Rutte thotë se Holanda është e hapur për ta furnizuar Ukrainën me aeroplanë luftarakë - NACIONALE

Rutte thotë se Holanda është e hapur për ta furnizuar Ukrainën me aeroplanë luftarakë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha të hënën se vendi i tij mbetet i hpaur për të dërguar aeroplanë luftarakë në Ukrainë.

“Në Holandë, ne nuk shohim ndonjë tabu, nuk përjashtojmë asgjë dhe konsultohemi në mënyrë intensive me partnerët tanë. Megjithatë, për momentin, asnjë vendim nuk është marrë për t’i trajnuar pilotët për aeroplanë luftarakë me ne. Nuk është vendosur asgjë”- tha Rutte në një konferencë të përbashkët për gazetarë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në qytetin bregdetar holandez, Rotterdam.

Muajin e kaluar, qeveria ukrainase i kërkoi zyrtarisht Holandës aeroplanë luftarakë të tipit F-16, raporton agjencia “Anadolu”.

Holanda është duke e nxjerrë nga përdorimi flotën e vet të aeroplanëve F-16. Ky shtet ka 24 aeroplanë të tillë, por planifikon që t’i largojë nga përdorimi deri vitin e ardhshëm, pasi do t’i fusë në funksion aeroplanët e gjeneratës së re, F-35. Më 2021, Holanda shiti 12 aeroplanë të vjetër luftarakë në ShBA për t’u përdorur për trajnimin e pilotëve.

Ukraina për një kohë të gjatë u ka kërkuar aeroplanë luftarakë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë. Zyrtarët e lartë ukrainas kanë bërë fushatë publike javëve të fundit për të kërkuar më shumë armë, duke argumentuar se Ukraina ka nevojë për aeroplanë që të mbrohet kundër sulmeve ruse me raketa dhe dronë.

Megjithatë, kjo kërkesë është ballafaquar me skepticizmin e zyrtarëve të ShBA-së dhe aleatëve të tjerë, të cilët thonë se aeroplanët nuk do të ishin praktikë, sepse për ta nevojiten trajnime të konsiderueshme dhe se Rusia ka sisteme të gjera kundërajrore që do të mund t’i rrëzonin lehtësisht aeroplanët.

Kur është pyetur më parë nëse ShBA-ja do t’i dhurojë aeroplanë F-16 Ukrainës, presidenti amerikan, Joe Biden, është përgjigjur shkurt: “Jo.”

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë besojnë, gjithashtu, se furnizimi i Ukrainës me aeroplanë do të ishte rrezik për eskalim të tensioneve mes NATO-s dhe Rusisë.

Lajme të ngjashme