Zgjedhjet në veri: Shtyhet edhe një herë mbledhja e KQZ-së, po përgatisim materialet
Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ishte paraparë që të mbahet të martën, por dështoi dhe u vendosë që të mbahet të mërkurën, mirëpo, kjo mbledhje ka dështuar të mbahet edhe sot. Në anën tjetër dita e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore po afrohet.
Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të vendit. Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë Lista Serbe që është partia më e madhe serbe në Kosovë.
Lidhur me këto zgjedhje, KQZ tash e disa muaj ka filluar përgatitjet. Teksa për të martën me 11 prill ishte paraparë që të mbahet edhe një mbledhje, ku në rend të ditës ishte vlerësimi i rrezikut për qendrat e votimit.
“Derisa po diskutohej në këshillin për operacione zgjedhore, ku po trajtoheshin shumë prej çështjeve të cilat priteshin të dilnin sot në rendin e ditës, anëtarët e KQZ konsideruan që do të duhet më shumë informacione lidhur me pikat e rendit të ditës që kanë qenë të planifikuara për mbledhjen e sotme të KQZ. Mbledhja e paraparë të zhvillohet sot në orën 11:00, është shtyrë për ditën e nesërme, e mërkurë, ndërkaq për orën e saktë do të iu njoftojmë gjatë ditës së nesërme.” – ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi të martën gjatë ditës.
Ndërkohë, Elezi edhe sot pati një përgjigje pasi mbledhja u shty përsëri, por nuk dha datë së kur do të mbahet.
“Mbledhja e planifikuar për sot nuk do të mbahet. Jemi në përgatitje të materialeve për mbledhje, për mbajtjen e së cilës do t’iu njoftojmë me kohë.” – ka thënë ai.
“I bindemi KQZ-së”
Nuk dihet nëse këto shtyrje po bëhen për shkak të situatës në veri, mirëpo ajo që dihet është se Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të shtyrje të zgjedhjeve, megjithatë sipas ministres së Drejtësisë, Qeveria do t’i bindet KQZ-së dhe kërkesave të tyre.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria e Kosovës i bindet kërkesave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe vepron bazuar në kërkesat e tyre.
“Qeveria i bindet kërkesave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vepron në bazë të rrethanave dhe sugjerimeve që i japin pastaj institucionet e sigurisë që janë të mandatuara për këtë çështje. Në momentin kur do të kemi informacione të tilla që, ta zëmë zgjedhjet nuk do të mbahen ose nuk do të duhej të mbaheshin, atëherë sigurisht që do të japim qëndrimin tonë. Përndryshe i bindemi kërkesave të KQZ-së, siç e dini është institucion kushtetues dhe është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.” – ka thënë ajo sot më 12 prill në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Në anën tjetër, “Demokracia në Veprim” në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (IKD), kanë thënë se rrethanat akutale në veri nuk mundësojnë zgjedhje të lira dhe të drejta në veri.
“Për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve zgjedhor të komunitetit serb nga trupat menaxhuese zgjedhore, si dhe e mungesës së interesimit të tyre për të aplikuar, KQZ-ja po përballet me sfida në zhvillimin e përgatitjeve të nevojshme për të organizuar dhe administruar një proces të rregullt dhe të mirëfilltë zgjedhor. Paqartësitë lidhur me shfrytëzimin e qendrave ekzistuese të votimit, emërimin dhe trajnimin me kohë të komisionerëve, bartjen e materialeve zgjedhore janë disa nga problemet kyçe me të cilat pritet të ballafaqohen trupat menaxhuese të zgjedhjeve.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Tensionet në veri
Situata në veri duket se është e qetë por e brishtë.
Të martën, Policia e Kosovës ka arrestuar dhe suspenduar katër zyrtarë policor të saj për përshirjen në rastin e plagosjes së një qytetari serb në veri.
Sipas policisë, një zyrtar policor dyshohet se kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një qytetari te ura e Bistricës në Leposaviq teksa të tjerët nuk e kishin lajmëruar rastin.
Ky rasti nxiti reagimin e Listës Serbe, të cilët pretendojnë që nuk ka siguri në veri të vendit për shkak të vendosjes së Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë rast pati reagime të ambasadorëve të huaj në Kosovë.


