për asociacion", ka thënë Gërvalla.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se edhe shërbimet diplomatike të Kosovës janë duke e bërë të njëjtën gjë.
“Nëpërmjet misioneve diplomatike dhe takimeve me ndërkombëtarët, po shfrytëzojmë mundësinë të ritheksojmë se me gjithë këto dëshmi duhet të ketë pasoja për Serbinë sepse ndryshe veç e inkurajon atë. Është përgjegjësi e jona të kërkojmë, argumentojmë dhe të insistojmë për këtë [sanksione ndaj Serbisë”, ka thënë Kryeziu në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Paralajmërimi i BE-së për Serbinë
Pavarësisht përpjekjeje të Serbisë për tu distancuar nga ky sulm, BE-ja ka paralajmëruar masa për Serinë nëse vërtetohet lidhja me grupin terrorist që ka sulmuar Policinë e Kosovës më 24 shtator.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka thënë se BE-ja fillimisht do t`i shqyrtojë të gjitha faktet.
Gjatë një forum në Mal të Zi, “2BS”, ai ka thënë se sulmi i 24 shtatorit ka ndryshuar shumë gjera.
“Fatkeqësisht po (gjendja po përkeqësohet). Në veçanti çfarë ndodhi më 24 shtator ishte e tmerrshme. Ka ndryshuar shumë gjëra. Ndërsa tash prioriteti është vendosja e fatkeve dhe të nxjerrim konkluzionet dhe konsekuencat. Prioriteti ynë tash është të merremi me 24 shtatorin. Nuk mundet thjesht të largohet. Por, Dialogu është këtu”, është shprehur Lajçak.
Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se BE-ja është duke e monitoruar situatën dhe vendimi do të vije pas shqyrtimit të të gjithave provave.
“Kur të gjykojnë se është momenti i duhur, vendet anëtare do të vendosin sipas ngjarjeve në Kosovë dhe hapave të mëtejshëm”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Ekspertë kanë paralajmëruar se nuk bëhet fjalë për vendosje të sanksioneve ndaj Serbisë, sepse për në gjë të tillë BE-ja nuk ka unanimitet të plotë. Sipas tyre, bëhet fjalë për masa ndëshkuese, të cilat i janë vendosur edhe Kosovës që nga muaj qershor.
