Kopje dhe imitim i zbehtë i Kurtit, Zulfaj me arsyetime të plogështa për sanksionet e BE-së - NACIONALE

Kopje dhe imitim i zbehtë i Kurtit, Zulfaj me arsyetime të plogështa për sanksionet e BE-së

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Edhe intonacionin, edhe renditjen e fjalëve e sintaksën, edhe gjuhën trupore...e pothuajse edhe gjithçka tjetër, i kishte mëveshur si të tij, këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit – Jeton Zulfaj. Ndërkaq, fjalët, s’do shumë mend që po-se-po. Pothuajse platonikisht – si teoria e formave – Zulfaj ishte veçse një kopje ose imitim fizik i Idesë, përkatësisht, Kurtit.

Ishte mbrëmë në KTV, i ftuar te gazetari Eraldin Fazliu, ku foli për çkah mos – dhe rrjedhimisht edhe asgjë; kjo në prag të takimit të Nivelit të Lartë të thirrur në Bruksel mes 14 shtator ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zulfaj, ka qenë këshilltar i Fatmir Limaj dhe NISMA-s, pjesë kjo jo fort e lavdishme në CV’në e tij profesionale, jo për NISMA-n në vetvete, sa për vetveten e tij që profesionalisht atë formacion politik s’e ka këshilluar mjaftueshëm mirë as sa për të tejkaluar pragun. Tash Zulfaj këshillon Kryeministrin, dhe empirikisht s’tregon të ketë tejkaluar pragun e një këshilltari politikisht të shëndosh. Çka tha dje Zulfaj, tashmë i metamorfizuar?

Gazetari Fazliu e pyeti për deklarimin e Kurtit në Bloomberg, se sanksionet e BE-së “janë duke e lënduar ekonominë kosovare”. Konkretisht, gazetari i tha “sa” thellë shkon ky lëndim, tha “çfarë matjesh” keni saktësisht të këtij lëndimi të ekonomisë kosovare.

Krejt kontraverzisht, Zulfaj e rrotllon edhe vetë logjikën e fjalisë së Kurtit, e mëpastaj edhe të vetë gazetarit.

“Së pari do të thoja që masat lëndojnë demokracinë”, tha Zulfaj, duke pretenduar se atë që rëndom pretendojnë se “Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor...nga të gjitha matjet kredibile”.

Për këtë pretendim të Zulfajt, e të mbarë kabinitetit qeveritarë, ishin vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që para mëse një muaji, do të ndanin një hartë krejtësisht tjetër, mbi Ballkanin Perëndimor.

Ja, një rast, kur vetë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, do ndante në dysh se kush-është-çka: Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut në si vende anëtare të NATO’s dhe që i rrijnë shtegut të integrimeve evropiane, dhe tre shtetet tjera, ku kishte ndërmend Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë, të kapluar pas etnonacionalizmave.

“Rajoni është bërë rajon me dy binarë. Në njërin janë ato shtete që janë në NATO, që janë shumë më stabile, dhe që kontribuojnë direkt në stabilitetin rajonal dhe që me vendosmëri i janë rrekur rrugës së integrimit evropian. Në tjetrin binar janë ato që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e pjesës tjetër të rajonit derisa përballen me sfidat e tyre”, pati argumentuar Escobar.

“Dallimet kryesore janë që vendet (e rajonit) të cilat janë në NATO dhe kanë bërë progresin e madh janë ato që kanë kaluar sfidën e rivalitetit etnik. Dhe ato që vazhdojnë të kenë lidership që beson në populizëm, nacionalizëm dhe rivalitet entik si rrugë përpara jano ato që po kanë probleme”, ishte shpjegimi i Escobar-it.

Masat e ShBA’së dhe BE’së ndaj Kosovës, kanë ardhur saktësisht për shkak të ngritjeve të tensioneve në veri dhe për rrezikimin e situatës së sigurisë, e gjithashtu edhe për shkak të shpërfilljes në plotni të kërkesave të mbarë komunitetit Trans-Atlantik.

Por, Zulfaj, duke recituar parrotisht fjalët e Kurtit, gjithsesi edhe me të njëjtën ngjyrë vokale, thotë se “BE...të sanksionojë vendet që janë demokratike....kjo është e paprecentë”.

“Studentët e çështjeve evropiane, të Bashkimit Evropian, do t’i studiojnë”.

Për fondet e pezulluara të BE-së, Jeton Zulfaj, thotë se “nuk janë anuluar, por afate që janë shtyerë”; duke bërë kësisoji një tautologji të llojit “të gjithë gjyshet janë nëna”.

Gazetari këtu i ndërhyn: a keni matje për dëmet?

“Mendoj se referenca (e Kurtit) është te këto afatet e shtyrjes”, insiston Zulfaj.

Këshilltari tha se në bisedimet e tyre me zyrtarë evropianë kërkojnë që “masat e padrejta të hiqen” sepse, siç beson ai, “po dëmtohet një vend demokratik”.

Mëpastaj, Zulfaj bën një shtrembërim për të provuar të arsyetojë se pse masat duhet të hiqen. Thotë se tash kanë bërë Marrëveshjen e Bratisllavës – përgjysmimi i pranisë së njësive speciale në-dhe-rreth komunave, si dhe një Udhëzim Administrativ – ndërkaq BE kërkon zbatimin e deklaratës së 3 qershorit, që është krejtësisht tjetër nga marrëveshja e Bislimit në Bratisllavë.

Tre pikat e asaj deklarate – që Kurti i kishte flakur tutje në tërësi – janë që kryetarët të kryejnë detyra nga lokacione alternative, të zhvendosen njësitë speciale nga dhe rreth komunave si dhe të shpalljen sa më parë zgjedhjet në veri duke u dorëhequr kryetarët dhe sigurimit të pjesëmarrjes së plot të serbëve.

“Mendoj se masat do të fillojnë e do të largohen gradualisht”, thotë Zulfa, por s’di të shpjegojë çka-e-pse, teksa arsyetimin e bën, qesharakisht, se kanë pasur takime me liderë evropianë në Athinë dhe Bled. Më e çuditshme s’ka se si të bëhet.

Lajme të ngjashme