ShBA mbështet krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimet ruse kundër Ukrainës
Shtetet e Bashkuara njoftuan se mbështesin krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimin e agresionit – një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjen për të mbajtur përgjegjës zyrtarët e lartë të Kremlinit për luftën në Ukrainë, raporton CNN.
"Në këtë moment kritik të historisë, kam kënaqësinë të njoftoj se Shtetet e Bashkuara mbështesin zhvillimin e një tribunali të ndërkombëtarizuar dedikuar ndjekjes penale të krimit të agresionit kundër Ukrainës", - tha të hënën ambasadorja e SHBA-së për Drejtësinë Penale Globale, Beth Van Schaack.
Njoftimi i mbështetjes së ShBA-së për krijimin e një organi të tillë "në formën e një gjykate të ndërkombëtarizuar që i ka rrënjët në sistemin gjyqësor të Ukrainës, me elementë ndërkombëtarë", siç tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, vjen pasi Ukraina dhe vendet e tjera kërkuan krijimi i mekanizmit për muaj të tërë.
Siç shkruan CNN, edhe pse ka një sërë organesh të ndryshme si Gjykata Penale Ndërkombëtare që mund të ndjekin penalisht krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, ato nuk kanë aftësinë për të ndjekur penalisht krimin e agresionit.
Ambasadori i Përgjithshëm i Ukrainës Anton Korynevich në dhjetor argumentoi se këta mekanizma ekzistues nuk bëjnë mjaftueshëm për të siguruar që vendimmarrësit në Moskë të përballen me ndëshkimin për luftën e tyre kundër Ukrainës.
"Ne kemi një zbrazëti, një boshllëk në llogaridhënie, kur flasim për përgjegjësinë për krimin e agresionit kundër Ukrainës," - tha Korynevych për CNN në Uashington, DC, në atë kohë.
"Ligjërisht, aktualisht, nuk ka asnjë mekanizëm ndërkombëtar që mund të hetojë dhe ndjekë penalisht krimin e agresionit kundër Ukrainës," - shpjegoi ai.