SHBA-ja dhe BE-ja paralajmërojnë Serbinë: Nëse nuk i përmbush kërkesat, do të sanksionohet
Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit ka shtuar presionin e SHBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë. Zyrtarët e lartë amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar nga Serbia që t`i respekton kërkesat e tyre. Ata kanë bërë me dije se nëse nuk i plotëson ato edhe ndaj Serbisë do të shqyrtohen masat ndëshkuese.
Paralajmërimin për sanksione e ka pranuar dje edhe Presidentit i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pas telefonatës që e ka pasur me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ai ka thënë se kryediplomati amerikan ia ka përmendur edhe masat.
Sipas mediumit opozitar serb, “Nova.rs”, presidenti serb ka thënë se nuk ka pasur bisedë të lehtë me Blinkenin.
“Nuk është bisedë e lehtë me Blinkenin, për disa gjëra ramë dakord, për disa jo. Nevojitet shtensionim, rol më i madh i KFOR-it. Serbia gjithmonë do ta mbështesë atë rol, ne do të donim që të ishte ekskluziv, sidomos në veri. Mohova të pavërteta që thonë se kemi shkallën më të lartë të gatishmërisë të ushtrisë sonë. Unë nuk kam nënshkruar dhe nuk jemi pajtuar për natyrën e asaj që ka ndodhur, veçanërisht lidhur me sovranitetin e Kosovës”, ka thënë presidenti i Serbisë.
Po ashtu, Vuçiq ka bërë të ditur se Blinken i ka folur për masa, por se pretendoi se ky i ka “kundërshtuar ato”.
“Blinken foli edhe për disa masa, thash që jam kundër kësaj.” – ka thënë ai.
Edhe Bashkimi Evropian ka bërë të njëjtin paralajmërim.
Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se pas ngjarjeve të 24 shtatorit janë duke e monitoruar nga afër Serbinë.
Ai ka vlerësuar se nëse Serbia nuk i respekton kërkesat e tyre, BE-ja është e gatshme të shqyrtojë masa ndëshkuese ndaj autoriteteve të Serbisë.
“Janë marrë masa në lidhje me Kosovën. Këto janë masa politike dhe financiare, ndër të cilat është pezullimi i vizitave dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, me përjashtim të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Ato masa kanë ndikim edhe në mbështetjen financiare për Kosovën. Pezullimi është i përkohshëm dhe i kthyeshëm dhe do të hiqet sapo të ketë shtensionim në terren. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke monitoruar nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së dhe në rast të mospërmbushjes, BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat”, ka thënë Borrell, raporton N1.
Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stane, ka thënë të njëjtën gjë.
Gjatë kësaj jave u mbajt një takim i përfaqësuesve të shteteve anëtare të bllokut, por pa ndonjë vendim.
“Nuk do të komentoj përmbajtjene diskutimeve atje, pozicionet e shteteve, BE-ja punon në këtë mënyrë. Nëse do të ketë një vendim, shtetet do ta marrin dhe do të njoftohen. Po vazhdon angazhimi i shshteteve anëtare që të shihet se si të përballemi me situatën.”, është shprehur Stano.
Ai ka thënë se u takon shteteve anëtare se çfarë masa do të ndërmarrin ndaj Serbisë.
“Shteteve anëtare u takon po ashtu se çfarë masa ndërmerren dhe për çfarë arsye, kështu që në këtë pikë nuk jemi ende atje dhe nuk kemi diçka për të lajmëruar.”, ka deklaruar ai.
Kosova kërkon që të sanksionohet Serbia
Të enjtes Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë kushtuar ngjarjeve të fundit në veri. Në këtë seancë është miratuar edhe një rezolutë e cila dënon ashpër sulmin terrorist.
Me ashpërsinë më të madhe partitë parlamentare kanë dënuar sulmin terrorist të Serbisë mbi Policinë e Kosovës në Basnjkë të Zveçanit.
Deputetët e të gjitha partive kanë votuar pro rezolutës e cila kërkon hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë për mbështetjen e sulmit të së dielës që ka lënë të vrarë policin Afrim Bunjaku dhe të plagosur Alban Rashiti.
Ata kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin e këtij sulmi terrorist.
“Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike; Konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”, thuhet në tekstin e rezolutës, e cila është miratuar me 97 vota në seancën e sotme të Kuvendit.
Në këtë seancë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Serbia të dënohet për mbështetjen e grupit kriminal që të dielën ka sulmuar Kosovën.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij se nëse Serbia nuk ndëshkohet, krimi do të përsëritet sërish.
“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndeshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar, atëhrë do ta përsëris krimin.”, është shprehur Kurti.
Ndryshe nga Serbia, Kosova është nën masa ndëshkuese nga BE-aj nga vera e këtij viti.