Zëdhënësi i Qeverisë komenton deklaratat e Stanos: Serbisë s’i dhanë as vërejtje publike kur shkeli marrëveshjen
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka deklaruar se draft statuti i prezantuar nga Ekipi Menaxhues është i papranueshëm për Kosovën, duke thënë se arsye e shkarkimit ishte se në atë plan “ofrohej një Republikë Srpska”.
Kryeziu në Tëvë1 ka deklaruar se Serbia e ka shkelur marrëveshjen, por se BE-ja nuk ka reaguar në lidhje me këto veprime të saj.
“Në të njëjtën kohë, nga 27 shkurti e deri diku rreth 2-3 javë pas, Serbia e ka shkelur marrëveshjen bazë në plotë tetë nene të saj, preambulën si dhe planin e zbatimit. S’e kemi parë asnjë denoncim, as vërejtje publike, as deklaratë publike nga përfaqësues të BE-së që thonë se një deklaratë apo veprim është në kundërshtim me marrëveshjen apo frymën e dialogut.” – u shpreh ai.
Kryeziu e ka përmendur edhe votën kundër të Serbisë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se u shkel neni katër i marrëveshjes bazë.
“Përgjigja, reagimi, i BE-së ndaj kësaj ka qenë jemi në dijeni, dhe po mbajmë shënime.” – u shpreh tutje zëdhënësi i Qeverisë.
Ndërkohë, në një konferencë me gazetarët, zëdhënësi Stano fillimisht deklaroi se ekipi menaxhues nuk ishte pjesë e asnjë prej delegacioneve – pra as atij serb, as atij kosovar.
“Ata nuk ishin pjesë as e delegacionit serb, as atij kosovar. Kjo është në linjë me marrëveshjet e dialogut, anëtarët e ekipit janë propozuar nga Serbia dhe janë emëruar nga Kosova.” – tha ai.
Stano ka deklaruar edhe një herë se vendimi për të shkarkuar ekipin menaxhues “shkel letrën e marrëveshjeve të dialogut”.
"Prandaj, vendimi për ta shpërbërë ekipin menaxhues i shkel letrën dhe frymën e marrëveshjes së dialogut dhe për çdo vendim për Ekipin Menaxhues duhet të ketë pajtim në kornizën e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.” – u shpreh ai.
