Zelensky brengoset se lufta mund të preket nga ndryshimi i forcave politike në ShBA - NACIONALE

Zelensky brengoset se lufta mund të preket nga ndryshimi i forcave politike në ShBA

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi të martën se nëse vendi i tij nuk e fiton betejën për Bakhmutin, Rusia mund ta fillojë sigurimin e përkrahjes ndërkombëtare për një marrëveshje me të cilën Ukrainës mund t’i kërkohen kompromise të papranueshme. Ai e ftoi presidentin e Kinës, Xi Jinping, që ta vizitojë Ukrainën.

Nëse Bakhmuti bie në duart e forcave ruse, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “do t’ua shiste këtë fitore Perëndimit, shoqërisë së tij, Kinës, Iranit”, tha Zelensky në një intervistë për agjencinë “Associated Press”.

“Nëse ai do të ndiejë ca gjak – nëse nuhat që ne jemi të dobët – do të shtyjë, shtyjë, shtyjë përpara”- tha Zelensky në gjuhën angleze.

Presidenti ukrainas foli me një redaktore të agjencisë “Associated Press” duke udhëtuar me tren drejt qyteteve afër disa prej luftimeve më të ashpra dhe në vende të tjera ku forcat e vendit të tij i kanë zmbrapsur me sukses rusët.

Zelensky është i vetëdijshëm se suksesi i Ukrainës ka qenë kryesisht për shkak të përkrahjes ushtarake nga vendet e huaja, sidomos nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore. Megjithatë, disa figura në ShBA, përfshirë ish-presidentin Donald Trump, e kanë vënë në pikëpyetje politikën e ndihmave miliardëshe ushtarake ndaj Ukrainës në të ardhmen.

Edhe rivali i pritshëm i Trumpit në Partinë Republikane, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ka sugjeruar se mbrojtja e Ukrainës në një “mosmarrëveshje territoriale” me Rusinë nuk është prioritet i rëndësishëm për sigurinë kombëtare të ShBA-së.

Zelensky nuk ua përmendi emrat Trumpit ose ndonjë politikani tjetër të Partisë Republikane – figura me të cilat ai mund të detyrohet të ballafaqohet, nëse ato fitojnë në zgjedhjet e vitit 2024, por tha se brengoset që lufta mund të preket nga ndryshimi i forcave politike në Uashington.

“Shtetet e Bashkuara vërtet kuptojnë që nëse ato e ndalin ndihmën ndaj nesh, ne nuk do të fitojmë”- tha presidenti ukrainas gjatë intervistës.

Lajme të ngjashme