Zulfaj ‘i mëshon’ ShBA-së dhe BE-së: Ne vazhdojmë me sundim të ligjit, ata presin Vuçiqin të ndryshojë - NACIONALE

Zulfaj ‘i mëshon’ ShBA-së dhe BE-së: Ne vazhdojmë me sundim të ligjit, ata presin Vuçiqin të ndryshojë

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

I akorduar porsi një instrument në të njëjtat nota me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, këshilltari i tij Jeton Zulfaj, pati një intervistë kohëve të fundit, ku po të jetonim në një kohë me radion si të vetmim medium informues, do ta ngatërronim me të parin.

Në KTV te gazetari Eraldin Fazliu, foli gjerë e gjatë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për Marrëveshje ne Ohrit, dhe për sanksionet që rëndojnë mbi vendin për herë të parë në historinë shtetërore të Kosovës.

Zulfaj, në rend të parë, s’do shumë mend, e fajëson Serbinë për moszbatim të marrëveshjes së arritur në shkurt dhe mars, e në rend të dytë të gjithë ndërmjetësit – Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – për të cillët shprehet se e kanë krejt gabim “në pritshmëritë e tyre” ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zulfaj, më mirë se secili, e konfirmon atë që Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, se Qeveria e Kosovës “eksesivisht dhe obsesivisht e definojnë veten në relacion me Serbinë”.

Kosova nuk duhet ta definojë veten nga Serbia, por të definojë veten sipas vlerave të saj. Nga marrëdhënia e saj jo me 6 milionë banorë të Serbisë, por nga marrëdhënia e saj me 700 milionë njerëz të komunitetit euro-atlantik. Këtë gjë duam!”, pati thënë Escobar.

Por, Zulfaj këtë “eksesivitet dhe obsesivitet” e vazhdon dej në caqe të logjikës.

Pyetur nga gazetari se kur e sheh të konkludueshme Marrëveshjen e Ohrit në praktikë, Zulfaj i kthehet Vuçiqit dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë “të mashtruar” nga ai. Zulfaj thotë se që të gjithë e kishin gabim.

Para zgjedhjeve Vuçiqi u premtonte ndërkombëtarëve se do t’i vendoste sanksione Rusisë, nuk e bëri. Pra, pritjet ndaj Presidentit të Serbisë në afat të shkurtër, gjithmonë janë të mëdhaja. Pritni javën tjetër se ky do të ndryshojë, pritni muajin tjetër”, tha Zulfaj.

Por, këshilltari i Kurtit, thotë se ndonëse ndërkombëtarët presin, Kosova “nuk pret”.

Ne sigurisht se nuk presim”, tha Zulfaj, dhe shtoi: “Ne vazhdojmë me sundimin e ligjit”.

Por, tjerët po presin. Pra, BE dhe tjerët po presin që mos po ndryshon Vuçiqi. Pra, nuk po ndryshon. Prandaj po bëhen vitet, afat-mesën e dikur do të bëhet afatgjatë. Pra, janë pritjet të gabuara”, u shpreh ai.

E madje qysh në start, Jeton Zulfaj, tha se Bashkimi Evropian “ka dështuar” në Marrëveshjen e Ohrit, sepse nuk ia doli ta sjellë Serbinë ta nënshkruajë atë; ndonëse marrëveshja është nënshkruar gojarisht dhe është njësoj ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detytueshme – edhe për Serbinë dhe Kosovën.

Krejt kot është arsyetimi i tyre [BE’së dhe ShBA’së] për mosnënshkrim”, tha Zulfaj

Bashkimi Evropian nuk arriti që ta sjellë Vuçiqin të nënshkruajë, është dështimi i tyre. Dhe arsyetimi i mosnënshkrimit është i kotë fare. Ndërkohë që ne jemi në një proces ku tash na duhet zbatimi i marrëveshjes dhe nëse kanë ende pritje që pas deklarimit të menjëhershëm të Aneksit Vuçiq deklaron që jemi pajtuar për formën dhe jo përmbajtjen”, ka thënë ai.

Për t’u normalizuar gjendja, Zulfaj ka një përgjigje: “Duhet të sanksionohet Serbia”.

Nëse ka zemërim me veprimet tona është sepse ne nuk pranojmë që të kemi zbatim të marrëveshjes ashtu që e lejon Serbinë një ecje të lirë drejt moszbatimit të marrëveshjes dhe as të ndryshimit të saj”, tha ai.

E masat ndaj Kosovës s’dihet ku e kanë qëllimin, sipas Zulfajt, teksa shtjellon se si Kosova e ka vendin e natyrshëm të saj në Aleancën Trans-Atlantike, ndonëse qe më shumë se dy muaj kësaj Aleance Trans-Atlantike ia kanë “flakur tutje” të gjitha kërkesat, siç më së miri tregonte ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

“Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë se deri në ç’pikë është e gatshme t’u përgjigjet shteteve dhe institucioneve me të cilat është më e rreshtuara”, pati thënë Hovenier në Klan Kosovë, teksa shtonte edhe se “Nëse doni ato integrimet euroatlantike, ju gjithashtu duhet t’u përgjigjeni atyre institucioneve dhe vendimarrësve kyç në to. Dhe kjo më kthen aty që të them se jemi të habitur; se jemi të merakosur”.

Lajme të ngjashme