Zotimi i Kurtit se Diaspora do të votojë në ambasada e konsullata, aktualisht pak i mundshëm
Duke qenë se trupi elektoral jashtë Kosovës në masë të madhe i takonte Lëvizjes Vetëvendosje, njëri prej premtimeve të VV-së që merrte fokus të shtuar gjatë fushatës zgjedhore, ishte ai për mërgatën. Kryeministri Albin Kurti zotohej se me ardhjen e tij në pushtet, pjesa e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të votojnë fizikisht nëpër ambasada dhe konsullata.
Kurti thoshte se ndër veprimet e para, do të ishte sjellja në Kuvendin e Kosovës të projektligjit që do t’i mundësonte diasporës të votonte në përfaqësitë diplomatike në vendet ku ata jetojnë.
Kështu edhe kishte ndodhur. Ende pa i mbushur një muaj në Qeveri, më 2 prill të vitit 2021, partia në pushtet kishte sjellur propozimin në Kuvend që shqyrtimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshmë të bëhet me procedurë të përshpejtuar.
Megjithatë, kjo tentativë e Lëvizjes Vetëvendosje kishte dështuar ku për propozimin nuk ishin arritur të siguroheshin 2/3 e votive. Për propozimin kishin votuar 65 deputëtë për, ndërsa 39 ishin kundër.
Kjo tentativë e pushtetit nga opozita ishte lexuar si arrogancë e numrave që rrezikonin demokracinë dhe rendin kushtetues në vend.
Reforma zgjedhore me hapa të ngadalshëm
Së këndejmi, kur pushteti i Vetëvendosjes edhe disa javë mbush dy vite jetë, ky ligj, rrjedhimisht përpjekjet për një reformë zgjedhore janë duke shkuar me hapa shumë të ngadalshëm, gati krejt të pavërejtshmë.
Në lidhje me këtë, në korrik të vitit 2021, me 71 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës kishte themeluar Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë.
Pjesë e këtij komisioni janë deputetë të mazhorancës dhe asaj opozitare. Drejtimin e këtij komisioni e ka partia më e madhe opozitare, PDK, ndërkaq zëvëndëskryetar i komisionit është deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikqyrjen e Agjensisë Kundër Korrupsionit.
Gazeta Nacionale e ka pyetur Rrustemin rreth procesit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, dhe se a do të jetë e mundshme që në zgjedhjet e ardhshme diaspora të votoj fizikisht. Mirëpo, Rrustemi nuk ka kthyer përgjigje, pavarësisht që i ka parë pyetjet.
Por, anëtari i këtij komisini Ad-Hoc, nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i ka thënë Nacionales se deri më tani në Komisionin Ad – Hoc për reformë zgjedhore janë marrë me adresimin e rekomandimeve të Bashkimit Evropian që i kanë dhënë përmes misioneve për monitorimi e zgjedhjeve.
Nga misioni përcjellës i zgjedhjeve të Bashkimit Evropian kanë deklaruar në vazhdimësi se rekomandimet e tyre nuk kanë pasur ndonjë përparim drejt zbatimeve, të cilët i kanë dhënë 23 sosh dhe 6 prioritete. Rekomandimet fokusohen në regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, mbikqyrjen efektive të financimit të partive, reklamimet në platform online, caktimi i antarëve të komisonit dhe anëtarëve të apelit dhe po ashtu ridizajnimi apo pastrami i listës së votuesve.
Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci ka thënë se reforma zgjedhore është një prej proceseve që ka kaluar Kuvendi i Kosovës tash e një dekadë, mirëpo sipas tij ky proces vazhdon të jetë i dështuar për shkak të mungesës së vullnetit politik.
Ai ka thënë se aktualisht, Ligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është duke u trajtuar nga ana e Komisionit Ad Hoc, mirëpo shton se shoqëria civile ka bërë thirrje që kjo reformë të ishte më gjithëpërfshirëse.
“Do të duhej të ishte shumë më gjithëpërfshirëse në kuptimin e çështjeve që i adreson, sesa vetëm rekomandime teknike, për shkak se meqenesë ka një konsensus për ta adresuar këtë problematikë, do të duhej që momentumi të shfrytëzohej për ndryshuar edhe çështje shumë më përmbajtësore si çështja e zonave zgjedhore, pragut, listave, votimit me kusht, votimit jashtë vendit e shumë e shumë çështje tjera të ngjashme”, ka thënë Cakolli për Nacionale.
Ai është shumë skeptik se Lomisioni Ad-Hoc do të mund të përmbyllë procesin e ndryshimit, pasi që ky komision ka mandat deri në fund të këtij muaji (janar.
“Unë konsideroj që ekziston rreziku që të mbetemi pa i adresuar çështjet më substanciale të sistemit zgjedhor, të cilat në fakt do të ndikonin në përmisimin e procesit të votimit sidomos numërimit të votive që janë treguar si dy hallkat më problematike të këtij procesi”, tha Cakolli, i cili beson se afati i Komisionit mund të ketë shtyrje disa javore, komision i cili deri tani i ka mbajtur vetëm dy mbledhje.
Cakolli tha se votimi jashtë vendit përbënë një prej çështjeve “më të nxehta” të këtij procesi, megjithatë, ai shton se BE-ja nuk ka rekomanduar një gjë të tillë.
“Fillimisht misioni i BE-së nuk e ka rekomanduar që të jetë votim në tjetër fomat, pra në votimin jashtë vendit, dhe në këtë rast votimit në ambasada. Kjo përbënë një paradoks, për shkak që në njërën anë deputetët vazhdimisht kanë thënë që do të kufizohen vetëm në drejtimin e rekomandimeve, ndërsa kur është rasti tek çështjet ku ka interes partiak, pra të shtyhet përpara një format i caktuar i votimit”, tha Cakolli, i cili ka dilema për synimet që diaspora të votoj fizikisht.
“Si model është problematik sepse ngritë shumë dilema sa i përket integritetit, vonesave, kosotove e shumë çështjeve të tjera, të cilat me sa duket nuk është se janë trajtuar gjegjësisht nga subjektet politike”, ka thënë Eugen Cakolli.
Kurse Lirim Krasniqi, nga organizata Germin – një organizatë që merret kryesisht me çështje të diasporës, ka thënë se reforma zgjedhore do të marrë shumë kohë duke shtuar faktin se një gjë e tillë kërkon edhe vullnet politik, që sipas tij aktualisht nuk ekziston.
“Prandaj, jam skeptik që edhe pjesa e votimit nga jashtë do të zgjidhet shpejt”, mendon Krasniqi, organizata e të cilit ka thënë rekomandime vitin e kaluar, duke qenë edhe pjesë punuese për ndryshimin e këtij ligji.
“Perveç mundësisë së votimit fizik (aty ku është e mundshme dhe ku e kemi diasporën të koncentruar), duhet të bëhen ndryshime edhe në formën e regjistrimit, e cila duhet të dixhitalizohet. Për këtë ka pajtueshmëri edhe brenda trupës civile të KQZ-së, mirëpo si duket edhe kjo ka mbetur pezull në pritje të ndryshimeve ligjore”, ka thënë Krasniqi.
Megjithë pengesave të shumta që një ndryshim i procesit zgjedhor në Kosovë të ndodhë shpejt, dhe një pjesë e konsiderusheme e votuesve jashtë Kosovës të iu lehtësohen proceduarat, Vetevendosje zotohej edhe përmes programit të tyre qeverisës se votimit online nga diaspora do t’i japin fund.
“Kohët e bllokadës ose keqpërdorimit të mërgatës dhe diasporës nga ana e institucioneve shtetërore do t’i takojnë përfundimisht të kaluarës”, shkruhet në programin qeverisës të pushtetit, në kapitullin “Rritja e rolit të mërgatës në zhvillimin dhe promovimin e vendit”.


