Përpos Gjermanisë, edhe ShBA-ja pritet t’i dhurojë tanke Ukrainës - NACIONALE

Përpos Gjermanisë, edhe ShBA-ja pritet t’i dhurojë tanke Ukrainës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Pas ngurrimit që zgjati disa muaj, raportohet se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania planifikojnë që t’i dërgojnë tanke Ukrainës. Kievi shpreson se këto mjete do ta “ndryshojnë lojën” në fushën e betejës.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, pritet që t’i publikojë planet për dërgimin e të paktën 30 tankeve “M1 Abrams” në Ukrainë, raporton televizioni BBC.

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, raportohet se ka vendosur që të dërgojë të paktën 14 tanke “Leopard 2” në Ukrainë. Ai pritet të flasë në kuvendin gjerman të mërkurën në mëngjes.

Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, tha se ky lajm është “një tjetër provokim flagrant”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se vendimi i raportuar i Gjermanisë “nuk do të sillte asgjë të mirë” dhe do të linte një “shenjë të zgjatur” në marrëdhëniet me Rusinë.

Zyrtarët ukrainas thonë se urgjentisht kanë nevojë për armë më të rënda dhe se tanket e mjaftueshme mund t’i ndihmojnë trupat ukrainase që të rimarrin territore të pushtuara nga rusët.

Deri më tani, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania i kanë rezistuar presionit të brendshëm e të jashtëm për të dërguar tanke në Ukrainë.

Amerikanët i kanë përmendur si arsyetim mirëmbajtjen e vështirë dhe trajnimin e gjerë që nevojiten për tanket e tyre, ndërsa gjermanë kanë pasur shqetësim se dërgimi i tankeve do ta eskalojë konfliktin dhe do ta bëjë NATO-n palë të drejtpërdrejtë në luftë me Rusinë.

Lajme të ngjashme