ZRRE 'shpinën e fortë', s'e fërmat vendimin e Supremes: OEK e çon çështjen në Prokurori Speciale
Në mars të vitit 2025, mbi një mijë ndërmarrje në Kosovë u vunë ballë një realiteti që nuk e kishin pritur e as parashikuar të mund të ngjante siç ngjau: që u kishin mbetur pak muaj kohë për të bërë kontrata të detyrueshme të reja për furnizim me energji elektrike, me çmime 200 deri në 300 për qind më të larta. Të gjitha u detyruarn të dalin në tregun e lirë të energjisë, madje edhe me prani e asistim policor për t'i shkëputur nga Shërbimi Universal, pa qenë të detyruara nga ligji të ndodhte ashtu. Ky proces, i udhëhequr nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), prodhoi një nga konfliktet juridike e institucionale më të ndjeshme të sektorit privat dhe prodhues të Kosovës.
Për Odat Ekonomike dhe bizneset e prekura, çështja ishte e qartë: ZRRE kishte interpretuar gabimisht ligjin dhe kishte tejkaluar kompetencat. Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) e dërgoi rastin në Gjykatën Supreme, duke argumentuar se rreth “1,294 biznese private” janë futur në treg të hapur “pa mbështetje të mirëfilltë ligjore”, duke u detyruar të pranojnë kontrata të njëanshme dhe çmime të papërballueshme.
Më 2025, Gjykata Supreme dha aktgjykimin vendimtar. Në Aktgjykimin P.A.nr.18/2025, Gjykata “aprovoi të themeltë kërkesëpadinë e paditëses”, duke shpallur të paligjshme dy dispozitat kryesore që kishin shërbyer si bazë për veprimet e ZRRE. Konkretisht, Gjykata “shpall të paligjshëm dhe shfuqizon nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike (2017)” si dhe “nenin 2 të Udhëzuesit të Ndryshimit dhe Plotësimit” të viteve 2018–2019. Në arsyetim, Gjykata thekson se këto akte nuk janë harmonizuar me legjislacionin e energjisë dhe kanë prodhuar pasoja të dëmshme.

Sidoqoftë, Gjykata hodhi poshtë pjesën që kërkonte anulimin e njoftimit publik dhe korrigjimin e faturave, duke e cilësuar atë pjesë të padisë si të “palejueshme” për arsye procedurale. Pavarësisht kësaj, Gjykata ishte e qartë në një pikë thelbësore: ZRRE ka detyrim ligjor ta publikojë aktgjykimin dhe të shfuqizojë dispozitat e udhëzuesve, duke rikthyer respektimin e kornizës ligjore.
Por pas vendimit, ZRRE publikoi një komunikatë zyrtare që i çorientoi edhe më shumë palët e interesuara. Në reagimin e saj, ZRRE deklaroi se “procesi i liberalizimit të tregut vazhdon”, duke theksuar se Gjykata “ka hedhur poshtë kërkesëpadinë për shfuqizimin e Njoftimit Publik” dhe se kontratat në tregun e hapur “vazhdojnë të mbeten në fuqi”. ZRRE insistoi se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara i takon vetëm konsumatorëve që kualifikohen për shërbim universal, duke shtuar se “konsiderimi i kritereve ligjore është detyrim që tejkalon kompetencat e ZRRE-së”.
Ky interpretim ngriti tensionet me OEK-në, e cila e konsideroi komunikatën si shmangie të hapur nga zbatimi i aktgjykimit. Të bindur se vendimi gjyqësor po injorohej, OEK dorëzoi një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Bordit të ZRRE-së. Në kallëzim, OEK akuzon drejtuesit e ZRRE-së për “mos-ekzekutimin e vendimit gjyqësor”, “keqpërdorimin e pozitës zyrtare”, “shkeljen e detyrimit zyrtar”, “mashtrimin në detyrë” dhe “cenimin e interesit ekonomik publik”. Sipas OEK-së, dëmimet janë të dukshme: faturat më të larta të energjisë në historinë e vendit dhe rrezik i real për mbyllje të biznesit në zinxhir.
Thelbi i konfliktit mbetet interpretimi i kritereve ligjore. Sipas OEK-së, dhe vendimit të Gjykatës Supreme, ligji parashikon që konsumatorët jofamiljarë duhet të plotësojnë njëkohësisht dy kritere për të dalë nga shërbimi universal: të kenë më shumë se 50 punonjës dhe qarkullim mbi 10 milionë euro. Ndërsa ZRRE këmbëngul se mjafton tejkalimi i vetëm njërës prej këtyre pragjeve. Pikërisht ky dallim ka përfshirë padrejtësisht bizneset e vogla dhe të mesme në tregun e hapur.
Për bizneset e prekura, çështja është e qartë: në një ekonomi të brishtë, një rritje e tillë e menjëhershme e çmimit të energjisë është barrë e papërballueshme.