Zelensky paralajmëron për një valë të re të agresionit rus - NACIONALE

Zelensky paralajmëron për një valë të re të agresionit rus

1 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të martën se Kievi ka nevojë që aleatët të marrin vendim për dërgimin e tankeve moderne për ta fuqizuar mbrojtjen e vendit të tij kundër Rusisë.

Zelensky e përsëriti pretendimin se Moska është duke planifikuar një valë të re të agresionit dhe se shenjat e para të saj tashmë janë të dukshme në rajonin Donbas.

“Rusia është duke u përgatitur për një valë të re të agresionit me forcat që mund t’i mobilizojë. Pushtuesit tashmë janë duke e rritur presionin në Bakhmut, Vuhledar dhe në drejtime të tjera dhe ata duan që ta rritin presionin në nivel më të lartë. Për të mos e njohur gabimin e agresionit, padronët e Rusisë dëshirojnë që të hedhin më shumë njerëz e pajisje të veta në luftime”- tha presidenti ukrainas.

Luftimet përreth qytezës lindore, Bakhmut, janë shpeshtuar në javët e fundit. Rusia ka pretenduar se ka shënuar disa suksese në atë pjesë.

Ndërkohë raportohet se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë pajtuar për t’i dhënë tanke Ukrainës. ShBA-ja pritet që të ofrojë tanke të tipit “M1 Abrams”, ndërsa Gjermania tanke “Leopard 2”.

Edhe Norvegjia është duke e shqyrtuar mundësinë për t’i dhënë Ukrainës disa tanke të prodhimit gjerman, sipas raportimit të gazetave norvegjeze, “Aftenposten” dhe “Dagens Naeringsliv”.

Sipas këtyre gazetave, ende nuk është marrë ndonjë vendim për dërgimin e tankeve, duke cituar burime anonime, të afërta me këto diskutime.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se pret që vendet e aleancës ta rrisin cakun e tyre për shpenzime në fushën e mbrojtjes në 2 për qind të prodhimit vendës, kur përfaqësuesit e tyre të takohen në një samit në Lituani në korrik.

“Supozoj se do të jetë një cak i ri për shpenzime të mbrojtjes, kur të takohemi për samitin e NATO-s në Vilnius në korrik këtë vit. Caku prej 2 për qind ishte fillimisht për një dekadë, pra deri më 2024, prandaj duhet që ta përditësojmë atë tani”- deklaroi ai.

Lajme të ngjashme